Vëllim poetik me dendësi figuracioni
Sadik Krasniqi
Mbi vëllimin me poezi të Xhevat Muqakut, “Orë e (v)arkës në liqenin e kaltër”, botoi “Armagedoni”, Prishtinë, 2021
Vëllimi i katërt me poezi, “Orë e (v)arkës në liqenin e kaltër”, i poetit Xhevat Muqaku, është kontinuitet i librit pararendës “Bërthama e fjalës”, ndërsa të dy këta libra krijojnë një diskontinuitet me dy librat e tij të mëparshëm. Një konstatim i tillë dallues mes dy librave të fundit nga ata të mëparshmit, rezulton më tepër në figurshmërinë e tyre poetike dhe strukturën e ligjërimit lirik, sesa në atë tematiko-motivor. Vëllimi “Orë e (v)arkës në liqenin e kaltër” karakterizon shestimin e poetit për ta begatuar të shprehurit lirik me një poetikë me sa më shumë figurshmëri. Lirisht mund të themi se këtë intencialitet Muqaku e arrin me sukses. Synimi i poetit për permanencë figurative vërehet që në titullin e librit, sidomos në sintagmën e parë të tij: orë e (v)arkës. Ora paraqet një dykuptimësi: ora si mjet i matjes së kohës, por edhe si figurë e mitologjisë orale i Orës (zanë) me misionin ruajtës e shpëtues, ndërsa (v)arka shquhet për ambiguitetin semantik: mjet lundrimi dhe simbol biblik i arkës shpëtuese të Noes gjatë përmbytjes së madhe.
Vëllimi nis me një qasje diskursive për idenë iniciale të krijimit, përmes lutjes së muzës dhe nxitjes së zekthit deri te finalizimi i tij. Kjo arrihet në saje të “rrezatimit të Hijes, Vlerës, Zanës e Kreshnikut”. Edhe pse këtë diskursivitet mbi mënyrën e ardhjes së librit e shquan një konjitivitet bisedimor, “Bre lut muzën e nxit zekthin, hajt se jua dua shumë vetëm të bëjmë një brumë gati për gatim”, hasim një ambivalencë emrash, si: hije, vlerë, zanë e kreshnik, që mund të jenë emra konkretë të të afërmve (me të cilët konsultohet rreth librit) e, njëkohësisht, janë edhe konotacione poetike.
Përmbajtja e librit konstruktohet përmes tri cikleve poetike: “Aromë e ankthit tim”, “Orë e zhdeshjes” dhe “Derisa t´i përtërij grafitet”. Që në emërimin e cikleve të këtij libri vërehet intenca e poetit drejt abstraksionit metaforik: në ciklin e parë dhe të dytë dhe të diskursivitetit në ciklin e tretë. Cikli i parë, “Aromë e ankthit tim”, është tejet personal, në të cilin heroi lirik shfaq raportin emocional me më të dashurit e tij të afërsisë familjare.
Empatia për pjesën e zemrës, siç thotë poeti, shfaqet përmes një figuracioni shumë të dendur epitetesh, si: thesar florinjsh, engjëj të bardhë, shqiponjë e qëndisur, park diellor, gravitet i dashurisë, ngjyrat e luleve, adrenalinë e yjeve, dritë polare, yll vere, fytyrë hyji, gojë e artë, farë e artë etj. Në këtë cikël poetik, përveç reflektimeve me një emocionalitet solemn, hasim edhe evokativën për njerëzit që tashmë janë bërë kujtime, ose siç thotë poeti, “dritëhije për jetë e mot”. Evokativja në këtë cikël nuk është një lament i zëshëm, por një ndjenjë e ndrydhur në emocionalitet racional, që është karakteristikë e një intelektualizimi përjetues ndaj këtyre dukurive, që përkon me mendimin e Robert Frostit, se poezia është emocion, ka gjetur mendimin e mendimi ka gjetur fjalën.
“Orë e zhdeshjes” është cikli i dytë i librit, ku objekti lirik subjektivizohet me anë të një të shprehuri të përskajshëm abstrakt, përmes një malgame figurshmërie. Vetë titujt e disa poezive, si: Gjurmë e formës dhe e hijes, Skulpturë uji, Në orët e dremitjes, Orë e zhdeshjes, Në orët e yjeve, Në errësirën lakuriqe, Dorëshkrim i mjaltuem, Orë e shkopsitjes, janë sintagma të metaforave kontekstuale me një kontemplacion të thellë.
Intencionaliteti këmbëngulës i poetit, që narracioni lirik i tij të jetë sa më abstrakt, “relativizon semantikën e shumë poezive, siç do të thoshte kritiku i shquar Ramadan Musliu.
Ndaj disa poezi në këtë libër e zbehin kontinuitetin kuptimor brenda rrëfimit.
Për recepientin shpesh errësohet perceptimi integral i shumë poezive dhe se, nëse shprehemi figurativisht, shumë poezi janë si “pacienti”, të cilit i merret me shumë vështirësi gjaku për analizë, jo se nuk ka mjaftueshëm gjak, por mezi i gjendet damari, prej të cilit duhet të merret gjakun. Në këtë cikël poetik motivet e imazheve emocionale e intelektuale subjektivizohen, pra bëhen alterego e poetit. Shumë poezi shfaqin shndërrimin e idesë lirike në përbrendësinë e subjektit lirik. Ja si shprehet poeti.
Të ndjeva brendapërbrenda si diçka të ngjashme
Ndërmjet trajtës së paqëndrueshme dhe identitetit. (f. 49)
Në këtë cikël poeti figurshmërinë e ligjërimit poetik e përzgjeron në sentencë metaforike, duke krijuar inversion semantik:
Gjurmët i dhuruan hije të mirë
Hënës, qiellit të alpeve tona
Çasti kur gjahu vrau gjuetarin. (f. 54)
Në ciklin “Orë e zhdeshjes” kemi gëlim metaforash kontekstuale (personale), si shpirti i trembur, pëlhurë e djegur, brumë i lig, portë e durimit, bardhësi e lënduar, litar i enigmës, aurë polare, përkundje e ëndrrës, flakë e hipnozës, etje e ëndrrës, dritë e ëmbël, koronë e mjerë, fluturim shpirti, parashutë e përflakur etj.
Intenca e poetit për një ligjërim lirik me dendësi figurshmërie sikur ia imponon aplikimin e simboleve dhe të metaforave konvencionale, si:guri i nxehtë, shqiponjë e qëndisur, duvak i kuq, qershi mbi tortë, fllad i lehtë, valë e jetës, fjollë e dëborës, zëri i zanës, leshi i arapit, shiu sixhim, çastet e ëmbla, thes i shqyer, lot i ngrohtë, gjuhë e ëmbël, shpresë e plagosur, lulja e kujtimit. Këto metafora duke qenë të rëndomta dhe të konsumuara tradicionalisht shpesh, sikur nuk i shkojnë për shtat hijeshisë së këtij libri, pra janë si një vijë e pakujdesshme makijazhi në fytyrën e zbukuruar.
Xhevat Muqaku efektshëm di ta përdorë edhe figurën e metonimisë, si në poezitë Çmallje dhe Këngë e Shkrelit. Në poezinë e parë metonimia kanjusha e verdhë nënkupton Jusuf Gërvallën, ndërsa në poezinë e dytë metonimitë karvani i bardhë dhe bibla e heshtjes nënkuptojnë autorin e librave me këta tituj, pra Azem Shkrelin.
Cikli i tretë, “Derisa t´i përtërij grafitet”, veçohet për nga imazhet e ndryshme erotike, refleksive, të natyrës, profesionit etj. Imazhet e Muqakut janë imazhe mendimi, të cilat realizohen përmes një flake përsiatjeje. Përsiatjet imazhiste të poetit realizohen përmes abstraktes së thellë. Erotika te poezitë Kërshëri në hije, Siluetë e engjëllit, Çast magjik, Hije në distancë, nuk mbulohet me vellot e epiteteve konvencionale, por me transcendencë mendimi. Në këtë cikël, si në të gjithë librin hasim kontrastin figurativ, siç është oksimoroni:akull i djegur, oazë e flakëruar, hije e skuqur, dritë e verbuar, lot i tharë, shi i thatë etj.
Të folurit lirik në këtë libër bëhet përmes një gjuhe të kujdesshme dhe mjaft të pasur, me një ritëm konstant të strukturuar bukur, si vargje dhe strofa. Receptimin për këtë përmbledhje do ta kisha përfunduar me mendimin e poetit dhe kritikut të shquar Adem Gashi, i cili njëkohësisht është redaktor i librit, që shprehet: “Shenja e parë e këtij vëllimi, mbushja intelektualiste, si rrallë te ndonjë bashkëkohës i tij, vjen e bëhet vlerë estetike dhe përmbajtësore”. Kësaj shenje them se i rri bukur metafora e Daniel Golemanit: inteligjenca emocionale. Ndaj mund ta lexojmë edhe në variantin alternativ: emocionet inteligjente.