Vepra e Astritit Thaçit do të jetojë gjatë
Në sallën e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Rahovecit, u mbajt mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së Astrit Thaçi, këshilltar në Kuvendin Komunal të Rahovecit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, i cili pas një sëmundje të shkurtër ka ndërruar jetë të martën.
Afrim Dina, kryesues i Kuvendit Komunal të Rahovecit në fjalimin e tij ka thënë se e ka shumë të vështirë të pajtohem se po mban fjalë mortore për kolegun që deri dje ishte përkrah tyre.
“E kam të pamundur ta bind veten dhe juve se më nuk është në mesin tonë njëri nga kolegët dhe bashkëpunëtorët e palodhshëm. Vdekja e hershme dhe e pa pritur e kolegut tonë na ka tronditur të gjithëve, nuk do të dorëzohemi para kësaj humbjeje të madhe, do të jemi krenar që e patëm në mesin tonë. Vepra e Astritit do të jetojë gjatë, ndërkaq puna dhe entuziazmi i tij do të na shërbejnë si frymëzim në rrugëtimin tonë, tashmë pa të”, ka thënë Dina.
Në fjalën e tij kryetari i Komunës, Smajl Latifi, ka thënë se lajmi për humbjen e Astritit i ka lënduar shumë.
“Ishte një lajm që të bie si gur në shpirt dhe të shkakton trazim. E kam njohur atë para angazhimit në jetën publike dhe e kam vlerësuar shpirtin e tij human e atdhetar. Duke qenë se jemi produkt të një tërësie shoqërore dhe hallet e shqetësimet i kemi pasur të ngjashme dhe se nga ne kërkohej angazhim i përbashkët për të tejkaluar sfidat, Astriti u rreshtua aty ku i takonte, duke e përmbushur obligimin e tij si qytetar i këtij vendi. Edhe pas përfundimit të luftës Astriti nuk pushoi së punuari për përmirësimin e gjendjes ekonomike të familjes dhe shoqërisë tonë. Puna me përkushtim e tij dhe e familjes Thaçi janë të dukshme dhe për këtë duhet të falënderohet publikisht në këtë ditë morti ideatori dhe organizatori i veprimtarive afariste Astrit Thaçi”, ka deklaruar Latifi.
Ndërsa, Rasim Fazliu shef i grupit të këshilltarëve të PDK-së në fjalimin e tij u shpreh se e kemi pranuar me pikëllim dhe dhembje të madhe lajmin për ndarjen e hershme dhe të papritur nga jeta të Astrit Thaçi.
“Nuk e kemi të lehtë të pajtohemi me humbjen e tij, sepse deri dje ishim bashkë me të ndanim së bashku mendimet për aktualitetin, për punën dhe për jetën në përgjithësi. Astriti ishte njeri me të cilin mund të bisedoje për të gjitha çështjet, sepse atë e karakterizonte maturia, urtësia, mençuria dhe mendimi i pjekur-kritik. Për PDK-në Dega në Rahovec, ndarja nga jeta e Astritit, është një humbje e madhe e pakompenzueshme, sepse humbëm veprimtarin e palodhshëm, mikun e bashkëpunëtorin e ngushtë”, ka thënë Fazliu.
Varrimi i të ndjerit Astrit Thaçi do të bëhet sot në orën 14:00, në vendlindjen e tij në fshatin Kramovik të Komunës së Rahovecit.
/Epoka e re/