Vendimin e qeverisë presidenti e çon në Kushtetuese
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka mbajtur sot një konferencë për media pas asaj të mbajtur mbrëmë dhe pas vendimit të qeverisë për kufizim të lëvizjes për qytetarët pa e shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Presidenti thotë se për këtë temë i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për interpretim.
“Duke marrë parasysh rrethanat e reja pas vendimit të qeverisë në këtë vendim antikushtetues, si president i vendit, unë vendosa që t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese me kërkesë të interpretimit të çështjes së përputhshmërisë së vendimit të Qeverisë së Kosovës lidhur me kufizimin e të drejtave dhe lirive që mbrohen me Kushtetutë. Pra, parashtrues i kërkesës është presidenti. Do ta bëjmë publike edhe kërkesën që i është dërguar Gjykatës Kushtetuese”, shton ai.
Thaçi ka deklaruar se askush nuk qëndron mbi Kushtetutën e Kosovës.
“Ajo çka dua të them është se si president i vendit, duke respektuar në tërësi mandatin tim, kemi kërkuar që në të ardhme të afërt, kemi bërë kërkesë për masë të përkohshme nga Gjykata Kushtetuese. Ndërsa sa iu përket zhvillimeve të tjera, përsëri theksoj se mbi Kushtetutën e Kosovës nuk qëndron askush. Ftoj edhe një herë për unitet qytetar, për kujdes maksimal”, ka thënë Thaçi.