Vendlindja ta lë varrin hapur
Musa Ramadani
Vite me radhë s’isha kthyer në vendlindjen time. Derisa shkruaja një vepër vëllimore për të nuk ma hante mendja ta vizitoja dot. Druaja në vete në mos i prishi përfytyrimet që kisha, përjetimet fëmijërore që i ruaja në shpirt dhe fytyrat e njerëzve që më ishin vertisur në imagjinatë. I ikja me vetëdije vendlindjes, megjithëse natë e ditë e kisha në zemër. Nuk di nëse dhe ajo më ikte mua, por edhe sikur të provonte një gjë të tillë, peizazhin e saj do ta ndiqja deri edhe në skaj të botës. Do ta zija diku, kudo qoftë, në tokë, në ajër a në det, posi gruan të cilën e duam, pa të cilën na bëhet se nuk mundemi dhe jeta nuk ka kuptim…
Me të perënduar ca vite, iu futa një natë hajnisht në gji. Bëra gjumë të mirë në prehrin e saj, u zgjova i freskët në mëngjes dhe dola fluturimthi në Çarshi. Qendrën e qytetit e mbaja mend me kalldrëm, pastaj me gurë katrorë e tashti ja që ishte shtruar me asfalt. Ecja vetëm rrugës kryesore, të gjerë e me trotuare, duke i rënë këmba-këmbës skaj më skaj. Nuk vështroja më, si dikur, dyqanet e vjetra, ndërtesat e reja dhe plepat shekullorë buzë Urës së Maskatarit, mbi atë lumin anemik. Pika të kërshërisë sime ishin tash njerëzit, figurat e tyre, përkatësisht, fytyrat. E dija: më së lehti mund t’i njihja pleqtë, e më së vështiri. fëmijët. Më së shumti vura re të rinj e të reja dhe konkludova në vete: qyteti qenka rinuar. Ishte një nga ato ditët e një vere herake. Që nga paraditja e deri në parambrëmje nuk venerova ndonjë nga ata që dëshiroja. Herë pas here ballafaqohesha me disa që as ëndërr nuk do t’i shihja me ëndje. Dhe kur të lodhurit më kishte zbritur edhe deri te këmbët, kuptova se as vetë nuk mund t’i numëroja tamam xhirot e bëra poshtë e lart Çarshisë. Në çastin që e ndrydha pakon e zbrazur të “Bozhurit” dhe u afrova te qoshku, rrëzë Xhamisë së Madhe, për ta blerë një tjetër, pashë Njeriun mendjeshprishur V., të vetmin që nuk e gërgitnin në marrëzinë e vet në qytetin e vendlindjes. Edhe ai iu qas qoshkut të cigareve dhe i vështronte pakot e ndryshme, një nga një, të renditura në pjesën më të madhe pas xhamllëkut. Nuk e dija në i numëronte, në i zgjidhte apo përpiqej t’ua lexonte firmat sipas ngjyrës ashtu vetë më vete. Veç për një gjë isha tejet i sigurt: ua kish ngulitur sytë cigareve dhe veç atyre. Zura ta vështroja Njeriun mendjeshprishur V. dhe mendoja në vete se si ta përshëndes. M’u kujtua qëkur ishte fëmijë dhe pastaj pakëz më i ri. Në përfytyrim e shihja se si dilte nga sokaku karshi postës së vjetër, nadje herët, e nuk kthehej deri në mbrëmje në shtëpi. I ngjante një kaçubeti: flokët e mëdha, të ndyra, mjekrën e parruar, të lerosur, vetullat e trasha e të lëshuara përmbi sy. Me atë trup të hollë, të gjatë, të kërrusur ca në shpatulla, veshur dosido e si mos më keq, me një palë nallane në këmbë, merrte vrap tatëpjetë për në Çarshi. Ashtu i kërleshur, i palarë dhe me qyrra e jargë që i bashkoheshin në një masë neveritëse, ua fuste frikën të gjithëve, më së tepërmi – dihet – fëmijëve. Ata edhe e gërgitnin më së shumti: gjithnjë nga largësia, disi me ndruajtje, duke e përqeshur me gjestikulime, lëvizje e grimasa nga më të ndryshmet. I gjori V. i veneronte për seri, nuk fliste, sepse pos tingujve nuk mund të prodhonte rrokje, aq më pak fjalë, dhe hova-hov u matej e çmatej duke bërë nga një hap përpara. Mirëpo, jo rrallë, gjendej dhe në rrethim të plotë nga çunakët ngucakëqij. Atëherë, pasi i vinte shpirti te hunda, përkulej në tokë, merrte ndonjë gur aq sa e përthekon pëllëmba e dorës, mësynte drejt fëmijëve dhe, kur ata shpërndaheshin, ai çante rrethimin përfundimisht. Në raste të vështira prore kërcënohej me gur, por kurrën e kurrës nuk më ka rënë të shoh se e hidhte dhe gurin nga dora. Por, fëmijët si fëmijë, meqë e ngacmonin tej mase, ia dinin peshën frikës, kështu që nuk ia kishin besën Njeriut mendjeshprishur V., prandaj më me ëndje vinin kah gishtat thembrat. Si djalosh i rritur, me kujtohej edhe tek ecte me ca këpucë shtrembalaqe, të laparosura nga pluhuri e balta, të shkelura përmbi thembra, të cilat, kur merrte vrapin, i dilnin nga këmbët më lehtë e më shpesh sesa nallanet. Kurdo që dilje në rrugë e takoje atë.
Më erdhi mirë tek e shihja Njeriun mendjeprishur V., po jo edhe fytyrat e atyre që i dëshiroja, i doja dhe i respektoja që nga fëmijëria ime.
Kësaj radhe, më tepër se çdoherë tjetër, i bëja pyetje vetes për shokët, dashamirët, të pjekur e të rinj. Shumë syresh ua dija shtëpitë, banesat, sokakët, rrugët e lagjet, kisha edhe numra telefonash në xhep, veçse nuk më jepej që nuk më jepej t’i thërrisja. As në vendpune nuk ktheja, e kjo sidomos vlente për zyrat të cilat i urreja qysh si fëmijë dhe ende ndieja njëfarë frike nga ato. Ma kishte ëndja, ashtu thjesht, t’i takoja si rastësisht, në rrugë, teksa shëtisnin ose kryenin farë pune, venin ose vinin nga tregu, aty përpara kinemasë së qytetit, ndoshta edhe përpara platesë së hotelit të vetëm, me një fjalë: diku përgjatë rrugës kryesore në zemër të Çarshisë. Në dyzet pranverat e mia ende është herët për sentimente, patetikë e nostalgji ndaj vendlindjes dhe njerëzve që jetojnë në te, megjithatë mallëngjimi e bënte të veten disi fshehurazi, thellë në mua e në mënyrë mjaft të pamëshirshme. Edhe herë të tjera, kur mësyja në vendlindje, më lindte dilema: ditëve të punës njerëzia janë të zënë, të shtunave e të dielave shkojnë në shëtitje e vikende. Gjatë verës – mësynin lumenj, liqene e dete, gjatë dimrit struken në shtëpi pranë vatrës. Por kur ndodhte të mos i takoj të dashurit e mi as në pranverë a në vjeshtë, atëherë më vinte të këlthas për midis rruge nga shpirti: janë të gjallë këta njerëz a jo?!? Kështu gëzohesha me të mësyrë dyerve të vendlindjes, e në anën tjetër pikëllohesha teksa hyja në zemrën e saj. Me të kthyer nga vendlindja, i merrja vesh thuaja që të gjitha: disa shokë u ishin dhënë gotës, pijes e kafeneve që kishin vërshuar qytetin kryq e tërthor, anembanë e cep më cep, disa i ishin dorëzuar kumarit, duke e kaluar tërë natën në lojë e ditën në gjumë, disa edhe sot e kësaj dite nuk mund ta frenonin veten duke shkuar pas grave të huaja, e për disa të tjerë… nuk mund të thosha asgjë saktësisht.
E ndeza një cigare nga pakoja e re mu para qoshkut të duhanit. Më parë ia zgjata një cigare dhe Njeriut mendjeshprishur V., po nuk e mori. E shikoja dhe më shikonte drejt e në sy. Nuk di se ç’ndiente ai tek e shikoja unë më se butësisht, miqësisht, njerëzisht. Por e ndieja se si më shikonte ai mua. Disi përhumbshëm: as gëzohej e as pikëllohej qartë.
Vendlindja ime është aq larg këmbë e aq afër me automjet. Dyzet kilometra më! As babanë e as nënën nuk i shoh aq shpesh në ëndërr sa vendlindjen. Mbase pse ajo është e gjallë, e qëndrueshme, e amshueshme. Edhe nëse nuk ia mësyj, edhe nëse nuk shkoj, edhe nëse nuk i afrohem, ajo më pret, më grish, më përshëndet. Unë e dëshiroj, e rikujtoj, e imagjinoj. Dhe kjo më shkakton kënaqësi e dhembje, më nxit dashuri e vuajtje, më ngjall frikë e shpresë, si gruaja e dashur që mund të ndodhet larg dhe asisoj na bëhet më e bukur, më e freskët, më e re. Dhe nuk di deri kur do të gëzohem kur nisem drejt saj ballëhapët e do të pikëllohem kur ia kthej shpinën i lakuar si një kërryle plaku! Jo rrallë mendoj për njerëzit që e kanë braktisur përgjithmonë vendlindjen time, për ata që kanë mbetur përgjithmonë dhe për të tjerët që do ta përtërijnë përgjithmonë. Shtëpitë e vjetra kanë ndërruar pronarët, mëhallët emrat, e njerëzit kanë ngelur me dëshira, ëndrra dhe gjakime të njëjta. Prandaj ndiej nevojë për të njohurit, të dashurit, miqtë e vjetër e të rinj, shokët e fëmijërisë e, ndoshta, (një ditë), edhe të pleqërisë! Derisa ndonjëherë qëndrojmë pranë e pranë, diçka në vete më thotë se nuk jam i vetmuar, Biseda spontane ma përmbush zemrën, ndonëse në raste të ndryshme më mjafton dhe veç heshtja. Jo rrallë më tregojnë ngjarje, të bëma e vaki për bashkëqytetarë të rëndomtë, të gjallë a të vdekur, e mua me orë të tëra nuk më kujtohen fytyrat e tyre, tiparet karakterizuese, portretet. Hidhërohem në vete, ndiej sekëlldi, njëfarë faji për mbamendjen time harrestare kur kujtesa duhet të ishte aduti im kryesor në çdo bisedë. E ç’do të ngjajë më vonë me kujtesën time, – e qortoj veten si fëmijën. Ndoshta, i them vetes, kjo s’është veçse pasojë e jetesës sime copa-copa në vendlindje, prandaj dhe copa-copa e vizatoj hapësirën e saj, copa-copa e imagjinoj kohën dhe copa-copa i përfytyroj njerëzit në të. Derisa i takoj ata në rrugë, ashtu kalimthi, bindem se pleqtë i janë afruar kufirit të amshimit, burrat trokasin në dyert e pleqërisë, të rinjtë me të gjitha shenjat e jashtme burrërohen, e për fëmijët nuk mund ta them asnjë të vetmen fjalë. Edhe moshatarët e mi, të shumtët, më duken disi të mplakur para kohe, të tkurrur në vete, të rrëzbitur nga barra e jetës. Ca më preftojnë para syve të thinjur në kokë, të rrudhur në fytyrë dhe të nemitur në gojë. Athua i shikoj tashti, me flet një zë nga brendia, athua i paramendoj pas dhjetë vjetësh apo edhe i kam fiksuar kushedi se kur me sytë e mi të fëmijërisë! Si ai protagonisti i ri i përjetësuar në “Pikturën e Dorjan Grejit”, në romanin omonim të Uajldit, që proteston çdo ditë te miku i vet piktor përse ai vetë sa vjen e mplaket e portreti i tij mbetet i njëjtë, i pandryshuar, i ri Unë veten nuk mund ta njoh përditë, me ndryshime e shndërrime, mirëpo tek i takoj të tjerët rrallë e për mall, më bëhet se vetvetiu diçka në mua rebelohet kundër ligjit natyror.
I drejtohem në emër Njeriut mendjeshprishur V. Veç emrin ia zë ngoje dhe nuk di se ç’t’i them tjetër. Ai vetëm e hap gojën. Kujtoj se në mos i ka ardhur të folurit pas kaq kohe. Por jo, ai sall merr frymë thellë, mbase shan e psherëtin. Gjatë kohës sa qëndrojmë para qoshkut të duhanit, bindem se askush më nuk e gërget, nuk e tall, nuk e hidhëron. As fëmijët, as të rinjtë, pa lëre më pleqtë që venë e vijnë atypari. Një natë më parë, rastësisht, në muhabet e sipër (tek kushërinjtë e mi, mora vesh se qyshkur i qenka shpërngulur familja në Anadoll, njeriu mendjeshprishur V. ka mbetur fikall vetëm. Ia shihja pikëllimin në sy, vetminë në gojë, harrimin në fytyrë.
Prore mendoj për marrëdhënien unë – vendlindja dhe anasjelltas. Nuk di mirëfilli pse dhe si më imponohet ky raport, por për të më munduar më mundon gjithsesi. Në çastet e mia vetmimi, intimisht, kujtoj se vendlindja është borxhli imi. Që nga fëmijëria ime, Rinia. Dhe më pastaj. Nga ana tjetër, po të shoshitej puna mirë, ndoshta po këtë mendim e ka dhe vendlindja për mua. Se jam borxhli i saj: nga e djeshmja, e sotmja, apo e nesërmja. Epo, kush është ai që i pajton njëanshmëritë se! Unë dhe vendlindja kurrë deri në fund nuk ia çelim zemrën njëri-tjetrit. Heshtim, druajmë dhe besojmë. Ka të ngjarë se na pëlqen ta ruajmë nga një sekret të vogël për tjetrin në vetvete. Kultivojmë me ngulmë gjuhën e mallëngjimit, të ngashërimit, të nostalgjisë. Qysh kur jam bërë i vetëdijshëm për veten time, kam ëndërruar, dëshiruar dhe kam provuar ta ndërtoj, ta zbukuroj dhe ta lulëzoj vendlindjen, por s’kam mundur! Unë nuk e kam rrënuar Çarshinë e vjetër, unë nuk i kam shkelur varret, unë nuk ua kam treguar njerëzve udhën e kurbetit. Përkundrazi. E kam futur vendlindjen në vjershë, në tregime, në romane. S’do mend: edhe romani më vëllimor është i vogël për ta nxënë krejt madhështinë e vendlindjes, por përpjekjet e mia janë evidente, materiale, fakte. Natyrisht, as njerëzit nuk mungojnë aty: edhe ata të gjallë, edhe ata të vdekur, edhe ata që konsiderohen të humbur nëpër kohë, nëpër hapësirë, nëpër botë. Kuptohet se prore e kemi më së vështiri me të gjallët. S’kam mundur t’i përfytyroj as më të bukur e as më të shëmtuar, as më të mëdhenj e as më të vegjël, as më të mirë e as më të këqij seç janë në të vërtetë. Kush e do vendlindjen, nuk ia tregon shëmtinë. Kush e do mikun, nuk ia fsheh as veset. Kush e do gruan – e këtu qëndron puna ndryshe – vetëm gruas nuk i zbulohet asnjëra anë e vërtetës. Sikur edhe të më hidhëroheshin njerëzit, kurrë nuk do të mund të me grindnin me vendlindjen. Vendlindja e ka zemrën e madhe, krahët e gjerë dhe prehrin e ngrohtë. Ajo ta ruan djepin e mbyllur, t’i shënon gjurmët e hapave dhe – për çdo rast – ta lë varrin e hapur! Vendlindja, fjala vjen, më ka dëbuar qysh si foshnjë gjashtëmuajshe. Mirëpo ishte kohë lufte. Vendlindja më ka lëshuar nga gjiri si fëmijë. Atëherë shkonim pas Lukës. Vendlindja më ka hapur shtegun tutje si i ri. Duhej nxënë diçka më shumë se shkronjat, alfabeti dhe numrat. Dhe kurrë s’e kam harruar rrugën e kthimit. Më merrte ngrykë. E shtrëngoja fort e fort. M’i ndizte kandilat e gëzimit e të pikëllimit. Asnjëherë nuk trokitja në derë. Nga të katër anët mund të hyja lirisht, natën, pa letërnjoftim. Prore do t’i kthehem. Ndoshta kurrë njëherë e përgjithmonë. Por në vazhdime, pashkëputshëm, përjetësisht. Çdo çast, çdo ditë, çdo vit më mban urtësia e saj. Po lindin dhe miq të rinj. Po shtohen. Trungu gjenealogjik ka fruta shumë…
Qëndroja ballë për ballë me Njeriun mendjeshprishur V. As uleshim e as bisedonim. Thjesht së thjeshti shikoheshim. Nuk dija nëse bluante diçka në atë kokën e tij të vogël. Po edhe kjo imja kërkëllonte disi në të thatë. Ia zgjata edhe një cigare duhan. Nuk e deshi. Ia bleva një pako “Bozhur”. Nuk e mori. Futa dorën në xhepin e sakës, nxora një grusht monedhash (se bankënotat e dija se i refuzonte) dhe ia lëshova lehtas, butësisht e me ngadalë në dorë. Pa i shikuar fare, sa çel e mëshel sytë, i hodhi tutje në trotuar! Pashë se si u shpërndanë gjithë rrëmbim, dhe dëgjova krismën metalike që lëshonin pas vetes. Nuk bënë punë as fjalët, as lutjet e as përbetimet që ia drejtova. E shikova edhe një herë. Më vështronte ngulmërisht. Në fytyrën e tij nuk mund të lexoja më gjë prej gjëje. Mbase kish edhe gëzim, edhe pikëllim, edhe hidhërim. Kalimtarët e rastit, që ndoqën skenën pa fjalë, më ngushëlluan me shikime, më buzagaz, më përdëllim nemitës. Vazhdova rrugën, eca, ika.
Edhe Njeriu mendjeshprishur V., athua, kishte zënë të më harronte ngadalë!
Marrë nga libri “Satana ma vodhi gurin e urtisë”.
Zgjodhi, radhiti dhe korrektoi: Sh. B. “Armagedoni”.
Titulli i tregimit: “Vendlindja është si gruaja”.
Titulli në gazetën “Epoka e re”, i redaksisë së Sh. B. “Armagedoni”.