Vendet e BE-së pajtohen që Lajçakut t’i zgjatet mandati edhe për 18 muaj

20 qershor 2022 | 13:05

Vendet e Bashkimit Evropian do të pranojnë që të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, t’i zgjatet mandati edhe për 18 muaj.

“Radio Evropa e Lirë” mëson nga burimet diplomatike në Bruksel se në takimet e përfaqësuesve të vendeve anëtare asnjë shtet nuk e ka kundërshtuar vazhdimin e mandatit të Lajçakut.

Tash mbetet të kryhet vetëm pjesa formale. Kështu, ish-ministrit të Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajçak, pritet t’i vazhdohet mandati deri më 1 prill të vitit 2024.

Ai kishte nisur mandatin fillimisht njëvjeçar në prill të vitit 2020. Pastaj i ishte vazhduar mandati edhe pas 1 prillit 2021, për 18 muaj.

Vazhdimi i ri prej 18 muajve shtesë, i cili pritet të konfirmohet edhe formalisht këto ditë në Bruksel, do të bëjë që Lajçaku të jetë në këtë post gjithsej katër vjet.

Ndonëse nga disa shtete të BE-së është shprehur pakënaqësi për shkak se në vitet e fundit nuk ka pasur progres konkret në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, asnjë shtet nuk e ka kundërshtuar vazhdimin e mandatit të Miroslav Lajçakut dhe ekipit të tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë…