Vëmendja te ndeshja Besa – Vushtrria
Për shkak të angazhimeve evropiane të Istogut dhe Samadrexhës, në fundjavë zhvillohen vetëm dy ndeshjet të xhiros së pestë të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave. Të dielën nga ora 13:00 në Pejë takohen Besa e Vushtrria, ndërsa nga ora 17:00 në Ferizaj është takimi Kastrioti – Prishtina.
Derisa Kastrioti llogaritet favorit i madh ndaj Prishtinës, rivalitet pritet në ndeshjen Besa – Vushtrria. Besa e Pejës ka dy fitore e një humbje deri më tani. Mban pozitën e katërt në tabelë. Vushtrria ka vetëm një fitore, ndërsa ka pësuar tri humbje. Vushtrriaset udhëtojnë në Pejë për dy pikë, por te Besa janë të vendosur të ndalin pikët për vete. Ndeshjet Samadrexha-Tereza dhe Shqiponja-Istogu zhvillohen më vonë. Në Ligën e Parë të hendbollisteve është java e tretë. Vjosa-Dukagjini, KEK-u-Ulpiana, Llapusha-Prizreni, Trepça-Jusuf Gërvalla, Vëllaznimi-CLICK janë ndeshjet e kësaj xhiroje.