VENDBURIMI I HALLUAZITIT NË ARTANË

12 shkurt 2020 | 15:14

Mr.sc. Bislim L. Fetahaj, inxhinier i diplomuar i gjeologjisë

Minerali i halluazititi në Artanë, mineral i rrallë!

Në fushën mineralmbajtëse të Artanës krahas vendburimeve më përmbajtje të lartë të plumb-zinkut, argjendit etj. është konstatuar edhe vendburimi i halluazitit me sasi dhe kualitet shumë të lartë. Të dhënat e para të rëndësishme për praninë e halluazitit në vendburimin e Pb-Zn “Përroi i Ngjyrosur” në Artanë, janë dhënë nga prof.dr. M. Donat, gjeolog gjerman në vitin 1962

Ku gjendet vendburimi i halluzitit

Vendburimi i halluazitit është i lokalizuar në të njëjtin mes me vendburimin përkatësisht me minierën e Artanës. Zbulimi i këtij vendburimi lidhet me hulumtimet dhe punimet minerare për hapjen e minierës së Artanës në periudhën 1954-1964, ku janë zbuluar 500m korridor nëpër xehe të halluazitit dhe 100m shpim. Sipas këtyre hulumtimeve në horizontet e hapura është konstatuar prania e halluazitit nga sipërfaqja deri të kuota 680 (hor.VI), dhe me hapjen e horizonteve të reja është konstatuar vazhdimësia deri në horizontin e IX-të. Me studimet e më vonshme është vërtetuar se këtu kemi të bëjmë me vendburim te vërtet të halluazitit që sipas cilësisë dhe sasisë është mineral i rrallë. Halluaziti është mineral argjilor i grupit të kaolinit me formulë kimike Al4[(OH)8 SiO10 ](H2O)4 . Për veç elementeve kryesor të cilët hyjnë në përbërjen kimike si alumini, siliciumi, ujë, halluaziti përmban edhe elemente tjerë shtesë në këtë rast zink, kalcium, magnez, hekur, titan etj.

Ka ngjyrë të bardhë, të hirtë, të gjelbër, të verdhë, të kaltër ose të kuqërremtë. Varësisht nga elementi kimik shtesë mund të ndryshojë edhe ngjyrën. Në gjendje natyrale është i butë, me fortësi 1-2, dendësia 2.2. Në kontakt më ajrin e humb lagështinë dhe shkrifërohet. Është mineral ekzogjen, zakonisht është produkt i ndarjes së alumosilikateve. Në pikëpamje të formimit supozohet se halluaziti është formuar në temperature rreth 530C, ndërsa në pikëpamje gjenetike, halluaziti i Artanës lidhet me fazën e fundit të vullkanizmit në terciar.

Sipas punimeve minerare dhe shpimeve hulumtuese, konturat e sipërfaqes së trupave janë caktuar në horizontin: II, III, IV, V dhe VI. Në korridoret hulumtuese të cilat kanë kaluar nëpër mineralin e halluazitit, në atë kohë janë marrë shumë mostra e kampion në horizontet e cekura më lartë.

Këto mostra janë analizuar e studiuar në laboratorë të ish-Jugosllavisë. Nga analizat e atëhershme është përcaktuar përbërja kimike e më poshtme. SiO2=39.12%; Al2O3=37.74%; Fe2O3=0.37%; TiO2=2.02%; CaO=0.49%; MgO=0.25%; K2O=1.18%; Na2O=0.019%; S= 0.19%; H2O=7.15%

Mostra janë marrë edhe në horizontet e thella. Në bazë të analizave kimike të mostrave të marra nën horizontin e VI-të konstatojmë se cilësia e këtij minerali rritet me thellësinë, përkatësisht halluaziti me kualitet të lartë gjendet në horizontet VI, VII, dhe VIII.

Prerja vertikale e vendburimit “Artana”

Sipas shkallës së hulumtimeve dhe konturimeve të mundshme të trupave xeherorë të halluazitit vlerësohet se në vendburim ka diku rreth 2.500.000 deri në 3.000.000 (t) rezerva të mineralit të halluazitit.

Duhet theksuar se këto rezerva janë shumë herë më të mëdha dhe se perspektiva e këtij vendburimi është e madhe duke pas parasysh faktin se nuk janë bërë studime detale të veçanta për mineralizim të halluazitit, mandej në strukturën e vendburimit në shtrirjen e saj në drejtim të veriut shenjat e këtij mineralizime mund të përcillen edhe në sipërfaqe përtej lumit të Marecit në gjatësi përmbi 2000 metra.

Bazuar në shkallën e hulumtimeve dhe në karakteristikat kimike dhe teknologjike te këtyre mineralizimeve, konstatojmë se në ketë pjesë të vendburimit jo vetëm se ka rezerva xeherorit të halluazitit, por ka edhe rezerva të konsiderueshme të xeherorit të Pb-Zn dhe atë të kualitetit shumë të lartë. Më rëndësi të madhe është edhe fakti tjetër se minerali i halluazitit është konstatuar edhe në vendburimin e ,,Përroit të Thartë”, minierë e cila ka mbet në fazën e hapjes.

Pas lufte janë paraqitur kompani të ndryshme të cilat kanë qenë të interesuara për mineralin e halluazitit. Kanë marrë mostra të ndryshme, por nuk kanë kthyer rezultate. Interesim të madh kanë treguar gjermanët ku me vizita dhe takime të ndryshme kanë ofruar ndihmë dhe interes për marrje të mostrave të këtij minerali për analiza detale.

Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim ka financuar të gjitha shpenzimet për studim dhe analizë të halluaziti të Artanës. Dr. J.Schomburg, i specializuar për halluazite ka bërë disa takime më stafin menaxhuese të Trepçës dhe Kishnicës, me AKP-në.

Mandej profesori i nderuar ka bërë edhe disa vizita në minierë të Artanës. Kemi marrë mostra gjatë viteve 2014-2016 të cilat i kemi dërguar në Gjermani, në DURTEC GmbH. Të gjitha procedurat janë udhëheq nga profesori Schomburg.

Vlen të theksohet se mostrat janë marrë në mes të horizontit të tretë dhe të katërtë në hapësirat ku është duke u shfrytëzuar xeherori i plumb-zinkut. Kjo për faktin se horizontet e më poshtme janë të mbushura më ujë dhe është e pamundur të kemi qasje në pjesët e thella. Nga rezultatet e analizave komplekse të cilat u kryen në Gjermani (i posedojmë të gjitha analizat) del se halluaziti i Artanës është i kualitetit të lartë. Ky është një lajm i gëzuar për Kosovën në tërësi. Mesatarja e përbërjes së halluazitit është 95 për qind pastërti. Nga një tonë mineral halluaziti janë fituar 800kg produkt i pastër i mineralit të halluazitit. Nuk ka vendburim në Evropë me këto kualitete. Ka vetëm në Kinë. Kjo është perfekte.

Aplikimi

-Në industrinë e qeramikës si argjilë e papërpunuar-argjilë: prodhimi i pllakave, qeramikë teknike etj.
– Në industrinë e ndërtimit (hallojzit i kalcinuar >8000c ) aditiv për prodhimin e çimentos;
-Në agrikulturë (argjilë pluhur) aditiv për kondicionimin e plehrave dhe pesticideve;
-Në shencat materiale (argjilë pluhur) si mbushës funksional për gomë, plastikë, ngjyra, veshje, letër dhe tekstil (përmirësim i fortësisë mekanike, zvogëlim i peshës së mallrave, përmirësim i stabilitetit termik dhe rezistencës nga flaka, UV-mbrojtja, etj. DURATEC ka realizuar disa prova me produkte te halluazitit nga miniera e Artanës tek disa blerës-klient.

-Në Teknologjinë e pastrimit (argjilë granulat ndonjëherë edhe pluhur) – granolat absorbues për acide yndyrore, metalet e rënda, izotope radioaktive dhe komponentët e dëmshme të gazrave, trajtimi i biogazit dhe djegia e biomasës, në teknologjinë pastruese, në shkencën jetësorë, materiale shkencore etj. DURATEC ka realizuar disa prova me produkte te halluazitit nga miniera e Artanës tek disa blerës-klient.

-Në shkencat për jetën (pluhurat e argjilës për fitimin e të cilëve duhet trajtim i veçantë për të zvogëluar ndotësit metalik): kozmetikë, pajisje mjekësore, barna etj., DURATEC ka realizuar disa prova me produkte te halluazitit nga miniera e Artanës tek disa blerës-klient.

Aplikim të gjerë gjen në shkencën e Nanoteknologjisë e cila veç tjerash mundëson prodhimin e shumë materialeve dhe pajisjeve të një spektri të gjerë në fusha të medicinës, elektronikës, biamaterialeve, optikes, nanotubave etj.

Perspektiva e zhvillimit dhe veprimet e nevojshme

Perspektivë e re për Artanën dhe për gjithë ekonominë e Kosovës. Duhet urgjentisht të bëhen përgatitjet për investime në hulumtim dhe në infrastrukturë që krahas shfrytëzimit të mineralizimeve të plumb-zinkut të fillohet më shfrytëzim të mineralit të halluazitit në hapësirat ku kemi qasje do te thotë mbi horizontin e VI. Duhet të punohet edhe në largim të ujit nga horizontet tjera nën të VI-shtin. Kur të largohet ujë nga horizontet e përmbytura atëherë krahas shfrytëzimit duhet të bëhen edhe hulumtimet për zbulim të trupave të rinj të mineralit të halluazitit.

Të vazhdohen punimet minerare ne hapjen e minierave “Kaltrina” dhe “Përroi i Thartë”. Edhe në këto miniera, në korridore e shpime hulumtuese krahas xeherorrëve të plumb-zinkut janë has mineralizime të halluazitit.

Nuk duhet të shitët hallolojziti si mineral i papërpunuar. Kjo nuk është e leverdishme. Në bashkëpunim dhe bashkëfinancim më gjermanet të ndërtohen kapacitete përpunuese e finalizuese kjo do të ishte me dobi të shumëfishtë për Trepçën dhe për ekonomin e Kosovës. Për fazat e para të përpunimit mund të shfrytëzohen pajisjet e minierës se magnezitit ne Golesh. Vlen të theksohet se edhe për këtë minierë, Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim ka financuar projektin: “Zhvillimi Biznesor i Minierës së Goleshit”. Zgjohuni shqiptarë…

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi sot ka…