Vendimi i Kushtetueses për Ligjin e pagave, Kusari-Lila: Na është prekur thelbi që synuam
Shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka folur pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e pjesshëm të Ligjit për pagat, duke thënë se është prekur thelbi që kanë synuar.
Kusari-Lila ka thënë se vendimi i Kushtetueses “ka prekur thelbi apo objektivi që është synuar me Ligjin e pagave” pasi sipas saj, qëllimi ka qenë nivelizimi i pagave.
“Një prej problemeve përmbajtjesore ka përfshirë edhe uljen e pagave të zyrtarëve që në mënyrë disporpocionale kanë qenë shumë më të larta sesa ndoshta krerët e shtetit. Ende s’e kemi parë aktgjykimin e plotë, por duket se këto nene të cilat e kanë përfshirë nivelizimin, gjegjësisht uljen e pagave të zyrtarëve që kanë qenë krerë të agjencive të pavarura apo në institucione të tjera, në këtë rast edhe vetë gjykatësit, Gjykata Kushtetuese ka dhënë mendimin e vet që Kuvendi t’i rishikojë këto dhe niveli i pagave të mbetet i njëjtë. Pra, s’e kemi aktgjykimin e plotë, por e di se ato propozime duhet t’i bëjë Kuvendi në një periudhë kohore. Megjithatë, në esencë është prekur thelbi apo objektivi që është synuar me Ligjin e Pagave, natyrisht që Kuvendi do të reflektojë në plotësim-ndryshimin e ligjit, por prapë po e humb elementin që në sektorin publik të mos ketë diferencë aq të madhe të pagës më të ulët dhe asaj më të lartë”, ka thënë ajo në një konferencë për medie, raportin “EO”.