Veprimtari Bislimi takon parlamentarë zviceranë, temë diskutimi Kosova dhe Gjykata Speciale
Drejtori i organizatës joqeveritare “Zëri Perëndimor i Kosovës”, veprimtari, Sali Bislimi, i cili jeton dhe vepron në Zvicër, të hënën ka zhvilluar takime me parlamentarë zviceranë, ku temë diskutimi ishte Kosova dhe Gjykata Speciale e Hagës.
Bislimi gjatë takimeve me parlamentarë zviceranë ka theksuar se lirimi i ish-presidentit Hashim Thaçi është i domosdoshëm për paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe në Ballkan.
“Në Parlamentin Zviceran për Kosovën dhe presidentin historik Hashim Thaçi! Problemet që ka vendi ynë janë për shkak të lirisë të shkurtër që kemi si shtet, takova shume miq parlamentarë me të cilët konfirmova se vetëm presidenti Thaçi ka kredibilitetin për ta drejtuar aty ku duhet Kosovën në vlerat e liberal demokracisë evropiane. Lirimi tij është i domosdoshëm nëse doni paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe Ballkan”, ka shkruar Bislimi në “Facebook”.
Ai ka thënë se Dhomat e Specializuara janë në shërbim të politikës. “Dhomat politike të specializuara janë në shërbim të politikës dhe jo krimit, sepse krimet në Kosovë i bënë serbët që sot prapë kanë rrethuar Kosovën me tanket e Vuçiqit sepse për ta nuk ka gjykatë që guxon t’i ndalon! Paramendoni tani deri ku kemi ardhur, sa qe gjykata e drejtave të njeriut në Strasburg dënon Zvicrën për proceset politike lidhje me klimën dhe neve na bënë gjykatë që do me dënuar përpjekjet tona për liri! Deri ku ka ardhur demokracia….!”, ka shkruar Bislimi.