Vengu mirëpret vendimin e NATO-s për shtimin e trupave të Shqipërisë në Kosovë
“Shqipëria është e angazhuar për të investuar më tej në infrastrukturën mbështetëse të NATO-s”.
Kështu është shprehur ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, i cili ka pritur në një takim të veçantë të dërguarin special të Mbretërisë së Bashkuar në Ballkanin Perëndimor, lord Stuart Peach, pasi ka ardhur në Shqipëri, në kuadër të Stërvitjes së Përbashkët “Austere Wolf – 24”, shkruan “Shqiptarja”.
“Si vend anëtar i NATO, pozicioni i privilegjuar gjeografik i vendit tonë na angazhon për të investuar më tej në infrastrukturën mbështetëse për Aleancën”, ka thënë ai.
Ministri Vengu dhe lord Stuart Peach kanë vlerësuar maksimalisht ndërveprimin mes trupave shqiptarë dhe britanikë në stërvitjen “Corridor VIII Response”.
“Në Korridorin VIII po punohet intesivisht në disa lote, për të vijuar më tej me projektin madhor të portit në Porto Romano, një pjesë e të cilit do të jetë i dedikuar për përdorim ushtarak”, ka thënë ai.
Gjatë bisedës me zyrtarin e lartë britanik, ministri Vengu ka diskutuar rreth situatës së sigurisë në rajon përfshirë edhe veriun e Kosovës, për të cilën Shqipëria jo vetëm mirëpret vendimin e Aleancës për shtimin e trupave atje, por edhe ka rritur praninë e ushtarakëve shqiptarë në misionin e KFOR.
Po ashtu, Vengu e ka njoftuar lord Peach me hapat që Shqipëria ka ndërmarrë për rijetëzimin e Industrisë Ushtarake, duke ftuar për investim dhe bashkëpunim çdo agjenci apo kompani britanike.