Vendet arabe mobilizohen kundër Iranit
Mbreti Salman i Arabisë Saudite gjatë një samiti të liderëve arabë në Mekë, i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të përdorë “të gjitha mjetet për të ndaluar regjimin iranian që të ndërhyjë në punët e brendshme të vendeve të tjera”.
Mbreti në fjalimin e tij, ka akuzuar Iranin për “strehimin e subjekteve terroriste globale dhe rajonale dhe kërcënimin e trafikut ujor ndërkombëtar”.
Samiti në qytetin e shenjtë të Mekës, ka ndodhur pasi tensionet ndërmjet Iranit dhe Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj arabë po rriten, duke shtuar frikën për mundësin e një konflikti të armatosur.
“Irani duhet të respektojë sovranitetin e shteteve arabe dhe të ndalojë ndërhyrjen në vendet tjera. Irani po kërcënon sigurinë dhe stabilitetin në rajon”, kanë thënë udhëheqësit arabë, në një deklaratë të lexuar nga sekretari i përgjithshëm i Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit.
Arabia Saudite si vend me shumicë sunite, është një rivale e Iranit me shumicë shiite. Të dyja vendeve synojnë ndikimin në rajon.
Tensionet janë rritur, pas sulmeve në transportuesit e naftës jashtë brigjeve të Gjirit Persik, për të cilat shumë shtete arabe dhe ShBA-ja kanë fajësuar Iranin. Në anën tjetër, Irani ka mohuar përfshirjen në incident. ShBA-ja ka rritur prezencën e saj ushtarake në rajon.
Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, ka thënë se Irani ka sulmuar transportuesit e naftës jashtë brigjeve të Emirateve të Bashkuara Arabe në një përpjekje për të rritur çmimet e naftës.
“Këto ishin përpjekjet e iranianëve për të rritur çmimin e naftës së papërpunuar anembanë botës”, u ka thënë Pompeo gazetarëve më 30 maj, përpara se të niste në një udhëtim në Evropë.
Më parë, këshilltari amerikan për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Bolton, ka thënë se prova që tregon se Irani ishte pas sulmeve do të paraqitej në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara javën e ardhshme.
Gjithashtu më 30 maj, përfaqësuesi special i ShBA-së për Iranin përsëriti një paralajmërim të Uashingtonit se ShBA-ja do të përgjigjet me forcë ushtarake nëse Teherani sulmon interesat e veta apo ato të aleatëve të saj.