Vendimi për dënimin e katër deputetëve të LV-së, i padrejtë dhe absurd
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, ka thënë se dënimi me kusht me rreth 5.5 vite i deputetëve të kësaj lëvizje, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Faton Topalli dhe Albulena Haxhiu është sa i padrejtë po aq edhe absurd.
“Është i padrejtë sepse këta deputetë e mbrojtën Republikën pikërisht kur ajo rrezikohej përmes ‘Zajednicës’ dhe demarkacionit. Ndërsa, është absurd sepse vet Gjykata Kushtetuese vlerësoi se ‘Zajednica’ bie ndesh me dhjetëra nene të Kushtetutës sonë. Në anën tjetër, komisioni i ri shtetëror vërtetoi se marrëveshja për demarkacionin ishte gabim. Në vendin tonë sot po arrestohen e dënohen ata që e mbrojnë vendin, ndërsa po sillen të lirë ata të cilat çdo javë i shohim nëpër ballina të gazetave ndërkombëtare teksa flitet për krimin në Kosovë. Por kjo duhet dhe do të ndërroj shpejtë. Sepse Kosova duhet të zhvillohet e të ecë përpara pa krim e korrupsion”, ka shkuar Molliqaj në llogarinë e vet në “Facebook”.