Vendimi antikushtetues i Kuvendit për KPMShCK-në, Tahiri: Pushteti mori goditje meritore nga Kushtetuesja
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka reaguar pasi Kushtetuesja e ka cilësuar si antikushtetues vendimin e Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK) në qershor të këtij viti.
Tahiri i cili ishte parashtruesi i kërkesës në Kushtetuese së bashku me 10 deputetë të tjerë, ka thënë se përpjekja e pushtetit për t’i konvertuar institucionet e pavarura në instrumente politike ka marrë goditjen meritore nga Kushtetuesja.
“Jam shumë i lumtur që Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë çështjes së ngritur nga Partia Demokratike e Kosovës lidhur me këtë shkarkim të paligjshëm, duke prishur kalkulimin e këtij pushteti që s’pyet për parime dhe ligjshmëri. E ritheksoj se, kjo është një fitore e të drejtës mbi padrejtësinë, e meritës mbi arrogancën. Fitore e demokracisë si vlerë mbi keqpërdorimin në emër të saj”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Tahirit:
Përpjekja e pushtetit aktual për shkatërrimin e institucioneve të pavarura, në mënyrë që t’i konvertojnë ato në instrumente politike në shërbim të tyre dhe familjarëve të tyre, sot ka marrë goditjen meritore nga Gjykata Kushtetuese.
Afër gjashtë muaj më parë, ne paralajmëruam mazhorancën e Kuvendit se shkarkimi i jashtëligjshëm i pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, ishte kundër kushtetues, si dhe një përpjekje e hapur për të ndërhyrë politikisht në mënyrë brutale, në një institucion të pavarur e të bazuar shumë qartë në ligj.
Si deputet iniciues, jam shumë i lumtur që Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë çështjes së ngritur nga Partia Demokratike e Kosovës lidhur me këtë shkarkim të paligjshëm, duke prishur kalkulimin e këtij pushteti që s’pyet për parime dhe ligjshmëri.
E ritheksoj se, kjo është një fitore e të drejtës mbi padrejtësinë, e meritës mbi arrogancën. Fitore e demokracisë si vlerë mbi keqpërdorimin në emër të saj.
Institucioni i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, është aty për të mbrojtur nëpunësit civil dhe të drejtat e tyre. Ai, siç çdo institucion tjetër i pavarur e kushtetues, nuk mund dhe s’do të lejojmë të shndërrohet në mjet të pushtetit për shantazh ndaj nëpunësve publik në Republikën e Kosovës.
Si në këtë rast, Partia Demokratike e Kosovës do të qëndrojë gjithmonë e pa lëkundur në mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe ligjit.