Vendimi i KShC-së për mospranimin e studentëve të rinj në tri universitetet publike, i papranueshëm
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC) për mospranimin e studentëve të rinj për vitin akademik 2019/2020 në tri universitete publike.
Ai ka thënë se është i papranueshëm vendimi për mbylljen e Universitetit të Pejës, Mitrovicës dhe Prizrenit.
Haradinaj ka paralajmëruar se do të veprohet menjëherë duke ndërmarrë hapa konkret në zgjidhjen e kësaj situate.
“Është i papranueshëm vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mbylljen e tri Universiteteve Publike; atij në Pejë, në Mitrovicë dhe në Prizren. Si kryeministër i vendit, e konsideroj të padrejtë mohimin e mundësisë për regjistrim të studentëve, duke ua humbur atyre vitin. Ndaj këtij rasti do të veprojmë menjëherë, duke ndërmarrë hapa konkret në zgjidhjen e kësaj situate”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/