Vendoset E-kiosku në ARC
Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC) në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të premten kanë mbajtur ceremoninë e vendosjes së E-kioskut në ambientet e ARC-së.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Selami Shkodra dhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, kanë prezantuar E-kioskun e ri, me shumë funksione të reja, ndryshe nga E-kiosku që është vendosur vite më parë.
Përveç certifikatës së lindjes, ekstraktit, certifikatës së vendbanimit, certifikatës së shtetësisë, certifikatës së martesës dhe tatimit në pronë tani në E-kioskun e ri do të mund të nxirren këto dokumente dhe të paguhet aty për aty.
Në të njëjtin aparat është i vendosur edhe telefoni që lidhet direkt me Qendrën e thirrjeve të komunës së Prishtinës, ku secili qytetar mund ta informojë komunën për çdo parregullsi.
Ky është projekt i komunës së Prishtinës, ndërsa Agjencia për Regjistrim Civil ka lejuar hapësirën për vendosjen e E-kioskut, me qëllim të lehtësimit të shërbimeve për qytetarët e Prishtinës, të cilët tashmë të gjitha shërbimet mund të kryhen në një vend.
/Epoka e re/