Vepra e Adem Demaçit do të jetojë brez pas brezi
Me një minutë heshtje në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” ka filluar mbledhja komemorative e cila është mbajtur të hënën në nderim të figurës së veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Adem Demaçi, i cili ka ndërruar jetë javën e kaluar.
Profesoresha Myrvete Dreshaj-Baliu në shenjë të homazhit ka shpalosur para të pranishme pjesë nga biografia e Demaçit.
“Është vështirë të gjesh një moment të rëndësishëm dhe vendimtar të popullit tonë, është vështirë të identifikosh një mal sfidash, sakrificash, luftash e vlerash intelektuale e historike të popullit shqiptar në të cilat të mos ketë reflektuar Bac Adem Demaçi, në një mënyrë apo në një tjetër, e të mos ketë reflektuar emri, mendimi vepra dhe biografia jetësore e tij. Me jetën dhe veprën e tij prej eruditi lidhi konceptet politike dhe vetëdijen historike të popullit tonë, e me jetën dhe veprën e tij janë të bashkuara përpjekjet e kombit tonë dhe perspektiva e domosdoshme e bashkimit si akt i natyrshëm i popujve historik të Evropës dhe popujve me vetëdije historike, siç janë shqiptarët”, ka thënë ajo.
Ndërsa rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema, ka thënë se lajmi për vdekjen e Demaçit ka prekur zemrat e shqiptarëve kudo.
Ai ka thënë se vepra e Demaçit do të jetojë gjatë brez pas brezi dhe do të kujtohet në mesin e studentëve.
Dema ka shtuar se Demaçi i ka trajtuar të gjithë njëjtë, pavarësisht përkatësisë kombëtare apo fetare.
Ai ka thënë se ndjehet krenar që UP-ja ka arritur që ta nderojë veprimtarin Demaçi, gjatë kohës sa ai ishte gjallë.
Në anën tjetër, djali i Adem Demaçi, Shqiptari, ua ka freskuar kujtesën të pranishmëve, duke kujtuar pjesë nga protestat për këtë universitet.
Po ashtu ai ka përkujtuar çmimet që babai i tij ka marrë nga faktorët ndërkombëtar.