Veprimtari 102-vjeçar, Rexhep Balidemaj takon gjeneralin Clark: Ti na ke shpëtuar në kohën e shfarosjes
Veprimtari i çështjes kombëtare, Rexhep Balidemaj, 102 vjeç, ka takuar ish-komandantin e NATO-s, Wesley Clark, i cili ka udhëhequr fushatën e bombardimeve të NATO-s më 1999.
Balidemaj e ka falënderuar Clarkun që e ka shpëtuar popullin shqiptar në kohën më të vështirë të tij. Ai e ka quajtur “hero” dhe “shqiptar” Clarkun.
“Ti na ke shpëtuar në kohën më të vështirë që ka jetë me kenë… në kohën e shfarosjes. Shumë falimineres që mu dha rasti me pa komandantin e NATO-s, me pa heroin tonë, shqiptarin tonë”, ka thënë Balidemaj.
Videon e ka postuar në “Facebook” Bardhyl Mahmuti, një ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Heroi i gjallë i kombit, Rexhë Balidemaj (102 vjeç), që ka kaluar 13 burgje të Jugosllavisë, i shpreh mirënjohje gjeneralit Clark për kontributin që ka dhënë gjatë luftës në Kosovë! Respekt i përjetshëm Hero i gjallë i Kombit, Rexhë Balidemaj! Mirënjohje e përjetshme gjeneralit Wesley Clark!”, ka shkruar ai.
Rexhep Balidemaj u lind më 19 dhjetor 1922 në fshatin Martinaj të Gucisë. Për shkak të pikëpamjeve atdhetare, në vitin 1949 u dënua me 6 vjet burg të rëndë, të cilin e mbajti në Burgun e Goli Otokut, burgu më famëkeq në ish-Jugosllavi.
Për herë të dytë u dënua me 3 vjet burg; për herë të tretë me dy vjet burg, të cilin e mbajti në Burgun e Kotorrit; për herë të katërt u dënua me 2 vjet burg, të cilin e mbajti në ishullin Gërgur, për herë të pestë u dënua me dy muaj burg; për herë të gjashtë u dënua me 5 vite burg, të cilat i mbajti në burgun e Prishtinës, Gjilanit dhe Gjurakovcit.
Në vitin 1946, ishte dërguar në Kiev të Bashkimit Sovjetik, (Ukrainë), ku kishte qëndruar dy vite dhe ishte aftësuat për pilot. Kështu ai edhe bëhet piloti i parë shqiptar i Aviacionit ushtarak. Në vitin 1948, kthehet në Zagreb të Kroacisë dhe fillon punën si pilot ushtarak.
Këtë biografi të tij e shkroi “Qendra: Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur”.
Ndërsa Bardhyl Mahmuti më herët kishte nisur një iniciativë që të shpallet Balidemajn hero nga institucionet e Kosovës.