Vendime të mëdha në PSG: Kush qëndron dhe kush largohet?
Real Madridi i dha një goditje të fortë Paris Saint-Germainit pasi përmbysi ndeshjen e 1/8-të të Ligës së Kampionëve, pavarësisht se ishte në disavantazh në Santiago Bernabeu të mërkurën mbrëma.
Pas eliminimit të PSG-së nga Los Blancos, janë ngritur pikëpyetje se cilët lojtarë të kësaj skuadre të mbushur me yje do të qëndrojnë për sezonin e ardhshëm.
Gazeta franceze L’Equipe u përpoq t’u përgjigjej këtyre pyetjeve duke shpjeguar se cilët lojtarë pritet të largohen nga skuadra në verë, përcjell Telegrafi.
Më shumë jashtë se brenda
PSG nuk ka hequr dorë nga përpjekjet e tyre për të rinovuar kontratën me Kylian Mbappe, por francezi ka shumë të ngjarë të largohet nga Parisi dhe t’i bashkohet Real Madridit në muajin korrik.
Sa i përket Angel Di Marias, gazeta L’Equipe theksoi se argjentinasi nuk pritet të luajë në PSG në sezonin 2022/23.
L’Equipe vë në dukje se Lionel Messi dhe Neymar “duhet të qëndrojnë” edhe për një vit, duke pretenduar se ata që janë afër ish-kapitenit të Barcelonës janë të vetëdijshëm se ai është i lumtur në Paris.
Situata e Neymar është e ngjashme, pasi kontrata e tij zgjat deri në vitin 2025 dhe nuk ka asnjë klub që mund të mbulojë pagën e tij në rast se PSG dëshiron të arkëtojë para nga shitja e tij.
Do të qëndrojnë
Marquinhos, Marco Verratti, Achraf Hakimi, Gianluigi Donnarumma, Nuno Mendes dhe Presnel Kimpembe konsiderohen si shtylla kurrizore e skuadrës dhe pritet të qëndrojnë të gjithë.
Në dyshim
Ndërkohë, e ardhmja e Leandro Paredes, Idrissa Gueye, Thilo Kehrer, Layvin Kurzawa, Julian Draxler dhe Ander Herrera është në ajër dhe shumica nga ta mund të largohen, nëse jo të gjithë.
Dështimi i Ramosit
L’Equipe diskuton gjithashtu rastin e veçantë të Sergio Ramos, transferimin e të cilit ata e cilësojnë si “dështim”, pasi qendërmbrojtësi spanjoll ka luajtur vetëm pesë ndeshje që nga bashkimi me PSG-në.
Ramos ka edhe një vit në kontratën e tij dhe nëse PSG dëshiron ta largojë atë, ata duhet të mbulojnë pagën e tij. /Telegrafi/