Vendoset gurthemeli i çerdhes së re në Roganë

10 mars 2025 | 15:57

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe kryetarin e Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, kanë vendosur gurthemelin e çerdhes së re në Roganë të Kamenicës.

Objekti i çerdhes së re, është bashkëfinancim i MASHTI-t (me 90%) dhe Komunës së Kamenicës (me 10%), do të ketë një sipërfaqe prej 594 metra katrorë. Punimet parashihen të përfundojnë për 12 muaj dhe në total çerdhja do t’i ketë gjashtë klasa me kapacitet 100 deri 120 fëmijë gjithsej.

Me këtë rast, kryeministri Kurti ka thënë se është një lajm shumë i mirë për banorët e Roganës dhe për qytetarët e Kamenicës në përgjithësi, duke pasur parasysh rëndësinë e arsimit në fëmijëri të hershme.

“Ky investim në arsim dhe atë në arsimin në fëmijëri të hershme, kur gjithnjë e më shumë studimet tregojnë që janë hapat vendimtarë për ngritjen e ardhshme në profesion, në karrierë dhe për bërjen e fëmijëve, një ditë, qytetarë intelektualë të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Kjo është çerdhja e dytë që po ndërtohet gjatë këtij mandati, duke e bërë kështu Kamenicën me gjithsej tri çerdhe. Siç ka thënë kryeministri, kryetari Rahimaj ka gjetur në funksion vetëm një çerdhe nga viti 1981, e cila është rinovuar, dhe tashmë janë shtuar edhe çerdhja në Koretin dhe kjo e sotmja në Roganë.

Ai ka uruar të gjithë qytetarët, e në veçanti bashkatdhetarët, të cilët kur të vendosin që të kthehen në Kamenicë do të kenë çerdhe për fëmijët e tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Reprezentuesi shqiptar, Mirlind Daku, ishte autor i dy golave për…