Vendet anëtare të BE-së mbështesin marrëveshjen me Britaninë e Madhe

28 dhjetor 2020 | 16:25

Të 27 vendet anëtare të BE-së kanë miratuar njëzëri marrëveshjen tregtare pas Brexitit me Britaninë e Madhe, duke hapur rrugën që ajo të hyjë në fuqi përkohësisht më 1 janar.

Ambasadorët e vendeve anëtare, u takuan në Bruksel më 28 dhjetor për të dhënë pëlqimin për marrëveshjen, e cila përcakton kornizën për tregtinë mes Britanisë së Madhe dhe BE-së, sapo Londra të largohet nga tregu i vetëm i BE-së dhe bashkimi doganor në fund të vitit.

Presidenca gjermane e BE-së tha se marrëveshja do të miratohet me shkrim nga të 27 qeveritë e BE-së, më 29 dhjetor, një ditë para votimit nga ana e ligjvënësve britanikë.

Parlamenti Evropian do të ketë kohë deri në fund të shkurtit për të votuar dokumentin.

Marrëveshja u arrit më 24 dhjetor, pas nëntë muajsh negociata të vështira midis Londrës dhe Brukselit, duke lënë shumë pak kohë që ajo të ratifikohet deri më 31 janar.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, e mirëpriti miratimin e marrëveshjes përmes një telefonate me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel. “Ne mezi prisnim ratifikimin zyrtar të marrëveshjes në mënyrë që të punojmë së bashku në përparësitë e përbashkëta, të tilla si trajtimi i ndryshimit të klimës”, ka shkruar Johnson në rrjetin social “Twitter”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruar nga: Andy Apolloni , New York – Papa Jorgji…