Vendi ku unë jetoj, Vragoci me 20 shtëpi
Shkruan: Fatjona Berisha
Fshati Vragoc ku unë jetoj gjendet në periferi të Pejës, një vend i vogël por me karakteristika të mëdha. Është i rrethuar nga fusha, male dhe lumin: ‘’Lumbardhi’’ apo Bistrica, me një larmishmi pemësh dhe kulturash të ndryshme, të cilat ofrojnë një pejzash tejet të bukur natyror. Një fshat me rreth 20 shtëpi dhe me një numër të vogël banorësh ku lirisht mund të them se konsiderohet si fshat i vogël, ku për 50 vitet e fundit janë ndërtuar shumë pak shtëpi ndërsa kanë ndodhur edhe migrime të shumë familjeve në shtetet Perëndimore. Për sa i përket veprimtarive që janë zhvilluar më së shumti janë: bujqësia dhe blegtoria. Po ashtu, ka pasur edhe një kooperativë bujqësore, ku jo vetëm fshati ynë por edhe fshatrat përreth janë furnizuar me mjete bujqësore, mirëpo ajo nuk është më funksionale ngase shumica e mjeteve janë shitur. Ashtu si dikur, edhe në ditët e sotme veprimtaria kyçe dhe më fitimprurëse e shumicës për banorët e fshatit tim është Bujqësia.
Qendra e zanateve tregim i harruar i emancipimit të gruas
Në kohën e pasluftës, gratë e fshatit kanë pasur një qendër të tyre, e cila qendër ka pasur funksione edhe role të ndryshme. Aty gratë dhe vajzat kanë pasur mundësi të marrin një zanat që ato e kanë dëshiruar ta zhvillojnë si: në art, gjuhë angleze, parukeri, rrobaqepësi, por kanë punuar edhe me vekë qilima të ndryshëm, çanta, dhe pastaj ato i kanë shitur sipas kërkesave në treg. Me një fjalë ajo qendër e grave u konsiderua si `vatër` e emancipimit të grave të fshatit. Ka funksionuar për një periudhë të gjatë, por fatkeqësisht edhe kjo është mbyllur në vitin 2006 për shkak të mungesës së financimit nga organizatat e huaja ndërkombëtare. Megjithatë, mendoj që në të ardhmen me anë të ndonjë projekti fitimprurës mund të bëjmë përpjekje që të funksionalizohen përsëri këto veprimtari të cilat do të ishin në dobi të grave dhe familjeve të tyre.
Lumi Lumbardh vend i peshkimit
Krahas specifikave të tjera, një ndër veçoritë më karakteristike të cilat e karakterizojnë vendlindjen time është lumi Lumbardh. Ky lum është i pasur me peshq të ndryshëm, ku edhe peshkimi si veprimtari e gjuajtjes se peshqve nuk mungon, edhe pse fatkeqësisht edhe kjo veprimtari po keqpërdoret nga grupe të ndryshme të cilët vijnë nga vende të ndryshme për gjuajtjen e peshqve me rrymë elektrike. Kjo përveç se ndikon në ndotjen e ambientit, rrezikon edhe jetesën e gjallesave ujore të cilët jetojnë në lumin Lumbardh. Në fshatin tim të rrethuar me shumë pasuri tokësore dhe ujore jemi duke u ballafaquar edhe me një veprimtari tjetër ilegale dhe mjaft shqetësuese pra, me gurëthyesit e shumtë private të cilët po prishin një hapësirë tejet të madhe të tokave punuese dhe që po ashtu kanë prekur një pjesë të Bistricës, për përfitimet e tyre personale nga këto veprimtari. Mendoj që ky është një fenomen shqetësues dhe shkatërrues për mjedisin ku shumë prej këtyre kompanive janë të licencuara e shumë ka që punojnë në mënyrë ilegale të pa licencuara.
Bukuria dhe ecjet si motiv për të jetuar në fshat
Pavarësisht se ju prezantova më të metat apo shqetësimet e fshatit tim , në këtë pjesë më tepër do të doja të ndalesha tek aspektet pozitive të cilat padyshim që nuk mungojnë. Ecjet dhe vrapimet gjatë ditës janë një pjesë relaksuese që është bërë si rutinë e shumë familjarëve duke u munduar që t`i kushtojnë rëndësi shëndetit dhe aktivitetit fizik, pastaj fusha e lojës ku mblidhen fëmijët e fshatit. Aty ku edhe unë i kam kaluar momentet më të bukura të fëmijërisë sime, janë një pjesë e dashur për të gjithë. Pastaj, ajri i pastër, ushqimi organik dhe i freskët i rritur në kopshtin pranë shtëpisë, mendoj që janë disa nga privilegjet e të jetuarit në një fshat.
Një gjë tjetër me vlerë të cilën dua të theksoj është se në fshatin tim gjithmonë ka mbizotëruar qetësia dhe paqja dhe nuk ka pasur asnjë konflikt të ndonjë lloji, dhe kjo ka ndikuar në një mënyrë që edhe ne si fëmijë duke u rritur në një ambient të tillë të jemi më afër dhe të ndihmojmë njëri–tjetrin, por në fakt mendoj se vetë solidariteti është më i shprehur në fshat se në qytet.
Për sa i përket zhvillimit, është duke u zhvilluar me hapa normal dhe po fillon të modernizohet dita-ditës.
Të lindësh në një vend të tillë padyshim që më bën të ndjehem me fat, edhe pse shpesh ndoshta duke u rritur nuk i kam vlerësuar sa duhet aspektet pozitive, por me kohën e kam kuptuar se sa të veçanta ka ky vend.
Nëse gjendeni në fshatin tim dhe filloni ta eksploroni atë duke ecur poshtë kodrinave dhe livadheve të gjera dhe të bukura, me një ndarje strukturore të të mbjellave të kultivimeve të ndryshme bujqësore do të gjeni vetën duke u zhytur thellë në pajsazhin e bukurive natyrore.
Më poshtë kam bashkangjitur disa fotografi të realizuara në disa pjesë të fshatit.