Vendi i tyre në luftë, por 40 ushtarë ukrainas ruajnë paqen në Kosovë
Ukraina ka 40 ushtarë më pak për të luftuar kundër Rusisë meqë ata i ka të dërguar në Kosovë, në kuadër të KFOR-it, si shtet aleat i NATO-s.
Këtë të enjte, Rusia ka filluar sulmin ndaj Ukrainës me shpërthimet e para që janë dëgjuar para agimit në Kiev, Kharkiv dhe Odesa. Ukraina këtë e ka cilësuar si “luftë në shkallë të gjerë” derisa ka kërkuar nga Perëndimi që veprojë me kohë.
Ukraina ka 200 000 forca aktive për dallim nga Rusia që ka 850 000. Numrin e forcave rezerviste prej 250 000 e kanë të njëjtë dy vendet që sot ndërprenë marrëdhëniet diplomatike. Por, Rusia është në epërsi shumë më të madhe edhe në forcat paraushtarake, e cila numëron 250 000 trupa, ndërsa Ukraina ka 50 000.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, sot ka bërë me dije se do të ofrojë armë për të gjithë ata ukrainas që duan të mbrojnë vendin e tyre.