Vendoset gurthemeli për ndërtimin e Bibliotekës së Qytetit “Latif Berisha” në Mitrovicë
Në Mitrovicë u bë vënia e gurthemelit për ndërtimin e Bibliotekës së Qytetit “Latif Berisha”, projekt ky shumë i mirëpritur nga qytetarët e komunës. Në ceremoninë e vënies së gurthemelit të Bibliotekës së Qytetit të pranishëm ishin, kryetari i komunës Bedri Hamza, nënkryetari Arian Tahiri, kryesuesja e kuvendit Vesa Broja, drejtoresha e DKRS-së, Valdete Idrizi, drejtorë të drejtorive komunale, asamblistë, drejtorë të shkollave të qytetit, studentë dhe nxënës.
Në fjalën e tij kryetari i komunës, Bedri Hamza, ka theksuar se ndihet jashtëzakonisht i lumtur që sot së bashku po vendosin themelet e ndërtimit të një objekti i cili do të jetë një burim i madh i dijes dhe kulturës për të gjithë qytetarët, veçanërisht për nxënësit, studentët dhe lexuesit e këtij qyteti.
“Ndarja dhe financimi i projekteve në arsim dhe kulturë asnjëherë nuk llogaritet si shpenzim, përkundrazi, është investimi më i duhur për të ardhmen. Ky objekt i ka munguar qytetit të Mitrovicës, dhe nga sot do të jetë një vlerë e shtuar për qytetin dhe lexuesit mitrovicas. Urime dhe shihemi në përurimin e objekteve të reja të rëndësisë së veçantë për qytetarin e komunës sonë”, është shprehur Hamza.
Ndërsa, drejtoresha e DKRS-së, Valdete Idrizi, ka thënë se qytetaret e këtij qyteti, e në veçanti lexuesit kanë vuajtur gjatë në mungesë të një hapësire për një bibliotekë e cila që nga paslufta është bartë në disa vende.