Vendosja e kuotave tatimore, Hoti: Kaos, pamundëson importin me çmime të lira

13 gusht 2024 | 11:48

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj një udhëzimi administrativ të vendosur nga Qeveria e Kosovës për vendosje të kuotave tatimore për import.

Ai ka vlerësuar se ky udhëzim krijon kaos dhe pamundëson importimin e mallrave me çmime të lira. “Udhëzimi Administrativ 06/2024 për vendosjen e kuotave tatimore në import, i miratuar nga Qeveria më 07.08.2024, do të shkaktoj kaos në importe, do të riorganizoj tregtinë me jashtë mes kompanive kosovare dhe vendeve nga vijnë importet, si dhe do të pamundësoj importin me çmime më të lira. Pasojat do t’i bartin qytetarët pasi çmimet e mallrave nga importi do të rriten, duke e rënduar koston e shportës së konsumit. Është e pakuptueshme se si disa nga odat ekonomike nuk po reagojnë për këtë anomali në politikat tregtare. Në vend të masave për mbështetje të prodhuesve vendor për të zëvendësuar mallrat nga importi, këta qeveritarë miratojnë udhëzime për administrim të importeve”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.

Më tutje, ai ka thënë se qeveria Kurti nuk ka asnjë politikë ekonomike përmbajtjesore.

“Fatkeqësisht, në këto katër vite qeverisje nuk ka pasur asnjë politikë ekonomike substanciale. Si rezultat, deficiti tregtar është thelluar për 2.2 miliardë euro. Sikur të ishin zbatuar vetëm masat e politikës fiskale 2.0, e lënë në gjysmë në qeverinë Mustafa në vitin 2017, situata ekonomike do të ishte krejt ndryshe. Për t’i kujtuar ato masa, në vijim po jap listën e masave nga pakoja fiskale 2.0 që ishte miratuar në qeverinë Mustafa në vitin 2017, por që nuk u zbatua për shkak të ndryshimeve në qeverisje: 1. Lirimi nga tatimi doganor për produktet që konsiderohen si lëndë e parë për prodhim që nuk prodhohen në vend, sipas regjistrit të prodhuesve në ATK. 2. Heqja e normës së akcizës në mazut për prodhim dhe shqyrtimi i formave të riimbursimit të akcizës në verë. 3. Ndryshimi dhe plotësimi i listës së produkteve që i nënshtrohen normës së reduktuar 8 për qind të TVSh-së për aktivitetet kulturore, artistike, sportive, turistike, akomodim dhe rekreacion dhe përpunimi i peshkut. 4. Udhëzimi Administrativ për Pushimet Tatimore për nxitjen e investimeve në sektorë të veçantë me potencial për zhvillim dhe punësim në Kosovë: bujqësi (agro-procesim), turizëm dhe IT, për një periudhë të caktuar kohore. 6. Nxjerrja e aktit nënligjor për kushtet e caktuara nën të cilat pranohen për qëllime tatimore humbjet nga prishja, avullimi apo humbja e peshës së produkteve sipas normativave të BE-së. 7. Krijimi i kodeve të reja tarifore për disa produkte, sipas praktikave të BE-së. 8. Krijimi i listës së rejtingut të kompanive sa i përket përmbushjes së obligimeve tatimore, respektimit të legjislacionit të punësimit dhe legjislacionit tjetër, e cila listë përfiton trajtim të veçantë në procedurat administrative. 9. Licencat – krijimi i portalit të transparencës. 10. Fiskalizimi. 11. Rishikimi i Ligjit për lojërat e fatit me qëllim të harmonizimit të kërkesave ligjore me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe harmonizimin me institucionet tjera. 12. Lista e prodhuesve vendor, të cilët marrin trajtim të veçantë administrativ. 13. Ndryshim/plotësimi i Ligjit për të ardhurat e korporatave dhe Ligjit për të ardhurat personale për të adresuar: (i) tatimimin e kompanive të sigurimit dhe (ii) rishikimin e tatimit të mbajtur në burim për grumbulluesit e produkteve bujqësore. 14. Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për TVSh-në për të adresuar tatimin për aktivitetet e transportit rrugor ndërkombëtar të pasagjerëve, me qëllim të harmonizimit të plotë me Direktivat e BE për TVSH. 15. Trajtimi i importit të telefonave mobil përmes aktiviteteve të shtuara dhe të përbashkëta të ATK-së dhe Doganës së Kosovës. 16. Rregullimi i tregut të shitjeve online. 17. Rishikimi gradual i akcizës në pije të gazuara dhe jo të gazuara. 18. Trajtimi i importit të pajisjeve prodhuese në formë parciale. 19. Akciza në alkoolin etilik për përdorim në mjekësi. 20. Trajtimi i mostrave me rastin e zhdoganimit. 21. Nxjerrja e Udhëzimit Administrativ për skemën e veçantë për arin e investueshëm me qëllim të trajtimit të sektorit të arit në përputhje me praktikat ndërkombëtare. 22. Ruajtja e konkurrencës së drejtë përmes shqyrtimit të monopoleve potenciale në treg”, ka shkruar Hoti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka…