Vëmendja në Gjilan, paralajmërohet një derbi i jashtëzakonshëm
Gjilani dhe Drita do ta zhvillojnë derbin e radhës të dielën në kuadër të xhiros së shtatë në IPKO Superligën e Kosovës. “Skifterat” dhe “Intelektualët” kanë paralajmëruar spektakël në tribuna, kurse Finsik Papuqi dhe Fidan Gërbeshi paralajmërojnë spektakël dhe rivalitet të madh në fushë.
Derbi më i madh në futbollin e Kosovës në mes të Gjilanit dhe Dritë zhvillohet të dielën në orën 15:30. Të dyja skuadrat kanë bërë të gjitha përgatitjet dhe në këtë ndeshje synojnë ta marrin maksimumin e pikëve, derisa edhe tifozët “Skifterat” dhe “Intelektualët”, përveç përgatitjeve, kanë gjetur kohë edhe ta thumbojnë njëra-tjetrën. “Intelektualët” e kanë vlerësuar Gjilanin skuadër të pabarabartë për Dritën dhe e kanë akuzuar se e ka “ADN”-në në Serbi, kurse “Skiferat” i kanë quajtur kundërshtarët e tyre nga Gjilani si “minoriteti” i qytetit dhe një tifogrup tashmë i shuar.
Futbollisti nga Peja, Fisnik Papuqi, është shfaqur tejet i matur kur ka folur për ndeshjen ndaj rivalëve të Dritës. Mbrojtësi pejan ka thënë se është mëkat shumë i madh që stadiumi në Gjilan nuk është më i madh, pasi i gjithë qyteti do të ishte i pranishëm në ndeshjen derbi që zhvillohet ditën e diel. “Fillimisht desha t’i falënderoj të gjithë qytetarët e Gjilanit ,‘Skifterat’ dhe ‘Intelektualët’, që me një fanatizëm të madh e ruajnë derbin e qytetit. Ky është i vetmi derbi që ka mbetur në shtetin tonë, që sjell një atmosferë shumë të zjarrtë dhe është mëkat se stadiumi nuk është më i madh, se i gjithë qyteti do të ishte aty. Sa i përket ndeshjes, si çdo derbi tjetër, edhe ky është mjaft i vështirë. Ne jemi duke u përgatitur maksimalisht që të dalim me rezultat sa më të mirë, por për rezultat do të ishte mirë t’ia lëmë fushës”, ka thënë Papuqi për “Epokën e re”.
Ndryshe nga Papuqi, Fidan Gërbeshi i Dritës është treguar më i drejtpërdrejtë lidhur me rezultatin e ndeshjes ndaj Gjilanit. Mbrojtësi shtatlartë për gazetë ka thënë se futbollistët e Dritës do ta japin maksimumin për të shënuar fitore, kurse ka ftuar edhe tifozët “Intelektualët” të jenë në numër sa më të madh në stadium. “Të gjithë e dimë se ky është ndër tre apo katër ekipet më të mëdhenj në Ballkan, prandaj dëshira e futbollistëve për fitore është e madhe. Ne kemi pasur një ngecje, por pas fitores ndaj Prishtinës dhe me një fitore tjetër do të hyjmë në serinë e rezultateve pozitive. Kërkoj nga ‘Intelektualët’ të jenë në numër sa më të madh për të na përkrahur, kurse maksimumi nga ne nuk do të mungojë”, ka thënë Gërbeshi. Të dielën zhvillohet edhe një tjetër ndeshje derbi, ku takohen Prishtina dhe Flamurtari në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 18:45.
/Veton ZYMBERI/