Vendimi për Gucatin dhe Haradinajn shqiptohet brenda 90 ditëve pas përfundimit të gjykimit

21 mars 2022 | 12:50

Gjykimi për vepra penale lidhur me pengimin e administrimit të drejtësisë ndaj Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, i cili ka filluar më 5 tetor 2021, ka përfunduar më 17 mars 2022, ndërsa shqiptimi i dënimit nga trupi gjykues duhet të bëhet brenda 90 ditësh pas përfundimit të gjykimit.

Këtë e ka përcaktuar rregulla 159 e Rregullores së Procedurave dhe Provave, ku në paragrafin 1 thuhet se vendimi i gjykimit shqiptohet brenda nëntëdhjetë (90) ditësh pas mbylljes së çështjes gjyqësore sipas rregullës 136, dhe në të mund të përfshihet edhe një vendim sipas nenit 22(7) të Ligjit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Në qoftë se rrethanat e çështjes kërkojnë zgjatje të mëtejshme të afatit, kjo nuk shkon më shumë se gjashtëdhjetë (60) ditë përveçse kur është absolutisht e nevojshme. Vendimi për zgjatjen e afatit është publik dhe palët e mbrojtësi i viktimave informohen në lidhje me të. Për zgjatjen e afatit jepen arsyet përkatëse”, është thënë në rregullore.

Ndryshe, në gjykimin ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinaj janë dëgjuar katër dëshmitarë të prokurorisë, gjashtë të mbrojtjes së Gucatit dhe katër të Haradinajt.

Me shkrim janë paraqitur 18 dëshmi të dëshmitarëve, 12 nga mbrojtja e Gucatit dhe katër nga ajo e Haradinajt.

Numri i ditëve të gjykimit ishte 31 ditë, derisa kohëzgjatja e procedurës paraprake ishte 12 muaj e 12 ditë.

Gjatë këtij gjykimi, fillimisht është paraqitur deklarata hyrëse nga ana e prokurorisë, ku një pjesë të deklaratës hyrëse e bëri edhe vet prokurori i specializuar, Jack Smith.

Pas kësaj janë dëgjuar dëshmitarët e prokurorisë, ndër të cilët ishin edhe punonjësit e Zyrës  e Prokurorit të Specializuar (ZPS),  Zenka Pumper, hetuese dhe Miro Jukiq, udhëheqës i ekipit për sigurinë dhe trajtimin e dëshmitarëve.

Pas njoftimit për përmbylljen e çështjes së prokurorisë, mbrojtësit bën mocione për rrëzim të akuzave, por këto mocione u refuzuan nga trupi gjykues, i kryesuar nga Charles L Smith II.

Më tutje është vazhduar me konferencë përgatitore të mbrojtjes dhe pas saj janë mbajtur seancat ku mbrojtja ka paraqitur çështjet e tyre.

Ndër dëshmitarët e mbrojtjes që dëshmuan ishin edhe ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, aktualisht deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj, si dhe një eksperte e sinjalizimit dhe ish-shefi i operacioneve në Zyrën e Prokurorit të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ).

Pasi edhe mbrojtja ka njoftuar për mbylljen e çështjeve të tyre është procedurar me deklaratat përmbyllëse të prokurorisë e mbrojtjes.

Të akuzuarit vazhdojnë të gjenden nën masën e paraburgimin në selinë e paraburgimit në Hagë dhe tanimë janë në pritje të shqiptimit të vendimit të gjykatës.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj janë duke u akuzuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Reagimet nga kampi i Barcelonës kanë qenë të shumta pas…