Vepra ime bindej vetëm ndaj ligjeve të letërsisë
Romancieri i njohur shqiptar Ismail Kadare, ka vdekur pasi u dërgua me urgjencë në një spital në Tiranë, tha të hënën botuesi i tij. Ishte 88 vjeç – shkruan AP për vdekjen e Kadaresë, në lajmin që është publikuar në shumë media të botës.
“Kadare është përmendur prej kohësh si pretendent i mundshëm për çmimin Nobel për Letërsinë. Redaktori i Shtëpisë Botuese Onufri, Bujar Hudhri, tha se autori i njohur vdiq të hënën në mëngjes. Një infermiere në spital, e cila foli në kushte anonimiteti sepse nuk ishte e autorizuar të fliste me shtypin, tha se ai u dërgua në dhomën e urgjencës pasi pësoi arrest kardiak. Kadare u bë i njohur ndërkombëtarisht pas botimit të romanit të tij Gjenerali i ushtrisë së vdekur, në vitin 1963, kur Shqipëria ende qeverisej nga qeveria komuniste e diktatorit të ndjerë Enver Hoxha. Kadare u largua nga Shqipëria në Francë në vjeshtën e vitit 1990, vetëm pak muaj para rënies së regjimit komunist pas protestave studentore dhjetorin e kaluar. Jetonte në Paris dhe pak kohë më parë ishte kthyer në Tiranë. Vitin e kaluar, presidenti francez Emmanuel Macron ia dha atij titullin Oficeri i Lartë i Legjionit të Nderit, gjatë një vizite të presidentit francez në kryeqytetin shqiptar. Franca e kishte bërë më parë edhe bashkëpunëtor të huaj të Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike, si dhe Komandant të Legjionit të Nderit. Kadare është vlerësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare për veprat e veta, të cilat përfshinin më shumë se 80 romane, drama, skenarë, poezi, ese dhe përmbledhje tregimesh të përkthyera në 45 gjuhë”, thuhet në lajm.
Ndër çmimet letrare që ka fituar janë këto: Prix mondial Cino Del Duca (Francë, 1992); Boccaccio (Itali,1997); Herder Prize (Gjermani, 1998); Ovid Prize (Rumani, 2003); Man Booker International (Britani, 2005); Premios Princesa de Asturias (Spanjë, 2009), Lerici Pea (Itali, 2010); Jerusalem Prize (Izrael, 2015); Nonino (Itali, 2018); Kyong-ni (Korea e Jugut, 2019); Neustadt International Prize (ShBA, 2020) etj. 15 herë është nominuar për Çmimin Nobel në Letërsi.
Juria e Çmimin Neustadt ka shkruar: “Kadare është pasardhësi i Franz Kafkas. Askush, që nga Kafka, nuk është thelluar në mekanizmin skëterrë të pushtetit totalitar dhe ndikimin e tij në shpirtin njerëzor – në aq thellësi hipnotike sa Kadare”.
Shkrimi i tij është krahasuar gjithashtu me atë të Nikolai Gogolit, George Orwell, Gabriel García Márquezit, Milan Kunderas etj.
The New York Times për të ka shkruar se ai ishte një figurë kombëtare në Shqipëri, e krahasueshme për nga popullariteti ndoshta me Mark Twain në Shtetet e Bashkuara dhe se “vështirë se ka një familje shqiptare pa një libër Kadare”.
Duke jetuar në Shqipërinë komuniste, Kadare sajoi manovra dinake për të mposhtur censuruesit komunistë që kishin ndaluar tre nga librat e tij, duke përdorur mjete të tilla si shëmbëlltyra, miti, fabula, përralla popullore, alegoria dhe legjenda, të spërkatura me dyfishime, aludim, insinuatë, satirë dhe mesazhe të koduara. Në The Financial Times, kur flet për frymëzimet, ai ka thënë se është ndikuar nga tre gadishujt e Evropës: Apeninet me Danten; Ballkani me tragjeditë greke dhe me baladat mesjetare shqiptare; dhe Gadishulli Iberik me Don Kishotin. Ishujt britanikë (Shakespeare). Letërsia ruse dhe e Evropës Qendrore (Kafka).
Shkrimtarja rumune Renata Dumitrascu ka thënë se karriera e Kadaresë ishte “ndërtuar mbi një premisë të dyshimtë”, duke deklaruar se “Kadare nuk është Solzhenitsyn dhe nuk ka qenë kurrë”.
“Ashtu si shumica e homologëve të tij në vendet e tjera komuniste”, shkroi Dumitrascu, “Kadare ishte kameleon i zgjuar, që luante me mjeshtëri rebelin aty-këtu për të emocionuar perëndimorët naivë që kërkonin zërat e mospajtimit nga lindja. Por, nuk ka absolutisht asnjë dyshim se çfarë lloj kafshe ishte dhe me çfarë tufe vrapoi; në fakt, rezymeja e tij bërtet për karrierizëm dhe konformitet”.
Kadare hodhi poshtë akuzat se ai kishte tregtuar me kredenciale të rreme, duke sugjeruar që kritikuesit e tij duhet të fokusoheshin në punën e tij. “Kurrë nuk kam pretenduar se jam ‘disident’ në kuptimin e duhur të termit”, tha ai për Jerusalem Post. “Opozita e hapur ndaj regjimit të Hoxhës, si opozita e hapur ndaj Stalinit gjatë mbretërimit të Stalinit në Rusi, ishte thjesht e pamundur. Disidenca ishte pozicion që askush nuk mund ta zinte, qoftë edhe për disa ditë, pa u përballur me skuadrën e pushkatimit. Nga ana tjetër, vetë librat e mi përbëjnë një formë shumë të dukshme të rezistencës ndaj regjimit”.
Kadare lindi më 28 janar 1936 në lagjen Palorto të Gjirokastrës. Ishte tetë vjeç kur u vendos regjimi komunist në vend. Kur ishte 13 vjeç zbuloi Makbethin e Shekspirit, dhe kështu i lindi dashuria për letërsinë. Në këtë moshë shkroi tregimet e para të cilat i botoi te revista Pionieri. Në moshën 17 vjeçare shkroi dy poezi për Stalinin gjë që, sipas Noel Malcolmit, ndihmoi në botimin e librit të tij të parë në moshën 18 vjeçare – një përmbledhje poetike e titulluar Frymëzime djaloshare.
Studimet universitare i kreu në Tiranë: më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës dhe u diplomua për Mësuesi. Shkroi romanin e tij të parë Mjegullat e Tiranës, të cilin e përfundoi në prag të vijimit të studimeve në Bashkim Sovjetik. Në vitet 1958-1960 studioi në Moskë, në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki”. Aty vendosi t’i hedhë poshtë kanonet e realizmit socialist dhe të shkruajë të kundërtën e asaj që dogma komuniste e quante letërsi “të mirë”. U detyrua t’i braktisë studimet për shkak të prishjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. U kthye në atdhe ku nisi punën si gazetar, por edhe si redaktor i seksionit të letërsisë së huaj në revistën letrare “Drita”.
Gjatë viteve 1950 dhe në fillimet e viteve 1960 u njoh për poezi, kurse duke filluar nga vitet 1960 edhe për prozë. Pas kthimit nga Moska, veprën Qyteti pa reklama e këshilluan që ta mbante të fshehur. Nga ky roman shkëputi një fragment, i cili u botua si novelë me titullin Ditë kafenesh – më 1962 te “Zëri i Rinisë”. Sapo doli nga shtypi u ndalua si vepër dekadente. Në vitin 1963 e botoi romanin Gjenerali i ushtrisë së vdekur, që trajtonte temën e një gjenerali italian dhe një prifti që vijnë në Shqipëri për të marrë eshtrat e ushtarëve italianë të rënë në Luftën e Dytë Botërore. Romani pasues, Përbindëshi, u botua në revistën “Nëntori”, por u ndalua.
Në fillim të vitit 1970, shtëpia botuese franceze Albin Michel botoi në frëngjisht romanin Gjenerali i ushtrisë së vdekur që pati jehonë të jashtëzakonshme në Francë dhe brenda tri vjetësh u përkthye në gati 20 gjuhë. Më tej iu rikthye prapë temave historike. Shkroi e botoi romanet Kështjella (1970) dhe Kronikë në gur (1971), të cilat u botuan në Francë njëra pas tjetrës.
Pas publikimit të dy romaneve me temë historike, Kadare u përball prapë me kritikat për shmangien e temave “aktuale”, prandaj mendoi të shkruante një roman me temë prishjen e Shqipërisë me vendet tjera komuniste në dimrin e viteve 1960-1961. Romanit ia vuri titullin Dimri i vetmisë së madhe.
Fillimin e tetorit të 1975 çoi për botim poemën Pashallarët e kuq, botimi i saj u pezullua me t’u lexuar nga redaktori. Pas një autokritike, Kadare u ndëshkua me vërejtje dhe paralajmërim për përjashtim nga Partia”.
I ndaluar për të shkruar romane, më 1978 kur u prishën marrëdhëniet me Kinën botoi përmbledhjen e parë me novela, Muzgu i perëndive të stepës, Ura me tri harqe, Kamarja e turpit dhe Komisioni i festës në një vëllim të përbashkët.
Në vjeshtën e 1980 vizitoi Kosovën me rastin e botimit të parë të kompletit të veprave të tij në Prishtinë.
Në vitin 1986 botoi romanin Krushqit janë të ngrirë që fliste për dhunën dhe terrorin që përdornin serbët kundër shqiptarëve në Kosovë. Romani ishte frymëzuar nga demonstratat e shqiptarëve të Kosovës më 1981.
Në fund të tetorit të vitit 1990 largohet për në Francë. Ikja e tij u mirëprit nga ata që donin demokratizimin e Shqipërisë, kurse pas arratisjes u shpall tradhtar dhe Ramiz Alia kërkoi ndjekjen penale të tij. ATSh ka shkruar: “Kadare dezertoi”! Pasi la Tiranën dhe aplikoi për azil politik në Francë, mundi të ushtrojë profesionin e tij në liri të plotë. Mërgimi i tij në Paris qe i frytshëm dhe i mundësoi sukses të mëtejshëm, si në shqip ashtu edhe në frëngjisht. [informatat e mësipërmen janë marrë nga Wikipedia]
Kadare la pas vetes gruan shkrimtare Helena Kadare dhe vajza Gresa dhe Besiana.
Në vitet ’90 Kadare loboi për Kosovën dhe përkrahu bombardimet e NATO-s kundër Serbisë. Ai ishte edhe kritik ndaj liderit të shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova. Kritikat i kishte bërë në veprën Ra ky mort e u pamë, por më 2013 e pranon se koha e ka dëshmuar se e drejta ishte në anën e Rugovës. “Është e vërtetë që i kam kritikuar Rugovën dhe Adem Demaçin. Ju tash mund të mendoni se unë do të them se kisha të drejtë me kritiken që i bëra Rugovës. Jo, koha e dëshmoi së e drejta ishte në anën e Ibrahim Rugovës. Unë e kisha kritikuar, kisha qenë i ashpër me të, ai më fali në takimin që kishim në shtëpinë e tij menjëherë pas luftës, ishte meritë e tij. Ai vdiq në paqe, ne u pajtuam, ishim miq“, ka thënë Kadare.
Në një intervistë për Telegrafin, botuar më 2012 pas publikimit të librit Mbi krimin në Ballkan – i cili përmban letërkëmbime me personalitete te shquara ndërkombëtare – Kadare ka thënë: “Ky libër është në kohën e vet … Kjo është një dëshmi e domosdoshme, e ngutshme pikërisht sot. Më mirë se kushdo, ju duhet të jeni në dijeni të fushatës që po zhvillon Serbia kundër të vërtetës në Kosovë. Fushata serbe është në kulmin e saj. Kjo fushatë është kundër së ardhmes së Kosovës. Ajo është kundër gjithë kombit shqiptar. Rrjedhimisht ky është problemi ynë numër një. Këtë nuk e kuptojnë vetëm militantët e skajshëm të partive. Për ta problemi numër një, i pari dhe i fundit, është ai që lidhet me partinë së cilës i përkasin. Militantizmi i skajshëm partiak është sëmundje e re që po bën kërdinë tek ne. Në qoftë se kjo patologji nuk luftohet, ajo do të sjellë tre të këqija të mëdha : rrezikimin seriozisht të demokracisë, thyerjen më dysh të kombit, ftohjen me aleatët perëndimorë”.
Në të njëjtën intervistë përmendet letrat e Vuk Drashkoviqit i cili më 1987 akuzon Kadarenë për trillime për historinë e shqiptarëve, veçmas të Kosovës. “Kjo letër e publikuar një çerek shekulli më parë është tepër kuptimplote për të kuptuar dramën e Kosovës. Ajo dëshmon se si është projektuar krimi, si do të kryhet ai krim, së fundi si do të përmbyset e vërteta, duke e hedhur fajin mbi shqiptarët. S’më ka habitur asnjë herë letra e Drashkoviqit. Ajo është në logjikën e projektit serb. Siç është shpjeguar në libër, ajo që më ka habitur kanë qenë sulmet nga krahu shqiptar. E sidomos nga disa shqiptarë të Kosovës. Do përpiqem ta shpjegoj thjesht: Tragjedia e Kosovës, si çdo tragjedi, pati prologun, zhvillimin dhe epilogun e saj. Bota, në radhë të parë Perëndimi, e ndëshkoi Serbinë. Serbia nuk e pranoi dënimin, pra, siç ndodh me gjyqet; kërkon sot apelim. Thelbi i çështjes nuk janë imtësira, por çështja themelore e moralit njerëzor: krimi. Në këtë shqyrtim të madh, si në çdo gjyq, moral ose të mirëfilltë, sulmi kundër dëshmitarëve ka rëndësi themelore. Siç është shpjeguar në këtë libër, duke u sulmuar autori, në të vërtetë është sulmuar dëshmitari. Dhe dihet se në një proces të tillë, të sulmosh dëshmitarin, dashur pa dashur bëhesh pjesë e krimit”.
Sam Sacks në një artikull në The Wall Street Journal të vitit 2018, të titulluar Ismail Kadare, ndërgjegjja e popullit të vet, shkruan: “Në një ese të vitit 1985 mbi Eskilin, shkrimtari shqiptar Ismail Kadare argumentonte se gjëja më e vlefshme e grekëve të lashtë – madje më e rëndësishme se shpikja e filozofisë dhe e demokracisë – ishte ndjenja e tyre e ‘keqardhjes kolektive’. Një thënie e guximshme: por, kini parasysh, që shekuj më parë grekët kishin zhvilluar një luftë të egër dhe të padenjë moralisht kundër Trojës”.
“Një qytetërim më pak i zhvilluar do ta kishte fshirë atë periudhë të turpshme nga kujtesa e vet. Në vend të kësaj, grekët e bënë atë gurthemelin e letërsisë së tyre. Krimi u ekspozua nga të gjitha këndet prej vetë grekëve, pa ndonjë presion të ushtruar nga kombe të tjera”, shkruan Kadare. “Ishte një ekzorcizëm i pashembullt, një akt tronditës, në të njëjtën kohë duke çliruar dhe emancipuar. Për herë të parë në historinë e njerëzimit, ndërgjegjja e një populli po e kalonte me dëshirë duket një trazirë e tillë”.
Sipas Sacksit, që prej viteve 1960, Kadare ka ndjekur shembullin e grekëve në të gjitha rrethanat e pamundura. Ai ishte autori më i njohur i Shqipërisë nën sundimin stalinist të Enver Hoxhës, që udhëhiqte regjimin e kolektivizimit të detyruar dhe shtypjes së pamëshirshme nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 1985. “Kadare është autori më i njohur i vendit të tij. Për nga natyra e vet, totalitarizmi synon ta mbajë ndërgjegjen në një gjendje gjumi. Kadare zor se qe i lirë nga ndërhyrja e shtetit, për shkak të karrierës së tij; ai lëvizi mes lëshimeve dhe kodifikemeve të kritikave të qeverisë së Hoxhës; ai herë u botua dhe herë u censurua. Megjithatë, siç tregojnë tre libra të përkthyer rishtas, ai i mbeti besnik asaj që e ka quajtur ‘funksioni themelor i letërsisë: mbajtja e moralit ndriçues’”, ka shkruar Sacks për të cilin romani E penguara, botuar në vitin 2009 – me një histori që vendoset në fillim të viteve 1980 – zbulon një shëmbëlltyrë të tundimeve të pushtetit. Sack ka marrë në shqyrtim edhe veprat Kamarja e turpit, por nuk lë pa përmendur edhe Pallatin e ëndrrave apo Ura me tri harqe. Për Kamaren e turpit shkruan se kjo vepër ilustron fiksionin disashtresor që krijoi gjatë sundimit të Hoxhës.
Kritiku i njohur amerikan, Richard Eder, për Kadarenë ka shkruar: “Bota e Ismail Kadaresë është një lloj anti-materie. Shkatërron tonën. Vetëm se ndryshe nga ç’ndodh me grimcat elementare në fizikë, bota e tij plotëson tonën duke lënë gjurmë të jashtëzakonshme”.
Në lajmin e botuar nga The Guardian, për vdekjen e Kadaresë, Richard Lea ka shkruar: “Kur romani i tij i një fortese shqiptare që i rezistonte ushtrisë osmane turke në shekullin XIV u shfaq në anglisht në vitin 2008, LA Times sugjeroi se autori ishte ‘ndër shkrimtarët më problematikë të mëdhenj në letrat bashkëkohore perëndimore. Por, kjo nuk duhet t’i pengojë lexuesit të shijojnë Rrethimin [Kështjella] për atë që është, një vepër domethënëse nga një autor i rëndësishëm, magjepsës. Një vit më vonë, Kadare këmbënguli se ai ‘nuk ishte një shkrimtar politik dhe, për më tepër, se për sa i përket letërsisë së vërtetë, në fakt nuk ka shkrimtarë politikë. Mendoj se shkrimi im nuk është më politik se teatri antik grek. Do të isha bërë shkrimtari që jam në çdo regjim politik’. Kur u kthye në Tiranë për të shënuar hapjen e një muzeu në ish-banesën e tij, në vitin 2019, Kadare tha për France 24 se vepra e tij ‘i bindej vetëm ligjeve të letërsisë, nuk i bindej asnjë ligji tjetër’. ‘Njerëzit që jetuan këtë periudhë ishin të pakënaqur’, tha ai, ‘por arti është mbi të gjitha. Arti nuk është as i pakënaqur dhe as i lumtur nën asnjë regjim’”. /Telegrafi/