Vendimi i KShC-së është i padrejtë dhe i ndikuar nga politika
Rektori i Universitetit Publik të Pejës “Haxhi Zeka”, Fadil Millaku, ka paralajmëruar ankesë ndaj vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC) për mosakreditimin e këtij universiteti.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se ky vendim nuk është i drejtë, por i ndikuar nga politika.
“Vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC) nuk është i drejtë dhe mendoi se është i ndikuar nga politika. Po, do të ankohemi në momentin që Universiteti ‘Haxhi Zeka’ pranon vendimin nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë. Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) dhe Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) kanë bërë shkelje me rastin e vendosjes së standardeve të reja për akreditim”, ka deklaruar Millaku, duke hedhur dyshime se ekspertja nga Rumania ka qenë subjektive dhe nuk ka pasur sjellje akademike.
“Universiteti ‘Haxhi Zeka’ ka pasur akreditim institucional dhe akreditim të programeve studimore. Ekspertët e jashtëm që kanë ardhur për t’i vlerësuar programet studimore kanë dhënë vlerësim pozitiv për të gjitha programet studimore, me përjashtim të një programi në studimet master. Këtu qëndron dyshimi se ekspertja nga Rumania ka qenë subjektive dhe nuk ka pasur sjellje akademike. Si është e mundur që programet studimore të akreditohen dhe të vlerësohen shumë mirë. Domethënë sipas ekspertëve të tjerë të jashtëm, programet studimore i plotësojnë kriteret për t’u akredituar deri 89 për qind, ndërsa një eksperte e vetme nga një shtet që nuk e ka njohur Kosovën shtet të jep rekomandim negativ”, është shprehur ai.
Rektori Millaku ka vlerësuar se vendimi i KShC-së e ka dëmtuar shumë imazhin e Universitetit ‘Haxhi Zeka’ dhe, sipas tij, do të jetë vështirë të riparohet.
Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që një vendim i tillë të jetë marrë për ta rikthyer vëmendjen e studentëve kah Universiteti i Prishtinës dhe kolegjet private.
“Përafërsisht Universiteti i Mitrovicës, i Pejës dhe i Prizrenit në vitin e parë regjistrojnë rreth 8 000 studentë. Besoj se kjo nuk do koment. Vendimi i Këshillit Shtetëror i Cilësisë (KShC) e ka dëmtuar shumë imazhin e Universitetit ‘Haxhi Zeka’. Kjo vështirë do të riparohet”, ka theksuar Millaku.
Sidoqoftë, ai ka paralajmëruar se Universiteti “Haxhi Zeka” do t’i plotësojë standardet e reja të parapara që kanë të bëjnë me çështje akademike dhe cilësi kurse, sipas Millakut, standardet infrastrukturore do të mbeten në dorën e qeverisë.
“Standardet që kanë të bëjnë me infrastrukturë përcjellëse si: fushat sportive, konviktet, mensa e studentëve dhe bufet në kuadër të kompleksit mbeten në dorën e qeverisë sepse për t’u plotësuar edhe këto standarde Qeveria e Kosovës duhet të investojë në infrastrukturë. Këto standarde nuk i plotëson asnjë universitet publik në Kosovë, besoj as në rajon”, ka thënë rektori Millaku.
“Epoka e re”: Z. Millaku, Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) ka marrë vendim që Universiteti Publik i Pejës “Haxhi Zeka” të mos ketë të drejtë të pranojë studentë të rinj këtë vit. Si e komentoni këtë vendim?
Millaku: Vendimi i Këshillit Shtetëror i Cilësisë (KShC) nuk është i drejtë dhe mendoj se është i ndikuar nga politika.
“Epoka e re”: A do të ankoheni ndaj këtij vendimi dhe mbi çfarë baze do të bëhet ankesa meqë vlerësimi është kryer nga ekspertë ndërkombëtarë?
Millaku: Po, do të ankohemi në momentin që Universiteti ‘Haxhi Zeka’ pranon vendimin nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë. Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) dhe Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) kanë bërë shkelje me rastin e vendosjes së standardeve të reja për akreditim. Këto standarde dhe manuali për t’i shkruar Raportet e Vetëvlerësimit (RVV) janë dërguar në institucionin tonë më 21 shtator 2018. Universiteti ‘Haxhi Zeka’ është dashur që t’i plotësojë Raportet e Vetëvlerësimit (RVV) deri kah fundi i dhjetorit të vitit 2018. Për plotësimin e standardeve të reja AKA-ja dhe KShC-ja është dashur që Institucioneve të Arsimit të Lartë (IAL) me u dhënë kohë të paktën 1-3 vjet që të mbahen trajnime dhe, sipas këtyre standardeve, të përgatiten dokumentet përcjellëse: Plani strategjik, rregulloret, kodi i etikës dhe shumë dokumente të tjera përcjellëse që kërkohen sipas standardeve të reja të miratuara nga KShC-ja. AKA-ja për akreditim institucional ka dërguar vetëm një ekspert të jashtëm dhe një student. Meqenëse kemi pasur në akreditim me shumë së 12 programe është dashur që numri i ekspertëve të jashtëm të jetë të paktën tre e më shumë. Ekspertja e jashtme ka krijuar vetë këto standarde dhe ka ardhur t’i vlerësojë të njëjtat, që mund të jetë edhe konflikt interesi. Parashtrohet pyetja: Si është e mundur që fati i një universiteti publik të mbetet në dorën e një individi? Vendimin për apo mosakreditim e merr KShC-ja, ndërsa eksperti i jashtëm vetëm rekomandon.
“Epoka e re”: Cilat kanë qenë kushtet që nuk i keni plotësuar si universitet për t’iu akredituar programet?
Millaku: Universiteti ‘Haxhi Zeka’ ka pasur akreditim institucional dhe akreditim të programeve studimore. Ekspertët e jashtëm që kanë ardhur për t’i vlerësuar programet studimore kanë dhënë vlerësim pozitiv për të gjitha programet studimore, me përjashtim të një programi në studimet master. Këtu qëndron dyshimi se ekspertja nga Rumania ka qenë subjektive dhe nuk ka pasur sjellje akademike. Si është e mundur që programet studimore të akreditohen dhe të vlerësohen shumë mirë?! Domethënë, sipas ekspertëve të tjerë të jashtëm, programet studimore i plotësojnë kriteret për t’u akredituar deri 89 për qind, ndërsa një eksperte e vetme nga një shtet që nuk e ka njohur Kosovën si shtet të jep rekomandim negativ.
“Epoka e re”: Mendoni se një vendim i tillë është bërë që studentët të drejtohen kah Universiteti i Prishtinës dhe kolegjet private?
Millaku: Përafërsisht Universiteti i Mitrovicës, i Pejës dhe i Prizrenit në vitin e parë regjistrojnë rreth 8 000 studentë. Besoj se kjo nuk do koment.
“Epoka e re”: Në fakt, vendimi i KShC-së a do të ketë efekt negativ në raport me studentët në kuptimin që ata të mos vijnë për të studiuar në Universitetin ‘Haxhi Zeka’?
Millaku: Vendimi i Këshillit Shtetëror i Cilësisë (KShC) e ka dëmtuar shumë imazhin e Universitetit ‘Haxhi Zeka’. Kjo vështirë do të riparohet.
“Epoka e re”: Z. Millaku, që nga themelimi i këtij universiteti dhe universiteteve të tjera publike është kontestuar cilësia e tyre dhe vendimi i fundit i KShC-së po e konfirmon një gjë të tillë. Çfarë do të bëni për ngritjen e cilësisë në këtë universitet dhe a rrezikon që edhe vitin tjetër ky institucion të mosakreditohet?
Millaku: Gjithmonë ka vend për t’u përmirësuar sepse jemi universitete të reja. Universiteti ‘Haxhi Zeka’ do t’i plotësojë standardet e reja të parapara dhe që kanë të bëjnë me çështje akademike, cilësi etj. Standardet që kanë të bëjnë me infrastrukturë përcjellëse si: fushat sportive, konviktet, mensa e studentëve dhe bufet në kuadër të kompleksit mbeten në dorën e qeverisë sepse për t’u plotësuar edhe këto standarde Qeveria e Kosovës duhet të investojë në infrastrukturë. Këto standarde nuk i plotëson asnjë universitet publik në Kosovë, besoj as në rajon.
Shqipe HETEMI