Vendimi i Kushtetueses, pamflet politik

29 maj 2020 | 17:08

Për Lëvizjen Vetëvendosje nuk ka zgjidhje tjetër për ta rivendosur qetësinë politike në Kosovë përveç zgjedhjeve të parakohshme. Zëvendëskryeministri në detyrë, Haki Abazi, në një intervistë me “skype” nga Prishtina dhënë për “Rtv Ora” me gazetarin Xhoi Malësia, e cilëson vendimin e Kushtetueses, që e shpalli të ligjshëm dekretin për mandatimin e Avdullah Hotit për formimin e qeverisë së re, një pamflet politik.

Abazi: Kushtetuesja lëshoi një pamflet politik dhe nuk merret fare me çështjen problematike që është paraqitur pas mocionit të mosbesimit të suksesshëm. Realisht arsyeton dhe argumenton të drejtën e presidentit Thaçi, i cili nga 6 tetori është treguar element sabotues dhe shantazhues i vullnetit politik të përcaktuar nga votuesit më 6 tetor.

Është vendim  politik sepse për herë të parë Kushtetuesja tregon se i është bashkuar një strukture të kapur të institucioneve nga presidenti dhe njerëzit që realisht janë humbësit e 6 tetorit. Frika nga ndryshimi, çrrënjosja e këtyre strukturave nga këto institucione, Thaçi ka bërë që të gjejë njerëz në strukturat politike të cilët, po ashtu, i kanë rrënjët në këtë krim të organizuar.

Ne do të kërkojmë, ashtu si shumica e qytetarëve të Kosovës, që gjithmonë kur është në pikëpyetje përfaqësimi demokratik dhe pjesëmarrja e qytetarëve në këtë republikë parlamentare, të shkojmë në zgjedhje. Nuk duhet të frikësohet askush nga vota e qytetarëve. Ata e rrëzuan qeverinë dhe në mënyrë afirmative bëhet hapja e mundësisë për shpërbërjen e parlamentit dhe shkuarja në zgjedhje.

E ndërsa në rrugë institucionale mundësia për zgjedhje të reja duket e pamundur, LV-ja shpresat i ka te revoltat popullore.

Abazi: ADN e shtetit të Kosovës është te mobilizimi qytetar dhe refuzimi i shembjes së sistemit demokratik dhe kushtetues. Të gjitha raportet ndërkombëtare konfirmojnë se shteti është i kapur, institucionet janë të kapura nga disa njerëz. Jemi lodhur me këto veprime të nëntokës, që kanë një emërues të përbashkët në 20 vjet, që është presidenti Thaçi që nuk lë as forma kërcënuese dhe asgjë tjetër për ta sabotuar rendin demokratik të vendit.

I pyetur nëse do t’i lëshojnë zyrat e qeverisë pasi parlamenti të votojë një shumicë tjetër, ai ka këtë përgjigje:

Abazi: Parlamenti do ta kryejë punën e vet.  Kushtetuesja e mban përgjegjësinë për atë që ka bërë duke e dërguar vendin në një situatë konfuze, jokushtetuese dhe e ka zhvlerësuar rolin e vet për ta zbatuar kushtetutshmërinë në vend. Sigurisht ne nuk do të jemi spektatorë të një agjende që e ka artikuluar Thaçi prej 5-6 vjetësh, që është ndryshim kufijsh, ndarje territoriale dhe realizim të një marrëveshje me Serbinë që përfshin ndarjen e territorit të Kosovës. Kostoja që kemi paguar, duke treguar se nuk jemi burokratë të lidhur për karrige dhe për të cilën karrige do të japim çdo gjë. Kemi treguar se do të jemi të sinqertë dhe besnikë përballë premtimeve ndaj qytetarëve. /Ora News.tv/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka konsideruar vendimin e…