Vepër atdhetare e paharrueshme
Imer Xhemail LLADROVCI
Një vit më parë u nda nga ne luftëtari kombëtar Agron Haradinaj. Ndarja e tij ishte vetëm fizike, sepse ai mbetet edhe më tej pjesë e jona e gjallë.
Ekziston një sentencë nga Egjipti i lashtë që flet për jetën e njeriut pas vdekjes dhe vdekjen e tij përfundimtare. Sipas kësaj thënie njeriu vdes për herë të parë në momentin kur pushon së marri frymë dhe, për së dyti, kur emri i tij shqiptohet për herë të fundit. Me këtë sentencë ne mësojmë se në këtë botë asgjë nuk është e dhënë një herë e përgjithmonë. Gjërat mund të ndryshojnë, edhe në kahje të papritur në kuptimin që të mos konsiderohet i rëndësishëm dallimi mes të mirës dhe të keqes. Diçka që është arritur me shumë mundim e flijime mund të humbet, nëse nuk kujdesemi dhe nderojmë ata që na bënë këta që jemi. Ai që nuk e vlerëson atë që ka, mund ta humb shpejt dhe të mos mund ta rikthejë më kurrë. Jetojmë në një kohë jashtëzakonisht dramatike! Kujtesa gjithmonë është në funksion të lirisë, sepse vetëm përmes saj ne mund të bëjmë krahasimin me gjendjen ku ishim dje e ku jemi sot. Dallimi mes skllavërisë dhe lirisë është i madh. Këtë gjë e dimë të gjithë që jemi këtu, por në shoqërinë tonë ka edhe qarqe shoqërore që këtë dallim nuk duan ta bëjnë, madje hapur thonë se Serbia nuk na i kufizonte liritë tona fetare. Kombëtarja për ta s’është fare e rëndësishme. Asgjë në jetë nuk vjen vetëvetiu, falas, kështu as liria që e gëzojmë ne sot nuk na u dhurua. Por, në anën tjetër, nuk duhet harruar as faktin tjetër që morëm ndihmë të madhe nga jashtë. Për çdo luftë çlirimtare kjo ndihmë është vendimtare.Ky përvjetor dëshmon se Agron Haradinaj është larguar nga mesi ynë vetëm fizikisht, ai vazhdon të jetojë në zemrat tona. Ne që kujtojmë nuk mund ta harrojmë kurrë kontributin e tij politik para vitit 1990 dhe pastaj në luftën çlirimtare të UÇK-së. Kujtimi për të do të jetojë në breza, sa të ketë shqiptarë. Ajo që ka bërë ai vetë, me familjen e tij dhe me shokët e luftës nuk mund të harrohet kurrë, sepse kjo harresë do të ishte e barabartë me vetëharresën, sikur populli shqiptar ta harronte veten e tij, pra diçka krejt e pamundshme. Duke e kujtuar figurën e tij ne bëjmë që të mos harrohet një kohë me të vërtetë e rëndësishme e kombit tonë, epopeja e qëndresës dhe e luftës sonë të madhe. Ne, në këtë mënyrë, vëmë nga një gur në themelin e shteti tonë për të cilin punoi politikisht dhe luftoi me armë në dorë Agron Haradinaj. Ai, gjithë jetën e tij, ishte në luftë me Serbinë si pushtuese, politikisht kur rezistenca bëhej me politikë dhe në luftën çlirimtare kur lufta bëhej me armë. Pa asnjë dyshim, është lehtë të thuhen këto fjalë për të, por për ta jetuar jetën e tij ka qenë tmerrësisht vështirë. Them pa e tepruar se bëhet fjalë për një jetë heroike, jetë e një atdhetari, në çdo aspekt e pazakontë. Agron Haradinaj nuk ishte si të tjerët, në qenien e tij kishte diçka të veçantë. Ai nuk u vra në frontin e luftës, se në asnjë luftë nuk vriten të gjithë, por vdekja e tij lidhet drejtpërdrejt me luftën, me plagët qe ai i mori aty, në fushëbetejë. Në rrethana të tjera, nëse në Kosovë nuk do të kishte pasur luftë, pra nëse ajo nuk do të kishte qenë e pushtuar, Agron Haradinaj do të kishte qenë sot midis nesh, sepse trashëgonte parametra të mirë shëndetësorë në kuptimin gjenetik të fjalës, por ai qëkur u burgos për herë të parë, si djalosh 16 vjeçar, e deri në çlirimin e Kosovës në vitin 1999 iu ekspozua faktorëve të rrezikshëm për shëndetin dhe jetën e tij. Jeta e një njeriu të tillë është ndoshta
përherë e rrezikuar, por në luftë ajo në çdo sekondë është përballë mohimit të saj, vdekjes, vrasjes.
Agroni, në frontin e luftës, ishte vazhdimisht në linjën e parë, ku, siç thuhet në popull, njeriu vdekjen e ka më afër se këmishën në trup, por ai nuk kishte frikë. Agroni e donte shumë jetën, por jo pa dinjitet, jo jetën e robit. Për lirinë e popullit të tij në çdo moment ishte i gatshëm të flijohej. Për këtë mund të flasë kushdo që është takuar një herë të vetme me të, por shumë më bindshëm ata që kanë qenë bashkëveprimtarë në kohë të vështira dhe bashkëluftëtarët e tij në frontin e luftës. Ai e dinte se vlera e lirisë personale në mes njerëzve jo të lirë është tepër e ulët. Njeriu i lirë në këtë mjedis lirinë e tij mund ta ushtrojë vetëm si arbitraritet apo si solidaritet, por njeri i lirë, në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale, nuk mund të konsiderohet. Mes njerëzve të tillë ka vetëm fatkeqësi dhe mjerim. Dhe, Agroni nuk mund ta duronte këtë atmosferë të rëndë trishtimi. Në fund të fundit ishin pikërisht këto rrethana që e çuan atë kah liria e vërtetë, që e bënë atë luftëtar të paepur. Jemi dëshmitarë se vdekja e tij nuk ishte një vdekje momenti, por një vdekje e ngadalshme që zgjati pothuajse një çerekshekulli të tërë.
Plagët e luftës atë e kthyen në një figurë mitologjike si Gjergj Elez Alinë. U bë shumë për rikuperimin e asaj që kishte humbur në luftë, por në fund gjithçka ndeshi në kufijt e skajshëm të jetës dhe kështu para një vitesh Agroni iu bashkua në botën tjetër mësuesit dhe babait të tij, Ismajl Haradinajt, që vdiç në vitin 2009. Këto dy vdekje, që i ndajnë shumë vite në mes, nuk ishin vdekje të zakonshme, por gjama të vërteta, sepse ikjen e tyre në amshim e vuajtën shumë njerëz, një popull i tërë, ata që i njihnin përmes veprimtarisë dhe përmes luftës dhe ata që s’i njihnin personalisht, por që e dinin se vepruan e luftuan gjithë jetën, pa kursyer asgjë, për lirinë kombëtare të shqiptarëve. Jeta që jetuan ata ishte jetë e vështirë dhe, pafundësisht, e mundimshme, por ata e dinin se këto flijime i bënin për diçka të madhe, ndaj dhe qëndruan me guxim e vetëmohim.Ne që sot i kujtojm e dimë se pa punën e luftën e tyre ne kurrë nuk do të ishim këta që jemi sot. Fryma e shenjtë e atdheut i bëri at dhe bir të paharrueshëm. Asnjë shqiptare e shqiptar përballë këtij kontributi dhe këtyre jetëve plot mundime e flijime nuk mund të qëndrojë mospërfillës, gjakftohtë. Duke e njohur jetëshkrimin e Agron Haradinajt dhe të familjes së tij ne e kuptojmë më mirë jetën në përgjithësi dhe të kaluarën tënë në veçanti. Liria e jonë nuk piku nga qielli, ajo ka rrënjë të thella e shumë të hidhura, rrënjë gjaku. Para do kohësh nëna e Agronit dhe shoqja e Ismajlit, Nezaqete Haradinaj tha se kur i përcolli djemtë e saj Nasimin, Naimin dhe Agronin në luftë nuk u mërzit sikur në kohën kur ata i burgosnin dhe i fusnin në burg, duarthatë përballë xhelatëve. Kjo asimetri e pafuqisë përbënte një shqetësim të madh për çdo shqiptare e shqiptar në atë kohë të nëpërkëmbjes sonë. Megjithatë, ajo ua dha një porosi djemëve të saj: Mos i fëlliqni duart me ata që dikur ishin në shërbim të Serbisë dhe për llogari të saj bënë gjithçka kundër rinisë shqiptare.
Kjo nënë që dikur vizitonte në burgje të shoqin, djemtë dhe vajzat e saj të burgosura e ndjente veten të lehtësuar që në përballjen e fundit në luftë ata nuk ishin më duarthatë, por kishin diçka në dorë, do të ishin në gjendje ta mbronin veten.Meqë ra fjala për armët, duhet të shtojnë se lufta ishte krejtësisht e pabarabartë, si pothuajse çdo luftë çlirimtare. Gjithmonë ekziston kjo asimetri mes pushtuesit dhe të pushtuarit, madje edhe në Ukrainën e mbështetur maksimalisht nga Perëndimi në fushën e armatimit konvencional rusët e ruajnë siprinë e tyre në armët bërthanore. Shqiptarë e kishin lirinë në zemër e në mendje, por në duar kishin armë të vjetra, jo të sofistikuara siç i kishte ushtria serbe përballë tyre. Shqiptarët luftuan me armë të lehta përballë një ushtrie që kishte në arsenalin e saj të gjitha llojet e armëve, duke filluar nga pushkët, tankset dhe mbërritur te avionët modern luftarakë, që herë pas here i bombardonin pozitat e UÇK-së. Në një sulm të tillë Agroni mori tronditje të rënda, të pashërueshme. Shkurt: shqiptarët luftuan përballë kësaj ushtrie me armë që nuk mjaftonin as për vetëmbrojtje. Kështu deri me 24 mars 1999 kur luftës së tyre iu bashkuan ushtritë më të forta të botës. Në mbrëmjen e kësaj dite filluan bombardimet e NATO-së dhe kështu ndryshoi jo vetëm historia jonë, por edhe ajo e gjithë botës. Shtypi kombëtar dhe ai botëror e quante UÇK-në ushtria tokësore e NATO-së. Mund të thuhej edhe se aviacioni i NATO-së ishte aviacioni i UÇK-së që ishte në gjendje të godiste çdo pikë në Jugosllavinë e atëhershme.
Dihet se nuk ka njeri e popull në botë pa të kaluar siç nuk ka askund lisa e bimë pa rrënjë. Ekzistenca, ajo që duket, ka edhe një anë tjetër që nuk e kap syri i njeriut, dimensionin e padukshëm. Ajo që shohim është kurora e lisit, trungu, degët dhe gjethet, por rrënjët nuk i shohim me sy, por vetëm me mendje. Dhe i ndjejmë me zemër. Në anën tjetër dihet se e tashmja dhe e ardhmja e çdo njeriu apo bashkësie varet nga e kaluara e tij apo e saj. Ekziston këtu një kontinuitet kohor misterioz që e determinon ekzistencën fizike të çdo gjëje që gjallon mbi dhe.
Mosekzistenca bëhet kusht themelor i ekzistencës. Mosekzistenca dhe joekzistenca në gjuhën tonë shënjojnë dy gjëra të ndryshme. Përmes mosekzistencës ne e bëjmë joekzistente diçka që ka ekzistuar ç’është e vërteta, por që për botëkuptimin tonë në perspektivën revizioniste ishte e dëmshme ose u bë në ndërkohë e tillë në kuptimin e qortimit se ata që duan të marrin sot flamurin në jetën publike dikur nuk ishin kurrëkund. Jo, thonë ideologët mercenarë, ne kemi qenë gjithmonë në ballë, por ju nuk na keni vënë re.
Filozofja e njohur Simone Vajl (Simone Weil) thotë se një nga krimet më të mëdha është shkatërrimi i të kaluarës. Ky shkatërrim mund të realizohet në shumë mënyra. Njëra prej armëve kundër të kaluarës është apatia, mospërfillja e rëndësisë së asaj që ka ndodhur në të kaluarën, duke e shpjeguar atë si një zhvillim të parëndësishëm. Kështu po hynim edhe ne në epokën postfaktike ku jo e vërteta, por interpretimi i saj është qenësor. Por njerëzit reaguan fuqishëm me refuzim ndaj kësaj çasjeje të re ndaj fakteve të jetës. Kjo rrethanë bëri që sulmi të bëhej frontal. Mercenarët nuk e mohonin luftën, por e shpjegonin ndryshe atë, dmth. si diçka nuk ishte aq e rëndësishme siç paraqitet. Në këtë mënyrë dëshmorët dhe luftëtarët e gjallë të UÇK-së vriteshin për së dyti.
Vaso Pashë Shkodrani në fund të shekullit XIX në një vjershë të tij që formulon në vargje programin politik të Rilindjes tonë Kombëtare kur thoshte se “feja e shqiptarit është shqiptaria“. Në kohën tonë kontestohet ky program si një synim primitiv, sepse shqiptaria nuk mund te jetë, sipas mercenarëve, fe. Por ai, pa asnjë dyshim, nuk e konsideron një religjion që e mohonte shqiptarinë fe. Dhe që të jemi objektiv, nuk ishte vetëm islami që e mohonte shqiptarinë. Ekzistonte edhe një konfesion tjetër fetar që ishte kundër kërkesave shqiptare për mëvetësi. Në kohën tonë nuk ka ndryshuar pothuajse ende asgjë në këtë pikë. E njejta kishë vazhdon të jetë edhe më tej kundër shqiptarëve, sidomos atyre jashtë Shqipërisë londineze.
Sytë janë për të parë, thotë me të drejtë Zhan-Poll Sartri (Jean-Paul Sartre) dhe vazhdon, nëse nuk përdorën në këtë funksion, atëherë duhet t‘i përdorim për të qarë. Shkurt, gjithçka është e qartë për ne sot. Me këtë qartësi e shihte çështjen shqiptare edhe rilindasi Vaso pashë Shkodrani, porositë e të cilit ne duhet t‘i kuptojmë drejt dhe jo siç duan armiqtë tanë që të mbetemi në sipërfaqen e fjalëve. Nëse ai thoshte “mos shikoni kisha e xhamia“ ai kështu thoshte një të vërtetë të madhe. Nuk ishin vetëm xhamitë kundër shqiptarëve, por edhe kishat, po të njejtat kisha që edhe në ditët e sotme janë kundër shqiptarëve. Çdo shqiptare e shqiptar që ka sy e veshë e se për cilat institucione fetare islamike e të kishtera bëhet fjalë sot. Ashtu ishte edhe në kohën e Vaso pashë Shkodranit.
Sidoqoftë,kujtimi ynë për Agron Haradinaj është edhe një meshë shqiptarie, sepse ne këtu përkujtojmë një njeri që gjithë jetën e tij punoi për kombin e tij, dmth,për shqiptarinë.
Autori është ish konsull dhe shef i Konsullatës se Republikës së Kosovës në Stuttgart dhe Vjenë të Austrisë.