Vendimi i ri për targat, kërcënon Lista Serbe: Shqiptimi i gjobave të para shkas për rezistencë të ashpër
Pas vendimit të sotëm të Qeverisë së Kosovës që ka të bëjë me zbatimin e vendimit për targat, ka reaguar Lista Serbe, duke thënë se shqiptimi i parë i gjobës do të jetë shkas për rezistencë të ashpër të serbëve, sepse, sipas tyre, ata janë të vetëdijshëm për qëllimet reale të kryeministrit Kurti.
“Duke pasur parasysh planin e Albin Kurtit për të shqiptuar qortime dhe dënime të tjera ndaj serbëve që posedojnë targa legale dhe legjitime të lëshuara nga autoritetet e Republikës së Serbisë, në emër të popullit serb nga kjo zonë duam t’i themi atij qartë dhe pa mëdyshje se shqiptimi i masës së parë të gjobave do të jetë shkas për reagimin dhe rezistencën e ashpër të popullit serb, sepse jemi të vetëdijshëm për qëllimet e vërteta të pushtetarëve nga Prishtina”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.
Më tej në reagimin e këtij subjekti politik thuhet se “të gjithë ata që mendojnë se populli ynë do të shikojë në heshtje heqjen marrjen e të drejtave, heqjen e targave KM, respektivisht lirinë e lëvizjes dhe rrezikimin e mbijetesës sonë, gabojnë rëndë”.
“Paralajmërimi i Albin Kurtit nuk është gjë tjetër veçse dëshirë për të vazhduar me planin e përndjekjes së serbëve nga vatrat e tyre shekullore”.
“Shfrytëzojmë rastin që edhe një herë t’u përcjellim qytetarëve tanë mesazhin e qartë të Presidentit Aleksandar Vuçiq, serbët në Kosovë nuk janë vetëm dhe as shteti i Serbisë nuk do të lejojë përndjekjen dhe dëbimin e popullit tonë”, thuhet në reagim.
Qeveria e Kosovës sot shpalosi një plani për zbatimin e vendimit për targat, që parashihet të zgjasë deri më 21 prill.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky vendim nuk është shtyrje e afatit për targat.
“Për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë, sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, deklaroi kryeministri Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë.
Duke komentuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për shtyrjen e afatit për riregjistrim dhe zbatimin e tij në tri faza, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se kanë vendosur që të mos fillojnë menjëherë me dënime drastike, por vetëm me paralajmërime deri më 21 nëntor.
“Qytetarët që kanë targa të paligjshme do të marrin paralajmërime për ndërrimin e tyre sa më shpejt. Pas kësaj, policia do të duhet t’u shqiptojë gjoba, në përputhje me ligjin, të cilat do të arrijnë në rreth 150 euro. Nga janari i vitit 2023 qytetarët do të marrin targa të përkohshme në këmbim të vjetrave dhe shpresojmë që ky proces të përfundojë pa asnjë incident deri më 21 prill”, tha Bislimi, në një fjalim online në Forumin e Sigurisë në Beograd.