Vendimi i Supremes për certifikimin LS-së, Kryeziu e ‘thumbon’ LV-në: Zhvillimi demokratik s’matet me numrin e votave që fiton
Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka reaguar ndaj aktvendimit të Gjykatës Supreme, i cili e ka rrëzuar ankesën e Vetëvendosjes ndaj vendimit të PZAP-së dhe ka urdhëruar KQZ-në për certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Ai ka bërë thënë se aktvendimi i Supremes tregon se shoqëria kosovare ka arritur të ndërtojë disa standarde që garantojnë ruajtjen dhe zhvillimin e demokracisë.
Kryeziu ka shkruar në “Facebook”,se integriteti zgjedhor dhe e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur janë standardet bazë të një vendi demokratik.
“Gjykata Supreme ka marrë vendim për të urdhëruar KQZ-në të certifikojë Listën Serbe, duke hedhur poshtë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje. Zhvillimi demokratik i një vendi nuk matet me numrin e votave që fiton, por me respektimin e lirive dhe funksionimin e drejtësisë për të gjithë qytetarët, duke përfshirë edhe komunitetet pakicë. Vendimi i Gjykatës Supreme tregon edhe një herë se shoqëria kosovare, pavarësisht veprimeve e politikave ditore, tensioneve politike, ka arritur të ndërtojë disa standarde që garantojnë ruajtjen dhe zhvillimin e demokracisë. Integriteti zgjedhor dhe e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur janë standardet bazë të një vendi demokratik”, ka shkruar Kryeziu.