Vendoset pengesa në hyrje të Brezovicës
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, është duke përgatitur strategji dhe plane konkrete për mbrojtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të parqeve kombëtare që janë nën përgjegjësi të MMPH-së, duke respektuar ligjet në fuqi.
Në kuadër të këtij plani të mërkurën në hyrje të Qendrës Turistike në Brezovicë është rikthyer pengesa e cila tash e tutje do të menaxhohet nga MMPH-ja.
Ministrja Reshitaj këtë vendim e ka marrë në dhjetor të vitit që shkoi. “Vendosja e saj do t’i mënjanojë keqpërdorimet e mundshme nga persona të paautorizuar të cilët në të kaluarën kishin obliguar qytetarët të paguajnë për hyrje dhe qëndrim në qendrën turistike”, është bërë me dije në komunikatën e MMPH-së.
Deri në vitin 2015 të gjitha pjesët e parkut “Sharri” janë menaxhuar nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, përveç pjesës së Shtërpcës e cila është menaxhuar për shumë vite jashtëligjshëm nga një kompani e ashtuquajtur “Serbia suma”, së cilës i janë marrë pajisjet dhe objektet që ka shfrytëzuar.
Kjo kompani jashtëligjshëm kishte vendosur pengesën në hyrje të parkut në Brezovicë dhe mjetet e arkëtuara i kishte marrë për vete.
Brezovica si qendër skijimi i takon zonës së dytë dhe të tretë të parkut kombëtar “Sharri” të shpallur më 1984 dhe të zgjeruar në dhjetor të vitit 2012 me ligjin e ri të parkut kombëtar “Sharri”.
Sipas këtij ligji, parku menaxhohet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, konkretisht Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës.