Vëmendje! Ndryshime taktike në gjeopolitikën serbe
Shkruan: Hajdin Abazi
Serbia po bën një ndryshim qasjesh dhe politikash, të cilat, qartësisht shpërfaqin një ndryshim taktik në gjeopolitikë; është ndryshim taktik sepse për shovinizmin serb strategjia gjeopolitike ka qenë thuajse e përcaktuar në anën kundër Perëndimit. Në këndqasjen time, shovinizmi serb ka flirtuar me perëndimin vetëm si përpjekje për të përfituar benefite të ndryshme, por mbi të gjitha për ta lajthitur atë gjoja për përpjekje properëndimore, ndërkohë që me veprime e sjellje dhe politika destruktive në rajon ishte pjesë integrale e gjeopolitikës ruse. Gjithsesi perëndimi i ka ditur ose i ka presupozuar këto manovra politike, por ka ushqyer shpresën se megjithatë mund të atrahohet për t’u futur në gjeopolitikën perëndimore, përmes koncesionesh të ndryshme dhe jo të pakta realisht, përmes anëtarësimit në Këshillin e Evropës (KiE), dhe procesit të integrimit në mekanizmat e BE dhe madje edhe bashkëpunimi me NATO-n. Kjo, sepse është në interesin e perëndimit që të mos lejojë një agresion tjetër në Ballkan që do të ishte një minim i unitetit evropian. Për një kohë, dukej sikur Vuçiq po rikonfigurohej në mënyrë të rafinuar për t’u rrjetëzuar me frymën dhe vlerat perëndimore, por pastaj, nga shtytje të ndryshme, ai nuk mundi të vazhdojë më të ulet në të dyja karriget, dhe kohëve të fundit po vërehet një kundërvënie, si deklarativisht ashtu edhe me veprime, ndaj perëndimit. Kjo bie në sy nga retorika e tij e hapur antiperëndimore, duke i quajtur mashtrues, gënjeshtarë, antiserb, pro-Kosovë etj.
*
Se shovinizmi serb, në krye me Vuçiq, po përpiqej t’ia hidhte perëndimit, në shumë qëndrime e veprime mund të argumentohet kjo gjithandej në Ballkanin Perëndimor, por sidomos në Kosovë ajo është krejt e hapur.
Përderisa në Bosnjë-Hercegovinë ishte Dodik ai që vepronte si institucion i një shteti, dhe në Mal të Zi tash në emër të Kuvendit e mbase edhe të Qeverisë, në dukje pa ndikim të drejtpërdrejtë nga Beogradi, në raport me minoritetin serb në Kosovë ndikimi i Beogradit ishte krejtësisht i hapur dhe publik. Lista serbe, në vitin 2014, u krijua nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Beogradit dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite të dirigjohet nga atje, duke u thirr në interes të minoritarëve serbë e në fakt duke u instrumentalizuar tërësisht në shërbim të interesave shoviniste.
Se sa larg mund të shkojë verbëria shoviniste mund të kuptohet nga përpjekja për të nxitur një kryengritje të minoritetit serb në shtator të vitit 2023, veprim ky i cili jo vetëm cenoi integritetin e Kosovës, lirinë dhe paqen e saj, por edhe vetë NATO-n, pasi që ajo e ka përgjegjësinë për sigurinë e kufijve dhe ishte një agresion i orkestruar pikërisht nga Beogradi dhe erdhi nga brenda territorit të Serbisë.
Pasi kjo tentativë dështoi (me gjithë se ka mjaft mistere se si arritën të tërhiqeshin paq pjesa e mbetur e agresionistëve në Serbi, pra se a ia bëri të mundur tërheqjen Qeveria e Kosovës për të mos shkaktuar një gjakderdhje që i konvenonte realisht vetëm Beogradit dhe në rast se ishte kjo – që ligjërisht jo por politikisht mund të ketë kuptim, atëherë duket se ne nuk e kemi shfrytëzuar këtë sa ka qenë e mundur për t’i treguar botës përgjegjshmërinë tonë për të evituar një kasaphanë; nëse jo nga Qeveria sikurse ajo pretendon, atëherë misteri bëhet edhe më i madh – nga kush? Njësia Speciale e Kosovës nuk arriti t’i ndiqte e t’i kapte? Apo u bë me qëllim evitimi të një ndërhyrje ushtarake serbe – nga kush? Nga KFOR-i, ELUEX-i? Ka pra shumë mungesë të dhënash që të mund të arrihet në një zbardhje të së vërtetës), Perëndimi i bëri trysni të ndryshme dhe të shumëanshme Serbisë për arrestimin e terroristëve, duke ia bërë të qartë se nuk tolerohet veprimi agresionist. Dhe Kosova luajti deri diku me këtë kartë. Beogradi u mundua të lë përshtypjen sikur do të ndiqte një rrugë të moderuar në politikë (duke larguar ministrin e brendshëm Vulin). Akti agresionist i shtatorit 2023 do të jetë një gur mëkati që do t’i rëndojë shovinizmit serb, ose për ta bërë të këndellet ose të plandoset.
*
Një rrethanë tjetër që pati ndikim ishin zgjedhjet (janar 2024) në Serbi, të cilat nga perëndimi përgjithësisht e nga BE dhe Gjermania posaçërisht, u kritikuan si të manipuluara, dhe kështu pushteti i Vuçiq u tipizua si jolegjitim, dhe kjo ishte një sfidë që e bëri atë të sillej me dinakëri, për t’i treguar perëndimit se ai është “bosi” dhe se ai është që mund të hyjë në transaksione në emër të shtetit serb dhe madje edhe të të gjithë serbëve, porse një “bos” i gatshëm për lëshime e kompromis po qe se do të lihej qetë në pushtet.
Një ndikim kishte, gjithsesi fakti se Kosova ndodhej në prag të votimit në Këshillin e Europës (KiE), ku edhe u votua pro-pranimit. Përpjekja shoviniste ishte e shumëkahshme. Qyshkur Vuçiq kishte shpallur një aksion diplomatik, për të penguar Kosovën në integrimet ndërkombëtare, e duket se konkretisht ishte në fokus pikërisht anëtarësimi në KiE. Në anën tjetër, u pa se kishte mobilizuar deputetët serbë jo vetëm të Serbisë, por edhe të BeH dhe të Malit të Zi, që të votonin kundër.
Kosova u votua me shumicë të madhe për anëtarësim në KiE. Me këtë rast, në lojë ishin shumë qasje, fërkime dhe tensione të hapura, të fshehura dhe të heshtura. Serbia synonte që përmes mosvotimit pro Kosovës të përfshinte në qerren e vet edhe të tjerë në mosnjohjen e shtetit të Kosovës si realitet dhe do të ishte një fuqizim i pozitave të saj kundër Kosovës. Krahas këtyre rrjedhojave të drejtpërdrejta, në prapaskenë ishte diçka e madhe, e ndërlidhur me të natyrisht, që duke e lajthitur shumicën evropiane kundrejt Kosovës, t’i krijonte një terren jo vetëm shovinizmit serb por edhe, dhe gjithashtu, gjeopolitikës ruse, pasi që Evropa do të kurthohej në një qëndrim të gabuar, dhe do të binte pre e mashtrimit shekspirian të Beogradit.
Votimi me më shumë se dy të tretat pro Kosovës (nga 171 delegatë, 131 votuan për, 29 kundër dhe 11 abstenime), shpërfaqi një vetëdije të lartë politike të deputetëve evropian sa për shovinizmin serb aq edhe për ndikimin rus i cili është i pakalueshëm në Evropë. Mund të thuhet se ishte, në një farë mënyre, një betejë politike midis dy gjeostrategjive – asaj perëndimore dhe asaj ruse. Por ka disa indikacione interesante, ata që votuan kundër, krahas serbëve, i bënë një shërbim të gjeopolitikash antiperëndimore, me vetëdije ose jo, gjë që Evropa duhet t’i ketë në vëmendje, sepse me rritjen e trendit të fitoreve në zgjedhje të ekstremistëve të djathtë, në disa raste edhe drejtpërdrejtë nën ndikimin rus, gjendja mund të rrëshqasë në kahun jo të duhur. Tashmë është brengosëse informacioni mbi rrjetin e spiunazhit rus në disa vende të BE-së.
Në këtë mes, lidhur me votimin për në KiE, Kosova kishte bërë aq sa mund të bënte, duke inicuar çështjen e hektarëve të Manastirit të Deçanit. Për fatin tonë, interesat e Kosovës janë në linjë të njëjtë me interesat e vendeve perëndimore, që prej kursit të hapur pro-perëndimor dhe demokratik të instaluar qysh në dekadën e fundit të shekullit XX, prej nga u derivua qëndrimi i qartë dhe i pamëdyshje kundër agresionit rus në Ukrainë, dënimit krahas kombeve paqedashëse dhe vënies së masave ndaj Rusisë si preventivë për të ndaluar agresionin e saj, prandaj dhe ishte një mbështetje aq e gjerë. Përndryshe, përtej konditave politike, Kosova kaherë i kishte plotësuar kushtet për anëtarësim në KiE po se po por edhe në BE.
*
Qëndrimi serb prej Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE, u përballë me qëndrimin perëndimor, që është për paqe dhe zgjidhje të qëndrueshme, dhe për t’i shtyrë proceset në këtë drejtim.
Pikërisht kjo i tërboi shovinistët. Dështimi i tyre nuk ishte vetëm në votim, por edhe në stilin shovinist serb të mashtrimit, ju dështoi “gënjeshtra serbe”. Dhe nga kjo, ata kuptuan se Perëndimi e ka kuptuar dredhinë e tyre politike dhe nuk do të bie në kurthin e tyre.
Shantazhi, kërcënimi dhe dredhitë, asnjëra veç e veç e as bashkërisht, nuk pijtën ujë. Perëndimi i tregoi se nuk mashtrohet. Ai mund të ishte tolerant për të krijuar kondita të favorshme për ata që duan të reflektojnë e të ndryshojnë, por kishte një kufi.
Krahas kësaj, kërkesat e vazhdueshme për dënimin e terroristëve të shtatorit 2023 e për më tepër – edhe nisma për rezolutën në OKB për gjenocidin serb në Srebrenicë, janë veprim që po i tregohet Serbisë se aty ku cenohet siguria nuk ka tolerancë më, dhe se krimi, si në rastin e Bosnjës, edhe pas tre dekadash – nuk mbetet i pandëshkuar.
I përballur me këtë presion, mbase edhe i ndikuar nga rrethana të tjera dhe aleati gjeostrategjik, Vuçiq ndryshoi sa retorikën aq edhe sjelljet politike.
Një prej përpjekjeve të radhës mund të jetë tërheqja e njohjes nga Mali i Zi, ku ka krijuar një epërsi shovinizmi serb në Kuvend dhe në Qeveri, ndonëse mund të përballet me qëndrimin e faktorit shqiptar në pushtet, sa ta bëjë të rrëzueshme qeverinë me dominancë serbe.
Një tjetër veprim, është ai i destabilizimit të Bosnjë-Hercegovinës përmes Dodik, i cili tashmë haptas po trumbeton një separatizëm, një ndarje të Republikës Serbe nga Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës, kurse Serbia ka qëndrime irridentiste, që punon në çdo mënyrë për të aneksuar territore të shteteve të tjera, nëse jo publikisht, me veprime e nxitje po. Madje, bashkërendimi është publik midis Dodik dhe Putin, Dodik me Vuçiq, dhe kisha Ortodokse Serbe, duke qenë në frekuenca të njëjta tensionnxitëse dhe luftëshkaktuese.
Në të gjitha këto, veprimet janë disa dimensionëshe: kundër vendeve të caktuara të Ballkanit Perëndimor si veprim i drejtpërdrejtë, e në fakt i orientuar kundër Perëndimit dhe pro Rusisë.
*
Kur Vuçiq shkoi në Paris në prag të votimit në KiE për anëtarësimin e Kosovës (16 prill 2024), dhe u takua me presidentin Macron, u la përshtypja e një përpjekje kundër Kosovës. Shpejt u bë e qartë se kishte edhe një prapaskenë dhe objektiv tjetër – blerjen e aeroplanëve luftarakë. Dhe me sa duket ishte e dobishme për Francën një biznes milardësh, ndaj dhe i qe pohuar shitja. Vuçiq u kthye si triumfatorë: do të humbte në KiE, por do të fitonte ushtarakisht. Por shpejt u bë e qartë edhe publikisht, se SHBA i kishte refuzuar shitjen e avionëve të tillë luftarak Serbisë. Dhe Franca, u tërhoq, duke vënë ca kondita, të cilat në rrethanat e tashme nuk mund t’i plotësojë Serbia.
Edhe njëherë, kështu, u dëshmua se Perëndimi më shumë se fitimin, se tregtinë dhe miliardat e ka lirinë, paqen dhe stabilitetin.
Po Serbia, përse po donte vallë të blinte avionë kaq të sofistikuar? Për se do t’i përdorte? Kundër kujt?
E pra, dihet botërisht, se Serbia nuk është e kërcënuar nga askush, sepse asnjë vend fqinj nuk ka shprehur ndonjë pretendim territorial ndaj Serbisë.
Mbeteshin dy mundësi, të paktën. Njëra që Serbia t’i përdorte kundër ndonjë vendi fqinj – Bosnjë-Hercegovinës apo Kosovës. Në të dyja rastet ngërthehej dhe mundësia e dytë, që ata të përdoreshin kundër perëndimit, pasi që në të dyja vendet janë forcat e perëndimit që janë përgjegjëse për paqen dhe sigurinë. Një opsion i tretë mund të ishte që Serbia t’ia stërshiste ndonjë shteti tjetër antiperëndimore.
Ishte një veprim i drejtë që nuk ju shitën, ose që u pezullua ekzekutimi i shitjes së aeroplanëve, pasi që kështu perëndimi nuk e furnizoi një ushtri të drejtuar nga shovinizmi me armë të sofistikuara.
*
Nevoja për armatim të sofistikuar nga ana e Serbisë, e cila edhe ashtu është pajisur me qindra e ndoshta edhe mijëra dronë nga vende si Irani, Kina e Rusia, duket se ishte në funksion të një strategjie globale.
Pikërisht kur Serbia me nxitim po përpiqej të siguronte aeroplanët Rafale nga Franca, u bë publik fakti se Irani do të sulmonte Izraelin, si hakmarrje ndaj luftës izraelite kundër palestinezëve në Gaza.
Dhe sulmi ndodhi (15 prill 2024). Por, ai u zmbraps me sukses të jashtëzakonshëm. Rreth 400 dronë e raketa të ndryshme u goditën në qiell, dhe nuk u shkaktua dëm në Izrael. U mor vesh se këtu bashkëvepruan Izraeli, SHBA, Franca, Britania e Madhe, Egjipti e ndonjë vend tjetër, që e bënë të dështojë sulmi iranian ndaj Izraelit.
Me këtë veprim, Perëndimi amortizoi një përpjekje për të shkaktuar një luftë në Lindjen e Mesme, dhe me këtë edhe një amortizim përpjekjes gjeostrategjike ruse (mbase edhe kineze) për të ndezur një vatër tjetër lufte.
Kjo do të duhej t’i kishte dhënë një leksion edhe Serbisë, se një sulm ndaj një vendi ku përgjegjësia e sigurisë është edhe e Perëndimit, do të përballet me një bashkërendim të NATO-s dhe të shteteve tjera që nuk duan luftë. Dhe fundi i saj do të jetë dështimit.
*
Megjithatë, Serbia duket se ka marrë një kurs të caktuar politik. Kursin e largimit nga Perëndimi, kësaj radhe krejt hapur. Kjo mund të dëshmohet thuaja nga të gjitha veprimet, qëndrimet dhe deklaratat. Ajo po ndryshon taktikat ndaj Perëndimit në përgjithësi, e ndaj rajonit konkretisht.
Të gjithë parametrat tregojnë se Serbia po përgatitet për një gjendje lufte, të cilën, në fakt, përpiqet ta shkaktojë vetë ajo. Dhe kjo mund të jetë e vërtetë, në shërbim të gjeopolitikës antiperëndimore dhe është e tillë edhe po qe se është vetëm retorikë, ose mund të jetë blof, si përpjekje për ta shantazhuar SHBA dhe BE.
Fjala vjen, rokadat që Vuçiq bëri në pushtet me dy prej njerëzve të tij më besnikë, duke vendosur ministrin e mbrojtjes në pozitën e kryeministrit, kryeministren në atë të krye parlamentares tregoi se po i vendos në pozitat kyçe njerëzit e vet besnikë, për të cilët mjafton një shenjë që të veprojnë dhe nuk janë tjetër përpos zëdhënës të tij.
Krahas kësaj, Vuçiq vendosi të shkelë hapur zotimet e tij dhe marrëveshjet me SHBA dhe BE. Veprimi i hapur kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE ishte një shkelje e hapur e marrëveshjes së Brukselit dhe shtesës së saj të Ohrit. Ai ishte zotuar se do t’i përfillte dhe do t’u përmbahej atyre, por si gjithherë, ai nuk e mban fjalën dhe i shkel zotimet e bëra. Ky është jo vetëm pozicionim por edhe veprim kundër SHBA dhe BE.
*
Dhe veprimi i fundit, i daljes kundër përpjekjeve të SHBA-BE lidhur me minoritetin serb të Kosovës.
Kosova për të treguar vullnet të mirë dhe gatishmëri që të jenë në frekuenca të njëjta me SHBA-BE, të cilët i kërkuan decidivisht gjetjen e zgjidhjeve legjislative për të bërë të mundur mbajtjen e votimit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të komunave të veriut. Kosova bëri një presedan, dhe bëri sikundërse i thanë aleatët perëndimorë.
Çfarë ndodhi?
Këto votime u bojkotuan nga serbët lokalë, nën trysninë e Beogradit dhe instrumentit të saj Listës serbe.
Motivet e bojkotit janë çuditërisht të ngjashme më 21 prill 2024, sikundër ishin më 14/15 shkurt 2012. Tash u tha se “serbët nuk duan të jenë nën pushtetin e Kurtit” asokohe thuhej se “serbët nuk duan të jenë nën pushtetin e Thaçit”. Kjo ishte mënyra për ta luftuar etablimin e Kosovës si shtet duke mbajtur një vatër krize realisht artificiale por aktive, e njëherit dhe me këtë edhe i kundërvihej gjeopolitikës perëndimore SHBA-BE për këtë pjesë të kontinentit, por në mënyrë të kamufluar, nën pretekstin e gjoja mbrojtjes së minoritetit serb. Dhe perëndimi në veprime taktike lëshoi pe bukur shumë ndaj qasjes së këtillë të Beogradit, në disfavor të disa aspekteve të Kosovës, duke shpresuar se kështu do të bindej Beogradi për bashkërendim me SHBA-BE. Por Serbia, për shkak të rrethanave të ndërlikuara ndërkombëtare, ka mundësi manovrimi dhe të luajë në shumë letra njëherit.
Në anën tjetër, SHBA dhe BE kanë arritur t’i neutralizojnë shqiptarët e Luginës (Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë), ani se nga 12.06.1999 deri më 31.08.2001 luftuan me armë kundër shtypjes së egër të regjimit të Beogradit në përmbushje të referendumit të Luginës mbajtur më 1 e 2 mars 1992 për autonomi territoriale-politike me të drejtë për bashkime Kosovën; iu tregua prerazi se nuk ka perspektivë shkëputja nga Serbia dhe bashkimi me Kosovën. Intoleranca e SHBA dhe e BE ndaj ndryshimit të kufijve me luftë të armatosur, bënë që shqiptarët të kompromisojnë, t’i ulin armët dhe t’i binden aleatëve perëndimorë. (Është e qartë se një ndryshim kufijsh me armë nuk do ta lejojnë të ndodhë as për serbët, sepse do të hapej Kutia e Pandarës për shumë shtete të Evropës.)
Përderisa me shqiptarët e Luginës funksionoi rreptësia e aleatëve ani se gjendja e tyre faktike nuk është përmirësuar asgjë nga atëherë, madje vetëm çka është përkeqësuar, krejt taktikë tjetër ndoqën ndaj qasjeve shoviniste serbe, duke i toleruar dhe duke iu dhënë të drejta që shqiptarët nuk i kanë në atdheun e tyre në Luginë, si për shembull Flamurin kombëtar, historinë kombëtare dhe nuk kanë kuotë për shqiptarët që të përfshihen në parlamentin serb sikurse ka për serbët në Kosovë.
*
Gabimi taktik ndaj politikës shoviniste serbe nga perëndimi ishte tolerimi i interferimit të Beogradit në mënyrë të hapur në organizimin politik të minoritetit serb në Kosovë. Kjo mundësi u keqpërdor tej mase – duke kërkuar enklavizimin e komunave me shumicë serbe, krijimi i komunave të reja xhuxhe me shumicë serbe, ekstra territorialiteti i kishave ortodokse serbe e deri te Asociacioni; përmes këtyre veprimeve u bë e mundur vendosja e një tutorimi deri në orkestrim të hapur të qëndrimeve dhe veprimeve politike kundër Kosovës e kundër Perëndimit. Si pasojë, në vend të përmirësimit të gjendjes së minoritarëve serbë është një abuzim politik i pashembullt me ta nga ana e Beogradit zyrtar, duke i mbajtur ata me vite e dekada të vetizoluar, të enklavizuar dhe duke ju ushqyer intolerancën ndaj shqiptarëve dhe bashkëjetesës me ta në shtetin e Kosovës.
Është koha kur perëndimi duhet seriozisht të reflektojë, të ndryshojë kursin dhe të angazhohet me qasje tjetër ndaj Serbisë. Me bojkotimin e votimit më 21 prill 2024, Beogradi tregoi se është vazhdimisht dhe kurdoherë kundër çdo përpjekje të shqiptarëve po se po por edhe të SHBA e të BE për të gjetur një zgjidhje funksionale. Beogradi synon të krijojë një entitet etatist serb në Kosovë, që ta pengojë kurdoherë Kosovën dhe gjeopolitikën perëndimore në këtë pjesë. Dhe ky është minimumi, madje. Maksimumi, nga “kurrë nuk do ta njohim Kosovën si shtet” në “ta rikthejmë Kosovën nën Serbi”. Kjo vazhdimisht është trumbetuar dhe gabimisht është marrë nga perëndimi si retorikë e Vuçiq për mbetje në pushtet, sepse vazhdimisht janë bërë veprime në atë drejtim.
Ndryshimi i taktikës së veprimit, që më parë e kishte me veprime qytetare dhe veprim gjoja institucional nga brenda prej së cilës duket se tash për tash është hequr dorë, duket se e ka vënë në radhë të parë veprimin radikal, për çka flet edhe trajnimi i paramilitarëve në drejtim të Kosovës por edhe grumbullimi i forcave ushtarake serbe afër kufirit me Kosovën.
Rusia po i gëzohet veprimit aktiv të aleatit të saj në Ballkan, të cilin ka nisur ta mbrojë hapur kundër rezolutës për gjenocid në Srebrenicë, duke vendosur veto në Këshillin e Sigurimit. Kështu, në instancë botërore, shpërfaqet aleanca ruso-serbe.
*
Shenjat që po i shpërfaq, tashmë krejt hapur, Serbia janë ogur jo i mirë. Nuk është më fjala vetëm për manovra. Është fjala për veprime. Veprime të hapura kundër SHBA-BE.
Serbia gjendjen e alertit po e mban duke shpresuar në përkeqësimin e rrethanave ndërkombëtare, të krijimit të vatrave të reja të krizës, të përhapjes së luftës në Lindjen e Mesme dhe fort e dëshiruar për Beogradin një luftë e Kinës kundër Tajvanit, ashtu që të shpërndahen dhe shpërqendrohet vëmendja nga Ballkani Perëndimor dhe Serbia të mund të nxiste veprime agresioniste.
Në një moment dobësie të mundshme për NATO-n, Serbia nuk do të hezitonte të niste një sulm ndaj Kosovës, që automatikisht është edhe ndaj NATO-s, dhe ta godiste edhe vetë NATO-n. Kjo është një ëndërr neurotike e shovinistëve për t’u hakmarrë ndaj intervenimit të NATO-s në vitin 1999. Le të kujtojmë agresivitetin dhe përleshjen me grushte e shkopinj e gjësende të forta të një grushti demonstruesish serbë me ushtarët e KFOR-it që eskaloi edhe me përdorime armësh ndaj tyre në veri të Kosovës, prej nga pati edhe të plagosur ushtarë të KFOR-it. Kjo histori nuk duhet harruar, përkundrazi duhet analizuar dhe kuptuar se deri ku mund të shkojë Serbia pak po t’i jepet rasti.
Lobimi kundër dhe mobilizimi i serbëve në KiE kundër Kosovës, si dhe bojkotimi i votimeve më 21 prill 2024, tregon qartë se Beogradi dhe Lista serbe në bashkërendim u pozicionuan sa kundër Kosovës aq edhe kundër perëndimit. Dhe kjo po ndodhë në një kohë kur BE dhe SHBA janë në vit elektoral, si dhe kur në botë po yshten konflikte të ndryshme të armatosura.
Kjo që bëri Beogradi dhe Lista serbe me minoritetin serb është një gjendje e re, një realitet i konvertuar me diktat, por që duhet të merret parasysh. Trajtat e vjetra dhe qasjet stereotipike nuk vlejnë më. Duhet një qasje tjetër, një trajtim ndryshe dhe një zgjidhje që do të ngulfaste agresionin serb. A është e mundur kjo? Perëndimi i ka të gjitha predispozitat për këtë, por paraprakisht i duhet të kuptojë se qasja e deritashme ishte sterile, dhe të bindet se me sjellje si deri më tash vetëm i bëhet shërbim një gjeostrategjie tjetër. Kosova mundet të luajë ndonjë rol duke u bashkërenduar ngushtësisht para se gjithash me SHBA-në dhe me BE-në.
Rreziku shovinist serb nuk është fiktiv, ai është real.
Jam i bindur se pjesa dërrmuese e serbëve të Kosovës, sikur të mos ishin të shantazhuar dhe të kërcënuar, do të rreshtoheshin për paqe dhe bashkëjetesë, sepse asnjë minoritet në Ballkan nuk ka më shumë të drejta se sa kanë serbët në Kosovë – kurse shqiptarët në Luginë të Preshevës për nga të drejtat krahasuar me serbët e Kosovës duket sikur jetojnë në mesjetë!
Problemi, dhe sfida e madhe politike, për aleatët perëndimorë, është se si të gjendet zgjidhja për minoritarët serbë të Kosovës, tashmë duke eliminuar ose amortizuar instrumentalizimin shovinist. Që problemi minoritar është bërë kaq i mprehtë është edhe konsekuencë e mosveprimit adekuat të Perëndimit, por nuk është vonë dhe Perëndimi i ka resurset që të ofrojë daljen nga kjo gjendje, duke mos rënë përsëri pre e manipulimit shovinist; të ofrojë një perspektivë të vetme pa alternativë ashtu sikurse bëri me shqiptarët e Luginës së Preshevës në vitin 2001. Gjendja e kësaj Lugine është ende një ekuivalencë që mund të merret si referencë për të frenuar orekset shoviniste të Beogradit, ose për të ofruar zgjidhje alternative, jashtë kornizave të deritashme.