Vendi i dytë në Spanjë trimëron Hamiltonin: Tani radhën e ka fitorja
Vendi i dytë që Lewis Hamilton arriti të dielën në garën e Spanjës ka rikthyer optimizmin te piloti britanik.
Shtatë herë kampioni i botës në Formula 1 ka mbetur i kënaqur nga paraqitja e makinës Mercedes, që në këtë garë ishte forca e dytë pas Red Bull, duke lënë pas Aston Martin e Ferrarin.
“Jemi të kënaqur nga rezultati. Natyrisht që fitorja është objektivi kryesor, por ishim dy pilotë të Mercedes në podium (Russell u rendit i treti). Duket se risitë që kemi sjellë dhanë rezultatin e duhur, sidomos pas sa i përket degradimit të gomave, pasi i menaxhuam ato më mirë”, ka thënë Hamilton.
“Jemi para Aston Martin dhe kjo ishte një surprizë për ne, pasi tregon se jemi në rrugën e duhur për sa i përket zhvillimit të makinës. Shohim më në fund pakëz dritë në fund të tunelit, por duhet ende punë për të shkuar sa më shpejt aty”, ka deklaruar Hamilton, që mori 18 pikë që e ngjitin në vendin e katërt të renditjes për pilotë, pas Verstappen, Perez e Alonso.