VENDOSJA DHE LARGIMI I FLAMUJVE
Lulëzim ETEMAJ
Rreth gjashtë vite ka qenë jetëgjatësia e flamurit të Kosovës tek rrethi në hyrje të Prishtinës, i vendosur me rastin e shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008.
Ai ishte hequr dhe zëvendësuar në natën e 27 nëntorit 2013 me flamurin kombëtar. Prokuroria Themelore e Prishtinës kishte ngritur aktakuzë ndaj Salih Zybës, anëtar i Kryesisë dhe tashmë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, për largimin e flamurit shtetëror.
Pa u mbushur pesë vite, flamuri kombëtar e ka pësuar fatin e 2013-s të flamurit të shtetit të Kosovës. Veçse tashmë si largimi ashtu dhe ngritja e tjetrit flamur është bërë nga shteti i Kosovës. Sikur ky shtet të mos kishte fare detyra dhe obligime të tjera, të karakterit vendor dhe ndërkombëtar.
Faktikisht, veprimet e natyrës së tillë, më parë se sa detyra, janë provokime të pastra dhe paraqesin dhunim ndjenjash të shumicës së qytetarëve të shtetit, shqiptarëve, të cilët janë të lidhur përjetësisht me flamurin kombëtar.
Lidhjet e shqiptarëve të Kosovës me flamurin kombëtar janë lidhje shekullore, ndërkaq ato me flamurin e shtetit tashmë sa do të mbushin 10 vite. Këta flamuj, aktualisht, vetëm mund ta përplotësojnë njëri tjetrin.
Kryeministri Hardinaj gaboi kësaj radhe kur urdhëroi heqjen e flamurit kombëtar. Nuk është dashur ta bënte atë që s’e kanë bërë Mustafa i LDK-së dhe as Thaçi i PDK-së, si kryeministra paraprak.
Gaboi dhe e lëshoi prej dore rastin që përmes frymës së tolerancës dhe jo të përjashtimit, t’i vendoste pranë njëri tjetrit flamurin kombëtar dhe atë shtetëror. Kështu jo vetëm që do të ndikonte në relaksimin e situatës në prag të festës së 10-vjetorit të pavarësisë, porse edhe do t’i hapte perspektiva të reja flamurit shtetëror në rrugëtimin për të qenë më i pranueshëm dhe rrjedhimisht edhe i respektueshëm nga qytetarët shqiptarë të Kosovës.
Fundi, Kosova nuk bëhet më shtet duke hequr një flamur dhe vendosur një tjetër.