Vendimi për subvencionimin e teksteve shkollore, PDK-ja akuzon ministren Nagavcin për zhvatje të buxhetit të shtetit
Anëtarët e Komisionit Hetimor për subvencionimin e teksteve shkollore nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ardian Kastrati dhe Bekim Haxhiu, kanë kundërshtuar vendimin e qeverisë për subvencionimin e teksteve shkollore.
Sipas tyre, qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti po përdorë “dhunë psiqike” tek prindërit me këtë vendim.
Nënkryetari i këtij komisioni, Ardian Kastrati, ka akuzuar ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci për keqpërdorim, derisa ka thënë se ajo është e afërt edhe me shtëpinë botuese “Albas” duke i dhënë tenderë.
“Kemi të bëjmë me një pushtet të përgjegjshëm dhe merr vendim të papërgjegjshëm. Nagavci duke shkelur ligjin për subvencionimin e teksteve shkollore. Kjo është një shkelje e rëndë dhe dëshirojnë ta tërheqin vëmendje në këtë trajektore që themi është një shkelje ligjore. E kemi zënë Nagavcin duke vjedh vota, ligjin për tekste dhe nuk ka pasur kuorum. Në te kaluarën Nagavci është paguar nga shtëpia botuese ‘Albas’ dhe pikërisht kjo kompani i ka shumëfishuar tenderët e teksteve shkollore. Ju e dini se çfarë kaosi ka shkaktuar vendimi për subvencionimin e teksteve shkollore. Në kohën kur kemi qenë në pushtet më 20 gusht tekstet kanë qenë veçse të gatshme. Ndërsa tash ka raste që është përfunduar viti shkollor pa tekste shkollore”, ka thënë Kastrati, duke shtuar se për këtë gjendje edhe kryeministri Albin Kurti është fajtor.
“Nagavci ka përdorur dhunë psiqike prindërve për tu pajisur me libra. Përgjegjës është Albin Kurti, për shembull gruaja e Kurtit a do të kishte pritur në 30 gradë nëpër librari? Vendimet e tij e prekin drejtpërdrejte qytetarin. I ka goditur edhe në buxhet prindërit dhe jo rastësisht ishte dështuar që veprimet e Kurtit t’i përjetojë familja e Albin Kurtit. Vetë Nagavci ka deklaruar se vitin e kaluar janë shpenzuar 4 milionë e 800 mijë. Këta me ndërrimin e subvencionimit kanë shpenzuar 11.6 milionë euro, kurse janë 100 mijë nxënës më pak. Ku janë shkuar të gjitha këto para, janë humb miliona dhe po humbasin shumë nxënësit dhe prindërit”, është shprehur Kastrati.
Ndërsa anëtari tjetër i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se qeveria ka zhvatur buxhetin e shtetit me këto subvencionime, teksa sipas tij fjala subvencionim nuk njihet në Ligjin e Arsimit. “Ndjejmë keqardhje që Nagavci është bërë recidiviste. Nëse e lexoni ligjin e arsimit e shihni që fjala subvencionim nuk ekziston por kjo është blerje e librave. Kjo është shkelje ligjore dhe keqpërdorim i buxhetit. Nëse të gjithë nxënësit do të subvencionohen, atëherë i bie vetëm nga klasa e parë deri në të pestën, 9 milionë e 531 mijë euro, kurse klasat e ciklit më të lartë prej 10 milionë e 592 mijë që i bie në total të gjithë nxënësit do të paguajnë me 20 milionë euro. Kjo është keqpërdorim dhe zhvatje e shtetit. E kemi vërejtur diferencën e këtij profiti që nuk kushtojnë njëjtë librat si ata të klasës së parë dhe ata në klasën e pestë dhe kjo bënë dëm për prindërit. Shumica e librarive vitin e fundit janë futur në TVSh, duke ndikuar në rritjen e çmimit të kostos së buxhetit te shtetit. Ende vazhdon zhvatja e buxhetit të shtetit”, ka thënë Haxhiu. /EO