Vendosen pllaka në shtëpitë që shërbyen si baza të UÇK-së
Brigada 173 “Gursel e Bajram Sylejmani” e Zonës Operative të Karadakut ka vendosur pllaka në shtëpitë që kanë shërbyer si baza të UÇK-së gjatë luftës në Kosovë.
Dy pllaka të tilla u përuruan në Smirë të Vitisë, në shtëpinë e Kemajl Demirit dhe të Feriz Ahmetit.
Ish-komandanti i kësaj brigade, Selami Neziri – “Agroni”, ka thënë se këto pllaka po vendosen për t’i identifikuar shtëpitë baza, në shërbim të luftës.
“T’i bësh konak në atë kohë UÇK-së nuk ka qenë fare e lehtë. Ata që kanë pranuar që dikush me uniformë, i armatosur, me disa njerëz të hyjë në atë familje, e kanë llogaritur sakrificën më sublime, qoftë edhe të shfaroset me gjithë familjen. Në këto dy shtëpi në Smirë gjatë luftës ka qëndruar komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Nerodimës, Shukri Buja”, ka thënë ndër tjera Selami Neziri.
Ai ka treguar se vitin e ardhshëm do të vendosen pllaka edhe në dy shtëpi të tjera në Smirë dhe kështu do të vazhdohet edhe në fshatra tjera të komunës së Vitisë.
Familjarët e familjeve Demiri dhe Ahmeti janë falënderuar për këtë mirënjohje që po iu bëhet atyre për kontributin në shërbim të luftës.
Sejdi Ahmeti, pjesëtar i Brigadës 173 “Gursel e Bajram Sylejmani”, ka thënë se këto pllaka po vendosen në disa fshatra të Komunës së Vitisë, me rastin e 20-vjetorit të fillimit të organizimit të luftës në Komunën e Vitisë.
Pllaka që identifikojnë shtëpitë baza të UÇK-së janë vendosur edhe në Sllakovc, Zllatar, Ramjan, Pozheran, Sadovinë e Jerlive dhe Remnik.
/Epoka e re/