Vëllezërit Muriqi në FFK
Futbollistët e gjeneratës ë artë, Fadil dhe Xhevdet Muriqi janë pritur të premten nga drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi (kryetar) dhe Eroll Salihu (sekretar i përgjithshëm).
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe dy ish-bashkëlojtarët e tyre të gjeneratës së artë të Prishtinës, Skënder Shengyli dhe Sahit Kelmendi.
Gjatë këtij takimi Fadil Muriqi, i cili jeton dhe vepron në Australi, i përgëzoi drejtuesit e FFK-së për sukseset e arritura deri më tash, derisa theksoi se rezultatet dhe paraqitjet e Përfaqësues së Kosovës po i bëjnë krenarë të gjithëve, ashtu sikurse në vitet e 80-ta kur Prishtina ishte shndërruar në simbol të tërë popullit shqiptar.
“Ata uruan që edhe më tutje të vazhdojë ecuria e mbarë e rezultateve të Përfaqësues, por edhe puna e mirëfilltë që po bëhet në organizimin sa më të mirë të FFK-së, përmirësimin e infrastrukturës dhe ngritjen e cilësisë së futbollit në kampionatin vendor”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Ndërkohë, presidenti Ademi i njoftoi legjendat e futbollit për strategjinë e FFK-së dhe projektet që janë realizuar dhe do të realizohen në të ardhmen me qëllim të zhvillimit të mëtutjeshëm të futbollit të Kosovës. Në fund u ndanë dhurata modeste për mysafirët.
/Epoka e re/