Vëllezërit Shoshi dhe Bénédict Schule
Shkruan: Shkodran Arifi
Vëllezërit ndërmarrës Arsen dhe Arben Shoshi dallohen me firmën e tyre në sektorin e ndërtimit në Zvicër prej 12 vitesh.
Prej pjatalarësi te një afarist i suksesshëm në Zvicër. Kjo është karriera e Arsen Shoshit, të cilën ai as që ka mundur ta ëndërronte në vitin 1998 kur ka ardhur në Zvicër, pa njohur gjuhen gjermane dhe pa perspektivë.
Kur erdhi në Zvicër, Arseni nuk kishte asgjë. Arsen Shoshi, kishte migruar si refugjat në mars të vitit 1998 në Cyrih, me aeroplanin e fundit nga Aeroporti i Prishtinës para se të përmbysej gjithçka nga lufta.
Gjakovari, me një garancion tremuajsh merr rrugën e migrimit në Zvicër. Ai shkëputi një kohë kontaktet edhe me familjen, e cila u detyrua të braktiste shtëpinë nga lufta e të ikte në Shqipëri.
Sot, pas 18 vjetëve, ai bashkë më vëllanë Arbenin janë krahu i djathtë i z. Heinrich Meister, president Bénédict Education Group.
Suksesi i dy vëllezërve shqiptarë nga Gjakova lidhet edhe me firmën e tyre, të cilën e themeluan në vitin 2005.
Fillimisht filluan vetëm me dy punëtorë ndërsa tani firma e tyre numëron qindra punëtorë.
Prej atëherë, vëllezërit Shoshi nuk janë ndalur asnjëherë me renovimin e brendshëm të shtëpive dhe banesave e deri te hotelet me pesë yje nëpër Zvicër.
Por, ata nuk harrojnë të lidhin suksesin në biznese me babanë e tyre Elez Shoshin.
“Unë jam me fat që pata një prind, i cili për shumë vite ishte një afarist shumë i mirë dhe mësova që nga fëmijëria ime se si duhet të respektohet puna. Aty fillova hapat e parë dhe ëndërrova që të arrij këtë që e kemi edhe sot!”, thotë Arsen Shoshi, drejtor për Investime, Bénédict Education Group.
Jo vetëm kaq, Arsen Shoshi ka marrë vendimin nga MPJ-ja për konsull nderi, por që emërimi nuk është zyrtarizuar ende, pasi mungon konfirmimi nga shteti zviceran.