Vendim i pazakontë nga qeveria: Promovimi i arsimit në Belfast, përmes Kamenicës së Vetëvendosjes
Drejtori Ekzekutiv i PDK-së, Naim Ismajli, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka reaguar rreth një vendimi të Qeverisë së Kosovës, për ndarjen e 11,835 euro për Komunën e Kamenicës, një komunë e cila udhëhiqet nga Kadri Rahimaj nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, për promovimin e sistemit të arsimit të përbashkët ndërmjet komuniteteve dhe shkëmbimit të përvojave në mes Kamenicës së Kosovës dhe Belfastit.
Reagimi i plotë:
Me datën 18 nëntor 2024, Qeveria e Kosovës ka marrë një vendim të pazakontë duke ndarë 11,835 euro për Komunën e Kamenicës, një komunë e cila udhëhiqet nga Kadri Rahimaj nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, e njëjta forcë politike që drejton edhe Qeverinë e Kosovës nën udhëheqjen e Kryeministrit Albin Kurti.
Fondet janë dedikuar për organizimin e një vizite në Belfast, Irlandë, me arsyetimin zyrtar të promovimit të sistemit të arsimit të përbashkët ndërmjet komuniteteve dhe shkëmbimit të përvojave. Mjetet janë ndarë nga buxheti i Zyrës së Kryeministrit, nën-programi për promovimin e vendit, dhe urdhërohet që ato mjete të derdhen në xhirollogarinë e Komunës së Kamenicës.
Ky vendim ngre disa pyetje interesante dhe disi ironike: a ka mungesë aftësish promovuese në ministritë apo institucionet e tjera qendrore, saqë barra e rëndë e promovimit të arsimit kosovarështë deleguar pikërisht te Komuna e vogël e Kamenicës? Apo ndoshta ky vendim reflekton harmoninë e plotë politike mes qeverisë qendrore dhe asaj lokale, të cilat udhëhiqen nga e njëjta forcë politike?
E sigurt është që kjo vizitë në Belfast do të jetë nën vëzhgim të rreptë publik: a do të sjellë rezultate konkrete për arsimin tonë, apo do të mbetet një shembull tjetër i shpenzimeve të diskutueshme nga buxheti i shtetit?
Në çdo rast, promovimi i Kosovës si një fuqi arsimore ndërkombëtare tashmë ka një ambasador zyrtar: Kamenica e Vetëvendosjes!
#Kosovë #Arsim #Promovim #Belfast #Kamenicë #Vetëvendosje