Vendosja e reciprocitetit për tabela nuk shkelë të drejtat e njeriut!

21 shtator 2021 | 14:43

Reagim i KMDLNj-së

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit për targa ndaj Serbisë nxiti shumë reagime të Serbisë si dhe serbëve të instrumentalizuar, shtetas të Kosovës që në kundërshtim të këtij vendimi bllokuan rrugën me kamionë dhe automjete sikur që ngritën edhe tenda në pikëkalimin kufitar duke e pamundësuar në këtë mënyrë lirinë e lëvizjes. Serbia urdhëroi Ushtrinë e saj që të lëvizë drejt kufirit sikur që, në kundërshtim të vendimit të Qeverisë së Kosovës dhe organizim të popullatës për mosbindje, rol të madh luajtën politikanët serbë që njëkohësisht janë bartës të posteve të rëndësishme në Qeverinë e Kosovës dhe të institucioneve tjera. KMDLNj përkujton opinionin se Marrëveshja për Targa dhe Lëvizje të Lirë e nënshkruar në Bruksel kishte përfunduar kohë më parë dhe në mungesë të një marrëveshjeje tjetër, Qeveria e Kosovës përkatësisht Ministria për Punë të Brendshme nuk ka asnjë detyrim ndaj palës tjetër e cila i detyron të gjithë shtetasit e Kosovës që hyjnë në territorin e Serbisë që të heqin tabelat dhe të paguajnë një shumë të caktuar. Nuk ka vend në rajon që nuk e ka bërë unifikimin e tabelave të regjistrimit për automjete ndërsa Kosovës i është imponuar që të ketë tre (3) tabela të regjistrimit; të Serbisë, KS të trashëguara nga UNMIK-u dhe tabelat e ligjshme dhe të rregullta RKS. Veprimi i Qeverisës së Kosovës nuk është i njëanshëm por i ligjshëm dhe shprehje e sovranitetit shtetëror ndërsa pikërisht veprimi i Serbisë është i njëanshëm dhe me qëllim të destabilizimit të situatës. KMDLNj thërret të gjitha partitë politike opozitare të përkrahin pa asnjë rezervë këtë vendim të Qeverisës së Kosovës dhe të këmbëngulin që ky vendim të respektohet dhe të zbatohet për aq kohë sa edhe Serbia të fillojë të sillet si një shtet fqinj që nuk ndërhynë në punë të brendshme të një shteti që është i pavarur dhe sovran e që është Republika e Kosovës. Me vendimin e fundit të Qeverisës së Kosovës me asgjë nuk shkelen të drejtat e njeriut sepse vetëm zbatohet legjislacioni në fuqi që është i njëjtë për të gjithë qytetarët e Kosovës pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, racore, bindjeve politike apo statusit në shoqëri.
Bllokimi i rrugëve me kamionë dhe automjete tjera e pamundëson lirinë e lëvizjes, si njërën ndër vlerat elementare dhe të rëndësishme të drejtave të njeriut prandaj KMDLNj kërkon nga Qeveria e Kosovës që të ndërmerr veprime për krijimin e kushteve për liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe shtetasit e shteteve tjera që e përdorin këtë rrugë.
Për KMDLNj-në do të ishte më e pranueshme që zgjidhja të bëhet përmes arritjes së një marrëveshjeje të pranuar nga të dyja shtetet e që nuk i dëmton interesat por definitivisht nuk duhet më të lejohet anarki të tabelave të regjistrimit apo lëvizje klandestine të qytetarëve nga Serbia në Kosovë, pa iu nënshtruar një kontrolli siç vlen për të gjithë ata që hyjnë në Kosovë.
KMDLNj mirëpret çdo marrëveshje të drejtë e që ndikon në shtensionimin e situatës që është tensionuar nga Serbia, në mënyrë të njëanshme e që nuk prek integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës. KMDLNj thërret politikanët e komunitetit serb, shtetas të Kosovës të kontribuojnë në normalizimin e situatës dhe të sillen si qytetarë të Kosovës që përfaqësojnë dhe mbrojnë interesin e qytetarëve serbë, por jo vetëm serbë të Kosovës, gjithnjë duke respektuar ligjet e Kosovës dhe Kushtetutën e vendit. Në të kundërtën duhet të shkarkohen nga pozitat që mbajnë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtarja e famshme, Camila Cabello, është fotografuar një ditë më…