Veprimtares Gosalci i kthehet flamuri që e kishte qëndisur gjatë luftës çlirimtare

07 janar 2025 | 13:48

Veprimtarja Shefqete Gosacli, ka bërë me dije se i është kthyer flamuri kombëtar të cilin e kishte qëndisur gjatë luftës çlirimtare.

“Ky flamur është fëmiu im, çika e djali, dashnia, gjaku, dhimbja, plaga, krenaria, lavdia, është atdheu, është liria. Për dy muaj e gjysmë sa e qëndisja, shpesh mëngjesi na ka zbardhë bashkë. Ngutesha të ngritej sa më shpejt. Të lartësohej.  Ndihem e nderuar që mu besua një detyrë e tillë nga shtabi i Gueriles së Prishtinës dhe e falënderoj Zotin që e kreva detyrën me përgjegjësi maksimale”, ka shkruar Gosalci në “Facebook”.

Ajo ka thënë se ky flamur gjatë luftës ka qendruar i lartësuar në shtabin e UÇK-së në Zllashë.

Njoftimi i plotë dhe pa ndërhyrje  i Gosalcit:

Dje, e hënë datë 6 janar 2025, pas shumë betejash të luftës dhe të pasluftës u kthye në shtëpi të vet, flamuri im që e kam qëndisur gjatë luftës në Kosovë (tetor-dhjetor 1998), në shtëpinë e babës tim Ismajl Gosalcit (Heroi im, ndjesë pastë) në lagjen e spitalit në Prishtinë. Bac, faleminderit përjetësisht që na rrite e na edukove në frymën kombëtare dhe na përkrahe e na besove. Të pata babë dhe shok.

Ky flamur është fëmiu im, çika e djali, dashnia, gjaku, dhimbja, plaga, krenaria, lavdia, është atdheu, është liria.

Për dy muaj e gjysmë sa e qëndisja, shpesh mëngjesi na ka zbardhë bashkë. Ngutesha të ngritej sa më shpejt. Të lartësohej.

Ndihem e nderuar që mu besua një detyrë e tillë nga shtabi i Gueriles së Prishtinës dhe e falënderoj Zotin që e kreva detyrën me përgjegjësi maksimale.

Do ta bëja prapë po të jetë nevoja.

Falënderoj Zotin që më dha forcë, vullnet, energji, besim e guxim për ta marrë përsipër qëndisjen e Tij dhe qepjen e 250 palë uniformave ushtarake për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) (për të cilat më ka ndihmuar kojshikja ime Bahtije Berisha) me aq përkushtim, në kohë lufte.

Shqiponjën në flamur e ka vizatuar nipi im Besnik Fazliu.

Materialin për uniforma ma kanë sjellë në shtëpinë time Dr. Flora Brovina dhe Dr. Emin Kabashi.

Zoti e din sa më ka munguar e sa shumë kam luftuar në heshtje, për ta gjetur. Shpresën se kam humbur kurrë. Ja që ndodhi.

Historiku:

Këtë flamur kombëtar e kemi dorëzuar unë dhe motra ime Shyhretja (kolonele e UÇK-së), (e cila e ka pas mbështjellë për trupi), më 14 janar 1999 në Shtabin e Brigadës 153, në fshatin Zllashë në shtëpinë e Komandantit Fatmir Sopi.  Flamurin ja kemi dorëzuar Valon Muratit (kryetar i atëhershëm LKÇK-së).

Pas bartjes së tij nëpër shumë beteja të UÇK-së flamuri është ngritur nga njësitet e Gueriles së Prishtinës në lagjen Kolovica e re (në shtëpinë e familjes Deshishku) në Prishtinë më 11 qershor 1999, një ditë pa hyrë forcat e KFOR-it, në Kosovë.

Pas çlirimit është dorëzuar në Komandën e Zonës së pestë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës.

Zoti e din sa më ka munguar dhe sa shumë kam luftuar në heshtje për ta gjetur.

Shpresën te Zoti se kam humbur kurrë, që drejtësia të shkoj në vend. Historia është aq kryeneçe dhe e vërteta shpesh vonohet por vjen. Ja ndodhi.

Shtëpia jonë në lagjen e spitalit në Prishtinë për  afër 10 vite ka qenë bazë e strehimit të shumë veprimtarëve ilegal të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK).

Në këtë shtëpi është shtru sofra e buka, është hap zemra dhe dera për çdo çlirimtarë e çlirimtare. Familja ime e madhe 12 anëtarëshe, prindërit Gjyla dhe Ismajli, motrat Nexhmija, Kumrija, Shyhretja, Hanifja, e Burbuqja dhe vëllezërit Gafurri, Muhameti, Muharremi e Mentori, kanë qenë në shërbim të luftës çlirimtare. (Gafurri e Muhameti nga mërgimi na kanë furnizuar me materjale logjistike dhe të holla).

Tre anëtarë të familjes i jemi bashkuar UÇK-së.

Prej muajit Mars 1998 deri në përfundim të luftës familja jonë ka strehuar disa familje(me 40 anëtarë), të zhvendosura nga zonat e lutës.

Mes gjithë këtyre obligimeve familjare, kam kryer në heshtje e pa bujë obligimet e mia kombëtare.

Këtë flamur ia dedikoj çdo pike të gjakut të derdhur shqiptar, të çdo periudhe për liri e pavarësi, çdo fëmiu shqiptar therrur në barqe nënash, nga ushtria e policia serbe, pleqëve e grave të pambrojtura, civilëve të paarmatosur, heronjve e dëshmorëve. Gjakut të Adem , Shaban e Hamëz Jasharit, Fazli Grajqevcit, Bekim Berishës-Abejës, Ylfete e Mentor Humollit, Nurije Zekës, Fahri e Bahri Fazliut, Agron Rrahmanit, Ismet Asllanit, Hyrë Eminit, Luljeta Shalës,  Rrahim Beqirit, Luan e Shkelzen Haradinaj, Xhevë Krasniqit-Lladrovcit, Fatime Hetemit, Yllka Domit, Indrit Carës-Kavajës, Shaban Shalës, Vëllezërve Bytyqi që erdhën nga Amerika kur i thirri gjaku. Zahir Pajazitit, Mehë Ukës, Ilir Konushefcit, Rrahim Samiut, Agim Bajramit, Edmond Hoxhës,

Mujë Krasniqit, Hyzri Tallës, Tahir Sinanit, Aze Brahimajt, Skerdilajd Llagamit, Mujdin Aliut, Përmet vulës, Elton Zherkës, e të gjithë të rënëve për liri.

Falënderoj bashkëluftëtarët Fatmir Humolli (që u bë sebepi për ta gjetur flamurin dhe Shaip Hazirin që e ka ruajtur.

Pasi të çmallem me të, këtë flamur të bukur kombëtar së shpejti do ta dorëzoj  në Muzeun e Republikës së Kosovës për të pushuar   aty përjetësisht.

Sa më shumë dhe sa më parë që të vetëdijesohemi ti ruajmë, ti vlerësojmë, ti çmojmë e nderojmë luftëtarët e lirisë aq më shpejt do të ecim përpara dhe të prosperojmë si Komb, dhe e kundërta.

Gjaku u bëftë dritë për kombin tonë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministrja e Integrimeve Edita Tahiri, ka akuzuar kryeministrit Albin Kurti…