Vendos Këshilli Drejtues: PDK-ja nuk e mbështet Vjosa Osmanin për presidente
Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës ka vendosur unanimisht që të mos e përkrah Vjosa Osmanit për presidente të Kosovës. Kështu ka bërë me dije ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj.
“Një prej vendimeve të rëndësishme është që Këshilli Drejtues në mënyrë unanime nuk e mbështet kandidaturën e zonjës Osmani për të qenë presidente”, ka thënë Hoxhaj pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të PDK-së, raporton “Epoka e re”.
Hoxhaj ka treguar se në këtë takim të KD të PDK-së kanë folur për reformat në parti dhe për për përgatitjen e zgjedhjeve lokale.
“Kemi pasë një mbledhje jashtëzakonisht të mirë të Këshillit Drejtues ku kemi nxjerrë 3-4 vendime që janë jetike për të ardhmen e PDK-së. Nën një, Këshilli Drejtues ka ngarkuar PDK-në që të del me një dokument strategjik se si të ndodhë reforma në PDK. PDK-ja ka nevojë të hapet, të sjellë kuadra të reja. E dyta, kemi marrë vendim të kemi një strategji të detajshme se në çfarë forme të bëhet opozitë nga PDK-ja, ku obligohet kryesia qendrore të hartojë dokument të tillë ndërsa grupi parlamentar do jetë zbatues i saj. Së treti, kemi miratuar kalendar për zgjedhjet lokale”, ka deklaruar Hoxhaj.