Vendimet e Kongresit të Shkupit
Izmi Zeka
Shenjtëria e idealit kombëtar dhe fetar në figurën e Myderriz Haki Efendiut (3)
Komiteti Qendror i ONDSh-së nga Komiteti i Qarkut të Gjilanit dhe Pellgut të Moravës, përfaqësohej nga Myderriz Haki Efendiu dhe Mumin Jakupi; Mehmet Bushi përfaqësonte Gostivarin dhe Kërçovën, Osman Cani përfaqësonte Strugën dhe Dibrën, Hasan Billali përfaqësonte rajonin e Shkupit dhe të Ohrit, Azem Morina përfaqësonte rajonin 2, të Shkupit, Ferizajn dhe Kaçanikun, Kemajl Skenderi përfaqësonte Prishtinën dhe Hysni Rudi përfaqësonte Pejën me Gjakovë.
Në këtë Komitet u paraqit platforma që kishte të bënte me organizimin dhe veprimtarinë e mëtejshme për çlirimin e tokave shqiptare.
Komiteti kishte shtrirë përfaqësimin e të gjitha trevave shqiptare, për të arritur një program të përbashkët të të gjithë aktorëve, të cilët në vazhdimësi kishin punuar për bashkimin e trojeve shqiptare.
Pas Luftës së Dytë Botërore ishte bërë rikolonizimi i Kosovës… Silleshin egërsisht forcat sllave kundrejt shqiptarëve të Kosovës, duke i burgosur e vrarë.
Pjesë e krejt këtyre përpjekjeve ishte personazhi i Myderrizit, i cili zbërthen një dimension të veçantë në këtë periudhë të rëndë për popullin e Kosovës, veçanërisht kanosjen për zhbërje të shqiptarëve, që kishin mbetur të pushtuar nga forcat serbe.
Nuk u përfill Karta e Atlantikut e shtatorit 1941, as Konferenca e Bujanit e 31 dhjetorit 1943 dhe 1-2 janarit të vitit 1944, ku decidivisht ishin shprehur pajtimet, që pas luftës secili popull të vendosë për të ardhmen e vet.
Vendimet e Kongresit të Shkupit ishin tejet të rëndësishme për funksionimin e organizatës, që përpos skemës organizative të miratuar, përfaqësuesit aprovuan edhe programin e Lëvizjes për lirimin e tokave shqiptare, kurse në mënyrë të detajuar dy autorët: mr. Aliriza Selmani dhe Hafiz Avni Aliu paraqesin edhe pikat e rëndësishme të Kongresit: 1. Liri dhe pavarësi të plotë me të drejtë vetëqeverimi në bazë të vullnetit të popullit të shfaqur lirisht. 2. Nën tokat shqiptare, kuptohet në krejt vendet ku banojnë shqiptarët në 60 %, pa dallim se si quhet krahina e vendit dhe nga kush është i pushtuar. 3. Lëvizja nuk ka qëndrim armiqësor kundër asnjë populli fqinj, as kundër partive politike, vetëm insiston në mënyrë kulturore, kur e do domosdoja dhe me armë, do të përpiqet për t’i arritur idealet shekullore të kombit shqiptar, që të jetë i lirë dhe vetë sundues në shtet të vet, me kufij etnik.
4. Mbasi të vendosen kufijtë etnik, pa marrë parasysh tjerat kushte të kufijve, si: strategjike, ekonomike, politike etj., në mënyrë miqësore do të shkëmbehet popullata e pakicave nacionale, “tue i tërheq shqiptarët qi do të mbetin jashtë kufijve në vend t’atyne qi do të shpërngulen dhe do të përcjellen jasht”.
5. “Në kohë paqe Lëvizja nuk do të pushojë, por do të vazhdojë si shërbim roje e të drejtave të popullit shqiptar, si t’atyne ne të mbrendshme, ashtu edhe t’atyne të jashtme, ndërkombëtare, tue u organizue për regjim me të vërtet demokratik dhe për relacione miqsore me popujt fqi, ballkanik”.
Kongresi i Shkupit i (një) 1 qershorit 1946, ishte një sinjal i qartë edhe për pushtuesit serbë në Kosovë e më gjerë.
Ky kongres me aklamacion zgjodhi kryesinë e re të KQ-së të NDSH-së me kryetar Halim Orana, zëvendëskryetar Kemal Skenderi dhe Azem Morina, sekretar. Anëtarë të KQ-së u zgjodhën: Jonuz Bala, Mehmet Bushi, Hamdi Berisha, Hysni Rudi, Myderriz Haki Efendiu, Mehmet Dumani, Osman Cani, Mitat Tërshana dhe Hasan Bilalli
Po ashtu, është me interes të përmendët se Myderriz Haki Efendiu ishte kryetar i Komitetit Qarkor në Gjilan dhe anëtar i KQ-së të NDSH-së në Shkup. Të gjitha lidhjet e shkëputura që ekzistonin edhe më herë, tashmë ishte kërkuar që të kenë një adresë, e cila udhëhiqej nga Myderrizi.
Komiteti Qarkor i NDSH-së për Gjilan, sipas disa burimeve qoftë të shkruara ose gojore, kishte 17 anëtarë.
Në këtë komitet ishin të përfshirë njerëz më me ndikim në Gjilan e rrethinë, intelektualë të profileve të ndryshme, që e bëjnë shumë të fuqishëm organizimin e këtij rrethi në kuadër të NDSH-së.
Për të përshkruar më mirë Komitetin Qarkor të Gjilanit, dhe për të arritur njohuri edhe më të mëdha për këtë organizim, mund t’i shohim edhe personalitet që e përbënin këtë organizatë, që shikuar në kontekstin historik ishte më e madhja pas Luftës së Dytë Botërore.
Përpos Myderrizit Haki dhe Halim Oranës, të cilët ishin përfaqësues të KQ-së në Shkup, bënin pjesë edhe Rexhep Shema-Dajkoci, Maliq Sahit Çollaku, Mulla Riza Osmani-Poliçka, Ramadan Agushi – mësues nga Tërpeza, Destan Ismajli-Budrika, agronom, Mumin Jakupi – mësues, Jakup Salihu-Malishevë, Njazi Fehmiu -mësues, Arif Syli i Rogoçicës, Hamdi Dalipi i Pograxhës etj. (Rexhep Bunjaku-NDSH).
Haki Myderrizi edhe gjatë luftës, por dhe pas saj, është njeriu, për të mos thënë i vetëm, i cili me tërë qenien shpirtërore e intelektuale është munduar, që të gjejë rrugëzgjidhjeje për t’i bashkuar shqiptarët në një ideal, vetëm e vetëm për të mos ra pre e politikave serbe-jugosllave të kohës. Myderrizi e kishte të qartë se përçarja nuk i duhej aspak shqiptarëve, dhe në këtë pikëpamje ishte i gatshëm të punonte edhe me gjithë të tjerët, vetëm që të arriheshin objektivat e qytetarëve të Kosovës. Megjithatë, ideja e Myderrizit nuk gjeti mbështetje të gjerë, dhe kështu forcat partizane, të cilat në emër të fitores së luftës kundër nazifashizmit, bënin kërdi ndaj të gjithë atyre që ishin kundër tyre, veçmas ndaj popullatës shqiptare.
E veçanta për vlerat njerëzore të Myderrizit ishte aftësia intelektuale, ndaj kudo që ishte linte përshtypje të jashtëzakonshme, duke shpjeguar përpjekjet e shqiptarëve për bashkim kombëtar, por edhe tradhtinë që u kishin bërë, në emër të luftës partizane, shqiptarëve të Kosovës. Në ndejën e një ode në fshatin Zhegër, Mulla Rifat Jashari rrëfen për Myderrizin: “I ri qenka, po bilbil qenka, në odat tona nuk kemi pasur rastin të dëgjojmë kësi njeri të aftë!”. (Vijon)