Vendimi i gjykatës për vrasjen e Agonis Tetajt, Haxhiu: I padrejtë dhe skandaloz!

14 tetor 2022 | 17:05

Të premten Gjykata Themelore në Pejë e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 7 vjet e 6 muaj  burgim të akuzuarin Shaban Gogaj, për vrasjen e Agonis Tetaj, në shtator të vitit 2018 në Deçan.

Për këtë vendim ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se ky vendim i gjykatës është i padrejtë dhe skandaloz.

“Në këtë drejtim, bëj thirrje që të merren në konsideratë të gjitha rrugët ligjore për rastin e vrasjes së të ndjerit, Agonis Tetaj, në mënyrë që të vendoset ligjshmëria e plotë dhe të jepen vendime meritore Aktgjykimi i sotëm mund të jetë gjithçka tjetër vetëm drejtësi jo!”, ka shkruar Haxhiu në “Facebook”.

Postimi i plotë i Haxhiut:

Një djalë i ri, në një ditë normale e në vendin e tij të punës, vritet tragjikisht.

Procesi gjyqësor ndaj personit të dyshuar është zhvilluar me shumë probleme dhe është karakterizuar me shumë çështje që e kanë penguar një proces të drejtë dhe efikas.

Si ministre e Drejtësisë nuk kam mandat e as intencë për të ndërhyrë në asnjë rast gjyqësor, mirëpo është e domosdoshme të theksohet se sikur opinioni publik, jam e shqetësuar me  mënyrën e administrimit të këtij procesi, përfshirë këtu edhe shkallën e dënimit me aktgjykimin e sotëm. Është vendim i padrejtë e skandaloz!

Shteti i së drejtës kërkon vendosmëri të personave që ushtrojnë detyrën zyrtare në organet që janë bartëse të sistemit të drejtësisë. Pra, kemi nevojë për prokurorë të ndershëm e profesionistë që me precizitet hetojnë rastet dhe po ashtu gjyqtarë që marrin vendime brenda suazave të ligjshmërisë dhe në përputhje me provat e faktueshme të rastit.

Në këtë drejtim, bëj thirrje që të merren në konsideratë të gjitha rrugët ligjore për rastin e vrasjes së të ndjerit, Agonis Tetaj, në mënyrë që të vendoset ligjshmëria e plotë dhe të jepen vendime meritore.

Aktgjykimi i sotëm mund të jetë gjithçka tjetër vetëm drejtësi jo!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ai i Kosovës, Albin…