Vendet e Quintit i kërkojnë Kosovës të përqendrohet në luftën kundër koronavirusit
Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, të njohura si vendet e Quintit, u kanë bërë thirrje udhëheqësve institucionalë dhe politikë në Kosovë që të përqendrohen në luftën kundër sëmundjes COVID-19.
“Në momentin e vështirë si ky, u bëjmë thirrje të gjithë liderëve institucional dhe politik që të përqëndrohen në COVID-19 duke respektuar dispozitat Kushtetutese dhe autoritetin që u është besuar atyre përmes Kushtetutës. Në këtë moment kritik, i nxisim ata të ruajnë dhe sigurojnë integritetin dhe funksionalitetin e qeverisë dhe institucioneve të Kosovës dhe të japin përparësi luftës kundër COVID-19 në Kosovë e jo politikës, duke ju kujtuar se vendet tona kanë marrë të gjitha masat të jashtëzakonshme në këtë drejtim”, thuhet në deklaratën e përbashkët të ambasadave të vendeve të Quintit.
Të hënën, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për kufizim të lëvizjes së qytetarëve disa orë në ditë, si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.
Por, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka kundërshtuar këtë vendim dhe e ka dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.
Në Kosovë janë komfirmuar 61 raste të të infektuarve me koronavirus, ndërsa një pacient ka humbur jetën.