Venezuela zhytet në errësirë

08 mars 2019 | 14:24

Venezuela është në errësirë totale. Pjesa më e madhe e vendit përballet me ndërprerje të energjisë elektrike. Shkëputja e dritave në kryeqytetin Caracas la pothuajse në errësirë totale gjithë qytetarët mbrëmjen e së enjtes. Mungesa e energjisë elektrike ka bërë që të anulohen fluturimet në Caracas.

Qeveria e Presidentit Nicolas Maduro ka fajësuar opozitën, duke e akuzuar për sabotim. Maduro akuzon liderin e opozitës dhe të vetëshpallur si President, Juan Guaido, se po organizon grusht shteti me ndihmën e “imperialistëve amerikanë”. Nga ana tjetër, Guaido tha se shkëputja e energjisë ka shkaktuar kaos, zemërim dhe shqetësim.

“Kjo është dëshmia e paefektshmërisë së uzurpatorit. Dritat do të rikthehen pasi z.Maduro të largohet nga pushteti”, ka thënë lideri i opozitës.

Edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo i cili reagoi për situatën e krijuar, fajësoi qeverinë e Maduros.

“S’ka ushqime, s’ka ilaçe, tani s’ka as energji. Më pas, nuk do ketë as Maduro”, ka shkruar ai në “Twitter”.

Energjia elektrike e Venezuelës është e varur nga hidrocentralet dhe nuk shfrytëzon rezervat e naftës. Mungesa e investimeve ka bërë që digat më të mëdha të vendit të degradojnë dhe ndërprerjet e energjisë të jenë të shpeshta. /tvklan.al/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ditën Ndërkombëtare të Gruas, organizata “Reporterët pa Kufij” e ka…