Vendimmarrësit e Gjilanit e nisin mbarë vitin 2023
Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) i komunës së Gjilanit ka mbajtur sot mbledhjen e parë për këtë vit, ku fillimisht kryesuesi Arianit Sadiku ka uruar që 2023 të jetë një vit më i mbarë sa i përket punës së Kuvendit, për dallim nga viti i kaluar kur organi vendimmarrës është përballë me shumë vështirësi në funksionimin e tij.
Përndryshe, KPF shqyrtoi dhe rekomandoi për Kuvend propozim-vendimin për themelimin e grupit punues për hartimin e planit të punës të Kuvendit për vitin 2023, bashkë me orarin e mbledhjeve të Kuvendit dhe Komiteteve për vitin 2023, propozim vendimin për caktimin e normave tatimore në pronën e paluajtshme për vitin 2023, propozim vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të dt. 26.05.2022 për themelimin e KKSB, propozim vendimin për themelimin e Komisionit për zgjedhjen e Këshillave lokale, kërkesën nga Policia e Kosovës për dhënien në shfrytëzim të objektit të ish-QKMF-së, propozim vendimin për shpalljen e interesit publik për pjesën e parcelës nr.309-0 ZK Stublinë.
Po ashtu, KPF ka rekomanduar për Kuvend edhe propozim-vendimin për emërimin e anëtarëve të Komisioneve komunale të aksionarëve në ndërmarrjet ‘Stacioni i Autobusëve’, ‘Tregu’ dhe ‘Ecohigjiena’, dy informata, njëra për korrje-shirje dhe tjetra për ndarjen e bursave si dhe kërkesën e subjekteve politike për financimin e qirasë së objekteve ku ato janë të vendosura.
Propozim-vendimi për shpalljen e interesit publik për pjesën e parcelës nr.309-0 ZK Stublinë si dhe informata për korrje-shirje janë miratuar me votën e dyfishtë të kryesuesit të Komitetit, pasi votat për dhe kundër ishin të barabarta (4:4).
Katër pika të tjera: tri raportet e punës për vitin 2021 të Komisioneve komunale të aksionarëve në kompanitë “Higjiena”, “Stacioni i Autobusëve” dhe “Tregu”, si edhe raporti financiar për periudhën janar-shtator nuk i kanë marrë votat e mjaftueshme për t’u rekomanduar për Kuvend, meqë opozita (LDK-AAK), e cila përbënë shumicën në KPF, ka votuar kundër.
Seanca e Kuvendit Komunal mbahet më 26 janar.