Vendos qeveria, banesa e konfiskuar i jepet për strehim 11-vjeçares që ishte viktimë e trafikimit
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar propozim-vendimin për dhënien në shfrytëzim të një banese të konfiskuar me qëllim të strehimit të viktimës së trafikimit, e njohur edhe si rasti i 11-vjeçares.
Banesa prej 100 metra katrorë do të jepet në shfrytëzim për të dhe familjen e saj.
Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti, ka thënë se kjo dëshmon përkushtimin e qeverisë për mbështetjen e viktimave, sidomos të atyre që janë viktima të dhunës.
“Komisioni rekomandues i Ministrisë së Drejtësisë ka rekomanduar dhënien në shfrytëzim të banesës së konfiskuar me sipërfaqe prej 100 metra katrorë për viktimën e trafikimit dhe dhunimit dhe familjen e saj e njohur edhe si rasti i 11-vjeçares. Përmes veprime të këtilla, ne edhe një herë dëshmojmë përkushtimin tonë për mbështetjen e viktimave, veçanërisht për viktimat e dhunës”, ka thënë Kurti.
Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se banesa e konfiskuar do të jepet për shfrytëzim për një periudhë 5-vjeçare, duke mos specifikuar lokacionin dhe detajet e tjera, siç ka bërë me dije ajo për arsye sigurie.
11-vjeçarja dyshohet se gjatë vitit 2022 është dhunuar nga pesë persona në Prishtinë dhe gjatë vitit 2023 sipas dyshime ishte dhunuar përsëri në strehimoren në të cilën po rehabilitohej.